Viktoria Bekam mamaja VIP me ne forme

Viktoria Bekam, mamaja VIP më në formë

Viktoria Bekam është kurorëzuar në një klasifikim të bërë nga një revistë angleze "News of the world", si "mamaja VIP më në formë". Kështu, mesa duket, Vikit i takoi ky çmim, sepse arrin të duket gjithmonë në një formë fizike për t‘u admiruar, pavarësisht moshës (i ka kaluar të tridhjetat) dhe faktit se ka sjellë në jetë tre fëmijë: Brooklyn 6 vjeç, Romeo 4, dhe Cruz vetëm 18 muaj. Nuk ka dyshim që palestra, shërbëtoret, seancat e masazheve, kujdestaret e fëmijëve dhe ndonjë ndërhyrje e vogël estetike kanë luajtur rolin e tyre, por sigurisht duke parë (ndoshta pak edhe me zili) belin e hollë dhe këmbët e dobëta të nxjerra shpesh nga bashkëshortja e bukur e David Bekam, është e vështirë të besosh se ka lindur tre fëmijë. Por ndryshimi duket akoma më shumë nëse do të bësh krahasimin me disa artiste të tjera VIP, që pavarësisht se i kanë lejuar vetes të njëjtat trajtime dhe privilegje, pas një ose dy shtatzënish duken të "transformuara" dhe dhjetë vjet më të plakura.

Le të mos harrojmë këtu të famshmen e "Baby one more time", Britney Spears, që pavarësisht se është kritikuar shumë për sjelljen e saj si nënë e papërgjegjshme, udhëheq klasifikimin e "mamave më të transformuara". Madje pas daljes nga spitali dhe thashethemeve për një shtatzëni të tretë, Spears është bërë për të ardhur keq me format e saj trupore. Klasifikimi i mamave në formë ndiqet nga Angeline Jolie (vendi i tretë), Kate Winslet (vendi pestë) që zbret katër pozicione nga klasifikimi i një viti më parë. Më pas renditen emrat e të mirënjohurave Elle Macpherson, Gwyneth Paltrow, Liz Hurley dhe Madonna. Kështu, duke u kthyer edhe njëherë te mbretëresha e klasifikimit, ndoshta do të ishte më mirë se ish- Spice Girls të sillte në jetë një tjetër fëmijë, nëse shtatzënitë e bëjnë të duket kaq mirë.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama