Voyager kartolinat nga hapesira

Voyager, kartolinat nga hapësira

Udhëtojnë në zbrazëtinë absolute të hapësirës ndëryjore me një shpejtësi prej 1 milion e 600 mijë kilometër në ditë. Tashmë për to dielli është një yll si gjithë të tjerët. Pas krahëve të tyre qëndron historia e gjatë e sistemit diellor, që kanë përshkuar për 30 vite me radhë. Janë sondat "Voyager" 1 dhe 2, të cilat janë nisur përkatësisht më 5 shtator dhe 20 gusht të vitit 1977. Pas pak vitesh këto sonda do të gjenden në hapësirën ndëryjore dhe do të mbyllin çdo kontakt me Tokën, por udhëtimi i tyre në univers do të zgjasë ndoshta për mijëra e mijëra vjet. E nëse një ditë ato do të ndeshen me planetë, ku brenda tyre jetojnë qenie inteligjente, mund t‘u tregojnë jashtëtokësorëve se si është ndërtuar planeti ynë. Brenda në bord ato mbajnë një disk të artë, ku janë mbledhur melodi e imazhe të Tokës dhe një shpjegim sesi mund t‘i dëgjojnë.

Por, momentalisht, pavarësisht kohës dhe hapësirës që është përshkuar që nga nisja e tyre - gjenden tri herë më larg nga Dielli i Plutonit (planeti i nëntë më i vogël i sistemit diellor) - do të vazhdojnë të flasin me Tokën dhe të dërgojnë informacione. "Misionet ‘Voyager‘ janë një legjendë ndër vite të eksplorimit hapësinor: na kanë hapur sytë mbi objektet e ndryshme shumë të mëdha që ekzistojnë në sistemin diellor dhe kanë kryer së bashku kërkimin më të rëndësishëm të planetëve që rrotullohen rreth Diellit", ka shpjeguar përgjegjësi i misionit shkencor të NASA-s.

Gjatë 12 viteve të para të eksplorimit, sondat "Voyager" kanë dhënë një informacion shumë të zgjeruar për Jupiterin, Saturnin dhe planetët e largët, Uranin dhe Neptunin. Një ndër zbulimet më të rëndësishme që këto sonda kanë kryer është atmosfera shumë turbulluese e Jupiterit. Në brendësinë e tij janë zbuluar dhjetëra uragane të tjera, përveç atij më të njohurit, që i jep jetë atij më të madhit, "Njolla e Kuqe". Dy sondat kanë zbuluar se një satelit i Jupiterit "Io", zotëron vullkane aktive që çlirojnë squfur. Gjithashtu kanë zbuluar se mbi Evropë (një tjetër hënë e Jupiterit) gjendet një oqean i mbuluar nga akulli, ku mund të shfaqen shenja jete. Përreth Saturnit sondat kanë fotografuar valë të fuqishme, të cilat godasin grimcat e akullit, që përbëjnë unazat e tij. Madje, ato kanë arritur të shikojnë nga afër atmosferat jeshile dhe bojëqielli të Uranit dhe Neptunit, gjë të cilën teleskopi tokësor nuk kishte mundur ta bënte më parë.

Por, tashmë udhëtimi i tyre po i drejtohet fundit: sondat kanë arritur në kufijtë e heliosferës, ose më saktë në pikën më të largët, ku veprimi i Diellit bllokon pothuajse të gjithë rrezatimet që arrijnë nga hapësira ndëryjore. "Voyager 1", që tashmë gjendet 15,5 miliardë kilometra nga Dielli, ka mbërritur aty në vitin 2004 dhe tashmë po e kalon këtë kufi. Instrumentet po studiojnë atë çka ndodh kur era diellore (një korrent i grimcave të ardhura nga Dielli) përplaset me gazet e ndryshme që vijnë nga thellësia e hapësirës. "Voyager 2" (12,5 miliardë kilometra nga dielli), do ta arrijë atë kufi këtë vit.

Edhe në një periudhë kohore prej 30 vitesh, dy sondat janë në gjendje të mbajnë në jetë disa instrumente dhe t‘ia transmetojnë të dhënat Tokës, falë një gjeneratori me radioizotop, i cili sot prodhon pak më shumë se 300 vat. Sinjalet e dobëta merren nga "Deep Space Network" i NASA-s, një sistem me antena të fuqishme, të cilat gjenden në pjesë të ndryshme të planetit dhe arrijnë në planetin tonë pas 12-14 orësh. Këto sinjale do të "jetojnë" deri në vitin 2020, kur gjeneratori atomik do të pushojë së funksionuari.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama