Kronike e zeze ne rruget tona edhe sa do te vazhdoje

Kronikë e zeze në rrugët tona, edhe sa do te vazhdoje

S’ka dyshim që kjo duhet të përbëje për shoqërinë një problem jashtëzakonisht shqetësues dhe në radhë të parë për institucionet e larta qeveritare që kanë në kompetencë mbikëqyrjen dhe rregullimin e qarkullimit  rrugor. Në qoftë se do ti referohemi analizave të gjashtëmujorit të parë të vitit 2007 të Shërbimeve të Policisë Rrugore rezulton se çdo ditë në rrugët e Shqipërisë vdes përafërsisht një person dhe plagosen shumë të tjerë. Sipas statistikave për këtë periudhe kanë ndodhur 492 ngjarje aksidentale në të gjitha akset rrugore të vendit me pasoje vdekjen e 162 personave dhe plagosjen e rendë të 133 të tjerëve. Referuar treguesve të mësipërm për këtë periudhe si edhe treguesve për gjithë vitin parardhës 2006, rezulton se situata deri në fund të vitit 2007 ka tendence të jete një kronike akoma me zezë se ajo e vitit 2006. Vitin e kaluar janë raportuar rreth 1015 aksidente automobilistike në rrugët kombëtare, zonat urbanistike si dhe ato rurale me pasoje vdekjen e  277 personave ndër të cilët, çfarë është edhe me tragjikja, 105 prej tyre kanë qenë këmbësore dhe 16 çiklistë, pra jo drejtues automjetesh.

Në bazë po të të dhënave të Drejtorisë Qendrore të Policisë Rrugore rezulton se përgjithësisht mbi 90% e aksidenteve automobilistike janë rrjedhoje e gabimeve njerëzore të cilat rrjedhin nga shkelja e legjislacionit dhe rregullave të qarkullimit rrugor nga përdoruesit e rrugës.

Kjo situatë alarmante evidentohet edhe nga  të dhënat e “Pacific Institutute for Research and Evaluation” me qendër në Washington sipas të cilave vërtetohet që në Shqipëri ndodh mesatarisht një aksident në ditë. E përkthyer në një numër te krahasueshëm me tregues të ngjashëm në vende te tjera, kjo statistikë do të thotë se në vendin tonë ndodhin 19 aksidente për 10.000 automjete ose 3,5 herë me shumë se në vendet e tjera të ish bllokut komunist dhe 10 herë me shumë se në Suedi.  Çfarë rëndon më shumë këto shifra është se gjysma e aksidenteve automobilistike përfundojnë me pasojë vdekjen e të paktën një personi, një rekord ky absolut Europian.


Mbas statistikave të tilla, organet kompetente dhe përgjegjëse për sigurinë rrugore, kanë organizuar në këtë kuadër aksione për sensibilizimin e përdoruesve të rrugës për zbatimin e rregullave e normave të qarkullimit rrugor. Në bashkëpunim me institucione mediatike realizojnë emisione të veçanta televizive ku flitet për shkaqet e aksidenteve dhe masat parandaluese që kanë marrë ose që do të marrin. Gjatë këtyre emisioneve marrin pjesë në debate përfaqësues të organeve të policisë, strukturave të transportit rrugor, të autoshkollave, grupimeve sindikaliste etj. Ajo çfarë është më e çuditshme, është fakti se asnjëherë objekt i këtyre debateve qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë nuk ka qenë detyrimi i organeve shtetërore dhe ministrive përkatëse të linjës për të përmbushur detyrat e tyre të ngarkuara drejtpërdrejt nga Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë dhe aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.

Në kuptimin e dispozitave dhe qëllimit të këtij Kodi, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 1998, rezulton se shkaku i aksidenteve rrugore është trinomi: njeriu – mjeti – rruga. 

Ndërsa për faktorët “mjeti”  dhe “ rruga” flitet dhe janë marrë disa masa në drejtimin e duhur drejt përmirësimit, për faktorin “njeri” mund të themi se nuk është marrë asnjë masë konkrete. Mund të pretendojmë që organet shtetërore nuk kanë zbatuar disa dispozita urdhëruese të Kodit Rrugor që lidhen me edukimin masiv të popullatës me qëllim krijimin në vend të një kulture të gjerë mbi qarkullimin rrugor dhe rregullat e tij. Pikërisht kjo kulture rrugore është një ndër përcaktuesit kryesor të statusit “qytetar i civilizuar”. Faktori njeri është dominanti i shkaqeve të aksidenteve rrugore. Këtë mund ta ilustrojmë me faktin se kushdo do të mendonte se segmentet rrugore që shkaktojnë sot më shumë viktima si pasojë e aksidenteve automobilistike do të ishin kryesisht rrugët ku nuk është vënë dorë prej vitesh për ti ndrequr, rrugët ku mungon sinjalistika rrugore, ku mungojnë elementet e sigurisë e natyrisht ku mungon asfalti.  Dhe rrugë të tilla në vendin tonë ka plot. Por e vërteta e nxjerre nga statistikat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit tregon të kundërtën: segmentet më të mira për nga ana teknike në vendin tonë siç janë Tiranë – Durrës, Kavajë – Lushnje, Tiranë – Krujë dhe Lezhë – Shkodër janë akset rrugore nacionale ku është regjistruar numri më i madh i aksidenteve me pasojë vdekjen e qindra qytetarëve drejtues automjetesh, pasagjerë por më shume këmbësore.

Pra faktori i edukimit dhe kulturës së përgjithshme mbi qarkullimin rrugor të të gjithë përdoruesve të rrugës tregon qe është një nga shkaqet kryesore i këtyre shifrave të trishtueshme të aksidenteve dhe pasojave të tyre.  Edukimi i përgjithshëm i përdoruesve të rrugës parashikohet shprehimisht nga Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë ne nenin 1 dhe nenin 225 te tij, në lidhje me zbatimin e të cilave mund të themi se nuk është bërë pothuajse asgjë.  Që nga hyrja në fuqi e këtij Kodi edukimi mbi qarkullimin rrugor është kufizuar vetëm në një prej kategorive të “përdoruesve të rrugës” asaj të drejtuesve të automjeteve nëpërmjet shkollimit të tyre në autoshkolla.

Më konkretisht sipas neni 1, pika 1 cit. Qarkullimi i këmbësorëve, mjeteve dhe/ose i kafshëve në rrugë rregullohet nga normat e këtij Kodi dhe aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij në përputhje me normat ndërkombëtare e të Komunitetit Europian në këtë fushë...” 

Pika 4 e te njëjtit nen përcakton se cit. njohja dhe zbatimi i përpikte i normave përkatëse të këtij kodi dhe i akteve në zbatim të tij janë të detyrueshme për të gjithë personat që qarkullojnë në rrugët e territorit të Republikës së Shqipërisë me mjet ose pa mjet dhe/ose për ata persona që kanë të bëjnë me këto rrugë.

Ndërsa për edukimin në qarkullimin rrugor të drejtuesve të mjeteve është bërë diçka nëpërmjet shkollimit të detyrueshëm në autoshkolla, si kusht paraprak për marrjen e lejes së drejtimit të mjeteve, masa me e madhe e qytetareve deri më tani nuk është e përgatitur dhe e edukuar në atë nivel që kërkojnë normat e Kodit Rrugor aq me tepër në kushtet e një trafiku të tillë kaq të dendur.  Sot e kësaj dite pas pothuajse 10 vjetësh nga hyrja në fuqi e Kodit Rrugor rezulton se nuk është marrë ndonjë masë e kërkuar nga neni 225 i tij, pra ky nen rezulton i pa zbatuar nga organet shtetërore të ngarkuara me zbatimin e tij.

Sipas nenit 225 i titulluar “Edukata rrugore”, cit. Për të nxitur formimin e të rinjve në fushën e sjelljes rrugore dhe të sigurisë së trafikut e të qarkullimit, Ministri i Punëve Publike dhe Transportit dhe Ministri i Arsimit në marrëveshje me Ministrinë e Rendit Publik duke shfrytëzuar bashkëpunimin me ente dhe shoqëri me përvojë të gjerë në sektorin e parandalimit dhe sigurisë rrugore të përcaktuara në aktet e Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse, parapërgatitin brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij Kodi, programe të posaçme, të pajisura me planin përkatës financiar, për tu kryer si veprimtari e detyrueshme në shkollat të çdo lloji dhe grade ku përfshihen dhe institutet artistike dhe shkollat që përmbledhin njohjen e parimeve të sigurisë rrugore si dhe të rrugëve, të sinjalizimit, të normave të përgjithshme për drejtimin e mjeteve dhe të rregullave të sjelljes së përdoruesve...”

Pra dispozita e më sipërme është gjithëpërfshirëse duke mos trajtuar vetëm edukimin e drejtuesve të mjeteve por të të gjitha kategorive të përdoruesve të rrugëve  çfarë do të thotë të gjithë shtetasit e Republikës së Shqipërisë.
Zbatimi i këtij neni i cili lidhet drejtpërdrejt me sigurinë rrugore është aq i rëndësishëm sa dhe iniciativa e Vatikanit referuar një artikulli të shtypit të përditshëm nën titullin “Të ngasësh makinën pa mëkate” i referohet pikërisht edukimit të qytetareve në fushën e rregullave e normave të qarkullimit rrugor. Vatikani ka hartuar një dokument me rregulla të qarkullimit në rrugë e cila përmban 10 urdhëresa që mbulojnë gjithçka që nga kaosi nëpër rrugë deri tek evitimi i gjesteve të pahijshme pas timonit. Sipas urdhëresës nr. 5 makinat nuk duhet të jenë për njerëzit shprehje e fuqisë dhe dominimit dhe as një mjet abuzimi  prepotence”. Për ilustrim, aksidenti i fundit në qytetin shtet të Vatikanit ka ndodhur një vit e gjysmë më parë dhe me pasoje vetëm dëme të vogla.
E sjellim këtë fakt për të shtruar pyetjen se çfarë duhet të bëjmë ne duke patur një numër kaq të madh aksidentesh automobilistike dhe në të shumtën e rasteve me pasoja dramatike? E vetmja rrugë është zbatimi i nenit 225 të Kodit Rrugor. Domosdoshmëria për zbatimin e menjëhershëm të kësaj dispozite nuk është vetëm karakteri i tij ligjor detyrues por edhe situata aktuale në vend. Jo më kot ligjvënësi ka parashikuar në këtë nen detyrimin e institucioneve përkatëse për të përgatitur programet e parashikuara brenda një viti nga hyrja në fuqi e Kodit çfarë nënkupton dhe vënien në zbatim të këtyre programeve menjëherë pas përfundimit të këtij afati njëvjeçar.
Arsyet kryesore te domosdoshmërisë së zbatimit të këtij neni mund t’i rendisim si më poshtë:

1) Mosekzistenca e një kodi rrugor të bazuar në principet dhe standardet europiane në këtë fushë deri në vitin 1998 për arsye që njihen;
2) Lëvizja kaotike demografike – imigrimi i konsiderueshëm i popullsisë rurale drejt zonave urbane që ka sjell heterogjenizim të shoqërisë për sa i përket kulturës qytetare në përgjithësi dhe edukatën rrugore në veçanti. Ky imigrim krejt i pakontrolluar u shoqërua me fenomenin e krijimit të “qytetarit fshat” – jetuar e mësuar për vite me radhë në zona rurale ku infrastruktura rrugore pothuajse ka qenë inekzistente dhe transporti rrugor kufizohej kryesisht në atë  me kafshë apo mjete të tërhequra nga kafshë. Pikërisht ky “qytetar fshat” për sa i përket edukimit rrugor nuk përputhet me statusin e “qytetarit te civilizuar” (Termi “qytetar fshat” nuk përdoret me qellim diskriminues të fjalës por thjesht për të theksuar thelbin e çështjes që trajtojmë.) Mbas vitit 1990 këtij qytetari iu dha mundësia qe me punën dhe iniciativën e tij individuale të tentojë në mënyrë marramendëse drejt një jete të botes moderne në krahasim me të kaluarën me qellim fitimin e kohës së humbur ku dallon edhe përdorimi i mjeteve të motorizuara. Ky hendek midis “qytetarit fshat” dhe “qytetarit te civilizuar” përfshin siç përmendim me lart edhe nivelin e edukatës rrugore të këtyre dy kategorive. 
3) Tregu i autoshkollave. Në qofte se do të pretendonim se ky hendek do të mund të eliminohej plotësisht nëpërmjet edukimit në autoshkolla do të thotë as me shumë e as më pak të shmangësh përgjegjësinë për çfarë ndodh në rrugët tona ose të ngopesh me luge bosh. Sipas nenit 121, pika 1 te Kodit Rrugor autoshkolla janë shkollat për edukimin rrugor, instruktimin dhe formimin vetëm të drejtuesve të mjeteve. Sipas këtij neni edukimi nëpërmjet autoshkollave ka për subjekt vetëm drejtuesit e mjeteve duke përjashtuar kategoritë e tjera të përdoruesve të rrugës. Më konkretisht  edukimi rrugor si më sipër është një kusht paraprak për t’u pajisur me leje drejtimi të automjetit vetëm nga ata persona të cilët janë të interesuar për të drejtuar një automjet. Pra edukimi nëpërmjet autoshkollave ka karakter selektiv dhe jo gjithëpërfshirës ashtu si është detyrimi për njohjen e normave të qarkullimit rrugor prej çdo përdoruesi rruge sipas përcaktimeve të nenit 1 pika 4 dhe nenit 225 të Kodit Rrugor të sipërcituara.

