Njeriu i famshem i tatuazheve

Njeriu i  famshëm  i tatuazheve

Historia dëshmon se pikturimi i trupit dhe bërja e vrimave (pirsing) në të është forma më antike dhe origjinale e shprehjes së krijimtarisë njerëzore. Sot, të kesh një tatuazh, apo të mbash një pirsig, është kthyer në modë. Nga më të famshmit e Hollivudit, deri te njerëzit e thjeshtë, pothuajse të gjithë përpiqen të duken tërheqës, duke vizatuar në lëkurë figura apo duke shkruar thënie që ata mendojnë se kanë domethënie të caktuara. Të pasionuarit pas tyre janë zakonisht të rinjtë, dhe pse statistikat tregojnë se edhe mosha e mesme tërhiqet shumë nga një tendencë e tillë. Megjithatë, është e sigurt se nëse kërkon të kesh në trup një krijim unik dhe origjinal, duhet t‘ia besosh "trupin" tënd mjeshtërve të kësaj pune, sepse këtë nuk mund ta bëjnë të gjithë, por vetëm ata që kanë talent në këtë lloj arti. Kështu, nëse e pyesim "Mister Cartoon" si ka mundësi që bën tatuazhe kaq të shtrenjta, përgjigjja është shumë e thjeshtë: "Ne jetojmë në rrugë dhe duhet të tregojmë që e kemi bërë këtë gjë". Nuk na ndodh që të takojmë çdo ditë një legjendë. Ne na ka ndodhur me "Mister Cartoon", i njohur ndryshe Mark Machado, për shumë të tjerë si tatuisti më i madh që është parë ndonjëherë.

Është ai që ka pikturuar me teknikën e tij të papërsëritshme (e zezë dhe gri), në një stil mjaft perfekt- me karakteret në anglishten e vjetër -epidermën e çmuar të yjeve të muzikës hip-hop dhe jo vetëm (Eminem, "50 cent", Justin Timberlake etj.). Ai është një tip i ashpër, por me zemër të butë dhe goxha talent. Historia e tij është si një film dhe në fakt Brian Grazer (një nga producentët më të mëdhenj të Hollivudit), është gati të prodhojë një të tillë që flet mbi historinë e "njeriut të famshëm". Mark e ka nisur karrierën e tij si të gjithë, duke bërë grafike nëpër rrugët e Los Anxhelos, në fundin e viteve ‘80. Dhe falë "bumit" të madh të muzikës dhe kulturës hip-hop, djaloshi Mark nisi një jetë të re si ilustrues për shtëpitë diskografike, si dhe mjaft revista me figura. Duke e praktikuar vazhdimisht, vendosi të fillonte artin e tatuazheve me mikun e tij, i njohur si një nga tatuistët "chicos", që shkruante muret poshtë urave dhe mbikalimeve në Los Anxhelos (ku edhe ka lindur pseudonimi i tij). Kështu Mark u bë tatuisti më i kërkuar i gjithë Amerikës, me një listë pritjesh të gjatë sa për 6 muaj, të atyre që kërkojnë të vizatojnë lëkurën. Dita e tij e zakonshme? Nga ora 10:00 deri në orën 17:00 merret me dizajnin e veshjeve, hi-tech dhe bizhuve (gjerdani që ai mban në qafë ka një vlerë prej 55 mijë dollarësh). Nga ora 17:00 e deri pas mesnate ai u dedikohet totalisht e me shpirt tatuazheve të tij të dashura, të cilat i vizaton nën sfondin muzikor "old skool" (që nisin me hitet e Marvin Gaye e më pas të tjerë me radhë).

Mbreti Mida i tatuazheve është një person mjaft simpatik, i aftë për të treguar se sa e këndshme është të hysh me të gjithë miqtë e tij në stilin "gangsta", në restorantet më të shtrenjta të Hollivudit, për të kuptuar efektin që ka, por edhe të rrëfejë me krenari se sapo i biri 11-vjeçar të lërë lojërat playstation, do të mësojë të bëjë tatuazhe mbi lëkurën e trupit të të atit. Kjo legjendë duhet të vazhdojë.

Higjena

Ekspertët kanë pohuar se tatuazhet bëhen edhe më të rrezikshme në stinën e verës, për shkak të kushteve higjienike jo të përshtatshme

Rreziku i hepatitit

Ekspertët kanë hedhur alarmin se tatuazhet bëhen edhe më të rrezikshme në stinën e verës, për shkak të kushteve higjienike jo të përshtatshme. Të mëdhenj apo të vegjël, me apo pa shkrime, tatuazhet tradicionale qëndrojnë përgjithnjë, por me kalimin e viteve fillojnë dhe zbehen, nuk provokojnë efekte anësore, duke përjashtuar vetëm rastet e alergjive, nëse nuk janë kryer nga profesionistë. Në çdo rast janë të këshillueshëm të bëhen nga ekspertë, me mjete profesionale dhe në vende higjienike, për të evituar çdo lloj kërcënimi nga mikrobet apo sëmundjet e ndryshme, mes të cilave edhe hepatiti B e C.

Alarmi ndaj AIDS

Pas alarmit të AIDS, problemi më i madh mbetet siguria. "Është e rëndësishme të përdoren age njëpërdorimshe, të cilat duhet të hapen në sy të klientëve", tregojnë mjekët specialistë

Jo më përgjithmonë

Shpesh herë dikush që mendon të bëjë një tatuazh nuk e çon ndërmend kohën e pendimit, apo më pak akoma atë heqjes së tij nga trupi, megjithatë, sot mund ta fshish atë kollaj përmes bojës që nuk qëndron në trup për gjithë jetën. Përmes metodës së quajtur "mikrokapsulizim", tatuazhet mund të bëhen me këtë bojë, e cila largohet shumë lehtë nga lëkura. Metodat më të përdorshme janë ato kirurgjikale, me bisturi gjysmëlaser. Trajnimet alternative janë dermo-abrasione, ose crioterapia. Përdorimi i laserit është një trajtim pak i shtrenjtë dhe mbi tatuazhin e vjetër mund të krijosh një subjekt të ri, sigurisht i kryer nga duart e një profesionisti.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama