Dy muaj pas premierës botërore, edhe publiku shqiptar i"Fantastic four" ka mundësi të ndjekë në ekranin e gjerë të kinemasë Millenium, aventurat më të reja të katërshes fantastike dhe serfistit alien. Prodhimi më i ri hollivudian me titullin "Fantastic four 4 (2)"i njohur ndryshe edhe si "Rise of the Silver Surfer" është vijimi i filmit hit të vitit 2005 "Fantastic Four". Në rolet kryesore interpretojnë Ioan Gruffudd, Jessica Alba në rolin e Sue Storm, Chris Evans dhe Michael Chiklis.
Kritika e vlerëson këtë prodhim të dytë shumë më të arrirë se të parin. I të njëjtit mendim duket se është edhe publiku, pasi të ardhurat në box office vetëm në ditën e parë të projektimit në mbi katër mijë kinema amerikane shkojnë mbi 58 milionë dollarë. Ndërsa nga kinematë angleze filmi brenda një dite ka arritur të fitojë më shumë se katër milionë stërlina. Nga dje filmi ka nisur të shfaqet në Millenium në 4 oraret e para, pasi në oraret e tjera vazhdon që prej 16 korrikut shfaqja e filmit "300".
Jessica Alba, është vajza e padukshme e aventurave të Tim Story-t. Me rolin Sue Storm-it, ajo është gjithçka, por e padukshme. Një vajzë vërtet "fantastike", e bukur, me sy djallëzorë, por me shpirt të bukur. Për të dytën herë ajo intepreton personazhin e Sue Storm, gruaja e padukshme e "Katër fantastikëve", film aventurë i frymëzuar nga libri Stan Lee. "Është shumë interesante dhe në të njëjtën kohë më e lehtë të rimarrësh një rol", thotë 26-vjeçarja Jessica Alba ndërsa filmi po bën xhiron nëpër kinematë e botës. "Sue Storm, e njoh përmendësh. Ishte një rast për ta bërë më njerëzore dhe më dinamike."
Në ekran shfaqet diçka që duket si një meteor, fluturon në të gjithë botën duke ngatërruar motin. Në Japoni deti shndërrohet në akull, dhe bora bie mbi piramidat e Egjiptit ndërsa qielli i Nju Jorkut mbulohet nga flakët. Është e çuditshme dhe kushdo mendon se ka ardhur fundi i botës. Por në fakt është vetëm mbërritja e Serfistit të Argjendtë!
Kuarteti i heronjve që e duan të gjithë është rikthyer! Këtë herë në fakt nuk janë vetëm ata që janë të pajisur me superfuqi në filmin e mbushur me aksion të regjisorit Tim Story.
Bashkë me ta është edhe Serfisti i Argjendtë ("Silver surfer"), i cili ka mbërritur në tokë me një mision shkatërrimtar. Por kaosi i shkaktuar nga ai në të gjithë planetin vihet re nga katërshja tokësore e pajisur me dhunti të veçanta. Ata nuk kanë dëshirë të dorëzohen paluftuar dhe këtu ndizet beteja për të shpëtuar tokën.
"Silver Surfer" është një personazh nga Marvel Comics që për herë të parë është publikuar në shtator të vitit 1966. Surfer shfaqet në numrin e 46 të serisë së përmuajshme "Katër fantastikët", në të cilën mbërrinte në tokë për të hetuar potencialin ushqyes të planetit për padronin e tij Galaktus. "Është një dëfrim i kulluar, i lehtë, aspak vulgar, fakti për të shkëmbyer idetë familjarisht. Historia nuk është e komplikuar, nuk ka në veçanti asnjë mesazh kozmik", shpjegon dhe shkëlqen njëherësh Jessica madhështore me një trup të mrekullueshëm falë trashëgimisë nga babai i saj meksikan dhe nga nëna kanadeze me origjinë franceze dhe daneze. "Nuk kam ditur asgjë për librat humoristikë të Stan Lee-së. Më vjen keq përtrishtimin e Serferit sepse ndaj me të të njëjtin trishtim."
Silver Surfer është një nga personazhet e paktë që i rri emri në përshtatje me fuqitë e veta. Ndonëse është një alien nga Zenn-Lavian, është i ngjashëm me njerëzit. Ndryshimi i vetëm qëndron se sërfisti ka një mburojë metalike të argjendtë që i lejon të mbijetojë kur udhëton në hapësirë. Kështu është edhe tavolina e sërfit e cila komandohet me telepati.
Marre nga : Gazeta Shekulli