Pavarësisht karakterit selektiv të edukimit nëpërmjet autoshkollave, këto të fundit mund të themi se nuk e kanë përmbushur ashtu siç duhet misionin e tyre të percaktuar në nenin 121, pika 1 të Kodit, mision i cili konsiston në edukimin rrugor, instruktimin dhe formimin e drejtuesve të mjeteve. Mund të themi se, në vendin tonë, ekziston një treg autoshkollash përveç se i pastabilizuar, por edhe që ka devijuar në mënyrë të konsiderueshme veprimtarinë e autoshkollave drejt qëllimeve të pastra përfitimi dhe kjo në kurriz të misionit që i ngarkon ligji.

Mësimdhënia  në autoshkolla e kufizuar vetëm në mjete didaktike të tipit pankarta apo tabela si dhe niveli jo në lartësinë e duhur të vetë kësaj mësimdhënieje nuk i jep mundësinë kursantit të përfitoje maksimumin e mundshëm të njohurive mbi rregullat e qarkullimit rrugor. Në nenin 114 të Kodit Rrugor thuhet: “Cilido që drejton mjete ose kafshë duhet të plotësojë kërkesat fizike e psikike dhe pika 1/c e këtij neni .... të ketë mbushur moshën tetëmbëdhjete vjeç për drejtimin e mjeteve me motor për drejtimin e të cilave kërkohet leje drejtimi e kategorisë A dhe B.

Në zbatim të kësaj dispozite ligjore, Rregullorja e Zbatimit të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë në nenin 311 pika1 përcakton, ndër të tjera, si element të dokumentacionit të kërkuar që kursanti duhet të përmbushë kur pajiset për herë të parë me leje drejtimi edhe vërtetimin e kryerjes së shkollës 8 vjeçare.
Nisur nga niveli arsimor minimal 8 vjeçar i kërkuar për tu pajisur me leje drejtimi, dhe programit jo fort të thjeshtë teorik që duhet të përballoje kursanti i këtij niveli rezulton si domosdoshmëri që autoshkollat të pajisen me infrastrukturën bashkëkohore komputerike të mësimdhënies e tipit “movies”, pra me animacione, pamje vizive dhe akustike si një nga mjetet me të suksesshme dhe efektive të kohëve të fundit në lidhje me përftimin maksimal të materialit teorik të mësimdhënies nga kursante të çdo lloj niveli arsimor. Suksesi dhe efektiviteti i kësaj metode qëndron në faktin e vërtetuar tashmë se memoria njerëzore dhe shkalla e përftimit teorik të njeriut sidomos të atyre me arsim të ulët është vlerësuar:
a) me anë të dëgjimit 20%;
b) me anë të shikimit 30%; dhe
c) me anë të dëgjimit dhe shikimit 50%.

Aktualisht janë shumë të pakta autoshkollat në vendin tonë që aplikojnë këtë metodë mësimdhënie dhe edukimi të kursanteve.
Pra edhe edukimi rrugor  vetëm i një kategorie të përdoruesve të rrugës siç janë drejtuesit e ardhshëm të mjeteve rezulton i cunguar për shkak të mangësive të lartpërmendura të mësimdhënies teorike në autoshkolla.

Një fakt i tillë është evidentuar edhe në Raportin e Progresit të Shqipërisë në procesin e Stabilizim Asociimin për vitin 2006, raport ky i përgatitur nga Komisioni i Komuniteteve Europiane. Në këtë Raport evidentohet në pikën 4.2.4 – Politikat e transportit, se cit. Siguria rrugore vazhdon të jetë problem për shkak të kushteve të dobëta të rrugëve, sinjalistikës së mangët dhe kualifikimit të kufizuar të drejtuesve të mjeteve dhe këmbësorëve....” .
Sa më sipër perfeksionimi i metodës së mësimdhënies teorike në autoshkolla mund të konsiderohet si një nga masat për arritjen e objektivit politik në lidhje me sigurinë rrugore të përcaktuar në pikën 3.10.2 – Siguria Rrugore të Planit Kombëtar të Zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit të miratuar nga Këshilli i Ministrave në vitin 2006. Siç përcaktohet në këtë plan objektivi politik në lidhje me sigurinë rrugore në kuadrin e zbatimit të MSA- së është ndër të tjera cit. përafrimi i legjislacionit në fushën e transportit tokësor me vëmendjen kryesore në sigurinë rrugore, ..... si dhe krijimi i një sistemi informimi mbi trafikun rrugor duke synuar rritjen e sigurisë rrugor.

Për arritjen e këtij objektivi janë parashikuar disa iniciativa ligjvënëse në planin afatshkurtër të cilat do të synojnë ndryshimin e Kodit Rrugor, të Rregullores për zbatimin e tij si dhe të Udhëzimit të kualifikimit për drejtuesit e mjeteve dhe programin teoriko – praktik, ndryshime të cilat do të synojnë përputhshmërinë e pjesshme me legjislacionin e Bashkimit Europian në lidhje me këtë fushë. Prandaj nuk do të ishte aspak luks ne qoftë se në kuadrin e këtyre ndryshimeve, hartuesit e tyre të parashikojnë që në nenin 313 të Rregullores së Zbatimit  të Kodit Rrugor i titulluar “Licenca për Autoshkollat”, pika 3 e tij në të cilën theksohet se “personi juridik, shtetëror ose privat që kërkon leje për hapjen e autoshkollës duhet të plotësoje disa kushte, të parashikohet pa hezitim edhe pajisja e autoshkollës me infrastrukturën bashkëkohore të mësimdhënies teorike e karakterit komputerik (me animacion, pamje vizive dhe akustike) si kusht paraprak për licencimin e autoshkollës. Përveç sa më sipër, kjo do të sillte një seleksionim dhe eliminim të autoshkollave të tipit “kotec” të cilat në të shumtën e rasteve si qëllim kryesor kanë përfitimin duke harruar misionin e autoshkollave atë të edukimit të drejtuesve të mjeteve. Gjithashtu kjo do të ndihmonte konsiderueshëm edhe në stabilizimin  dhe konsolidimin e vërtetë te tregut të autoshkollave. Në fund të fundit jemi në kohen e internetit, siç propagandohet rast pas rasti edhe nga ana e Qeverisë.

Përballë një situate të tillë të lind menjëherë pyetja se cila është zgjidhja e duhur për sa i përket edukimit rrugor masiv të popullatës dhe krijimit të një sjellje dhe kulture të përgjithshme të çdo shtetasi (përdoruesi rruge) mbi normat dhe rregullat e qarkullimit rrugor?
Përgjigja nuk duhet kërkuar shumë larg por gjithmonë në vetë nenin 225 të Kodit Rrugor në të cilin ligjvënësi ka percaktuar qartë si detyrë emergjente përgatitjen dhe futjen si veprimtari e detyrueshme në shkollat e çdo lloji grade dhe niveli të programeve të posaçme mësimore në lidhje me sjelljen, sigurinë e trafikut dhe qarkullimit rrugor.

Çfarë ka sjellë moszbatimin e kësaj dispozite ligjore? Ka të beje kjo me mungesën e përgjegjësisë dhe indiferentizmin e organeve shtetërore në lidhje me gjendjen dramatike në rrugët e Shqipërisë? Siç jemi mësuar rëndom të dëgjojmë nga organet përgjegjëse shtetërore, arsyeja e moszbatimit mund të justifikohej edhe me mungesën e fondeve të mjaftueshme financiare. 

Për të dhënë një justifikim të tillë së pari organet shtetërore do të duhej t’a mbështesnin atë mbi argumente dhe rezultate të analizave dhe studimeve vlerësuese përkatëse. Vetë neni 225 ju vendos si detyrë këtyre organeve që krahas përgatitjes së këtyre programeve mësimore të shoqërojnë  këto të fundit me analiza financiare në bazë të të cilave logjikisht do të planifikoheshin në buxhetin e viteve pasardhëse fondet për vënien në zbatim të tyre. Edhe në rast se do të përgatitej një program financiar si më lart, justifikimi i organeve shtetërore për mosparashikimin si zë të veçante të fondeve në buxhetin e shtetit për shkak të prioriteteve të tjera më të rëndësishme të Qeverise do të ishte e papranueshme. Duke u nisur nga gjendja dramatike e sigurisë rrugore në vendin tonë shumë kush do të ishte dakord se marrja e masave të parashikuara në nenin 225 duhet të përbënte dhe të përbejë një nga prioritet afatshkurtra të çdo qeverie. 

Përveç sa më sipër mosparashikimi në buxhet si zë i veçante i fondeve të lartpërmendura është serish i pabazuar financiarisht pasi që nga hyrja në fuqi e Kodit Rrugor në vitin 1998 e deri më sot do të gjendeshin disa herë këto fonde. Ndërkohë që kostot e një gjendjeje të tillë në rrugët tona janë tepër të konsiderueshme.

Duke iu referuar një artikulli me titull “Aksidentet jo vetëm dhimbje” të datës 12 prill 2006 te dr . Eduard Zaloshnjës punonjës shkencor në një prej departamenteve të “Pacific Institute for Research and Evaluation” me qendër ne Washington, theksohet që aksidentet automobilistike përveç dëmeve fizike, psikologjike dhe shpirtërore kane edhe një kosto financiare për shoqërinë. Sipas të dhënave në këtë artikull një aksident automobilistik i kushton shoqërisë amerikane rreth 57 mijë dollarë. E konvertuar kjo nga ky institut në kushtet dhe nivelin ekonomik të Shqipërisë kostoja e një aksidenti do të përllogaritej në masën mbi 8 mijë dollarë ose e thënë ndryshe kostoja totale financiare e aksidenteve automobilistike qe nga viti 1992 do të arrinin shifrën rreth 32 milionë dollarë.

Duke marrë të mirëqena shifrat e më sipërme do të mund të thoshim se kjo kosto në nivel kaq të lartë do të mund të ishte disa herë me e ulet në rast se neni 225 do të zbatohej riogorozisht duke mundësuar kështu krijimin e një kulture të përgjithshme dhe sjelljeje në lidhje me normat dhe rregullat e qarkullimit rrugor të të gjitha shtresave të popullsisë ose me sakte të të gjitha kategorive të përdoruesve të rrugës.

Është më se e qartë se do të kishim më pak aksidente në rast se përdoruesit e rrugës do të kishin një kulturë të përgjithshme mbi rregullat e qarkullimit rrugor si p.sh. respektimi nga këmbësoret i normave të sjelljes në rrugë ku mund të përmendim respektimi i vendkalimeve të rrugës apo i sinjalistikës rrugore, etj..

Në lidhje me sa më sipër i mbetet organeve shtetërore përkatëse të kryejnë studimet dhe analizat e tyre për të percaktuar në terma konkrete dhe në shifra se sa do të ulej kosto financiare e këtyre aksidenteve duke vënë në zbatim nenin 225 të Kodit Rrugor  dhe duke  reduktuar në këtë mënyrë dëmet jo vetëm fizike, psikike dhe shpirtërore të viktimave të aksidenteve dhe të afërmeve të tyre,  por edhe kostot financiare të shoqërisë shqiptare. 

Pavarësisht se ky detyrim ligjor nuk është zbatuar që nga hyrja ne fuqi e Kodit Rrugor nuk është kurrë vonë marrja e masave për vënien në zbatim të tij. Fillimisht, si hap i parë, do të duhej që edukimi rrugor të vendosej urgjentisht  si proces mësimor i detyruar të paktën në nivelin e arsimit 9 vjeçar për vendosjen e themeleve të edukatës dhe kulturës se qarkullimit rrugor  në këtë grupmoshe.

E thënë ndryshe Qeveria, e kryesuar nga cilado qoftë forcë politike duhet të vrasë mendjen për përmirësimin e situatës duke zbatuar thjesht detyrimet e saj ligjore me qellim zbutjen e pasojave kaq dramatike të kësaj lufte absurde motorike me vetveten duke kursyer në radhë të parë jetë njerëzish por edhe kosto të konsiderueshme financiare.

Jo vetëm kaq por çfarë është më e rëndësishmja, Qeveria duhet tashmë të fillojë seriozisht të zbatojë planet strategjike të hartuara vetë prej saj për Integrimin Europian të vendit duke lënë pas deklaratat propagandistike dhe boshe të cilat nuk mund të çojnë kurrsesi në rritjen e mirëqenies së shoqërisë shqiptare. 

Erion Yzeiri      Burimi : Ing. Alfred Pajaj Specalist në Institutin Kombëtar  të Transportit dhe Sigurisë Rrugore - IKTSRR 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama