Profesioni Agjent sekret

Profesioni: Agjent sekret

Dihet se femrat spiune kanë ekzistuar gjatë gjithë kohës, por kohët e fundit ato janë bërë më të përdorshme, si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim. Por ndryshimi i vetëm është se, nëse në Lindje ka femra të cilat përveç agjenturës, pranojnë edhe të hidhen në erë për suksesin e aksionit, apo të vetëvriten kur u del sekreti, agjentet perëndimore janë më moskokëçarëse. Ato pranojnë madje edhe të punojnë me kohë të pjesshme. Një gjë tepër e çuditshme kjo, po të mendosh se në mes të aksionit, një femër agjente t‘i thotë kolegut të saj: "Po iki në shtëpi te fëmijët, ti e di që unë punoj part time...". Gjithsesi, kërkesat për femra agjente po shtohen gjithmonë e më shumë në shtete të caktuara, si Britania e Madhe për shembull, edhe me anë të agjencive publicistike. Në fillim janë shfaqur disa lajmërime në dhomat e zhveshjeve nëpër palestrat e Londrës: "Detyra jonë është që të mbrojmë Mbretërinë e Bashkuar. Kërkojmë personel për role operative dhe që të dinë të luajnë në skuadër. Bëhet fjalë në veçanti për vajza që dinë të flasin dialekte të ndryshme arabe dhe gjuhë aziatike, si atë ‘urdu‘ dhe ‘gujarati‘.

Nëse jeni të interesuara ...". Njoftimi vazhdonte duke lënë adresën përkatëse. Një përpjekje kjo që për punë spiunazhi, të cilat kanë të bëjnë me mbikëqyrjen e dukurive të caktuara, të zgjedhurat të ishin vetëm femra. Por kjo gjë nuk mjaftoi. Pasi në fakt nuk u bënë shumë kandidate dhe kështu, fushata publicistike ka vendosur të shkojë gjithsesi përpara, duke vënë lajmërime të tilla në stacionet e këtij metropoli apo në vendqëndrimet e autobusëve. Dhe kjo, pasi Shërbimi i Sigurisë Britanike, i njohur me shenjën MI5, paraqet një nevojë dramatike për t‘u forcuar. Janë të paktën 200 celula ekstremiste dhe 1.600 terroriste, të cilat, sipas burimeve zyrtare të Britanisë së Madhe, po projektojnë sulme ndaj Mbretërisë së Bashkuar.

Dhe ndërkaq, agjentët të cilët duhet të jenë në gjuajtje të tyre, janë të pakët në numër: vetëm 3 mijë. Kështu që, objektivi i paraqitur për t‘u përmbushur me çdo kusht nga shteti britanik, është ai i shtimit të numrit të këtyre agjenteve me rreth 500 të tilla. Dhe që skuadrat britanike të arrijnë të futen në ato të terroristëve, nevojiten patjetër agjentë të zotë dhe në mënyrë sa më të miksuar, që të mos bien në sy. Pra, jo vetëm shtetase britanike, por edhe të kombësive të tjera, kryesisht atyre aziatike, të cilat të njohin mentalitetin dhe gjuhët përkatëse. Por, në kërkim të talenteve femërore për të qenë agjente, Shërbimi Sekret Britanik, MI5, ka gjetur tashmë një konkurrent, i cili po ia merr të gjitha: Shërbimi Sekret Inteligjent, i cili vepron jashtë vendit dhe i njohur si MI6: Agjencia e James Bondit. Dhe për të gjetur sa më shumë njerëz, Bond ka vendosur në faqen e tij të internetit edhe një sektor të titulluar "Women in SIS" - ("Gra në Shërbimin Sekret"), i cili premton që të jetë një mik familjar. Në kontratën përkatëse me femrat është parashikuar një trajtim shumë i mirë dhe me një pagë deri në 12 muaj të periudhës së pritjes. Për ta bërë sa më bindëse akoma edhe më shumë situatën, MI6 ka futur brenda kësaj faqeje edhe dëshminë e një agjenteje, të koduar Izabela, e cila tregon: "Jam futur në Shërbimin Inteligjent vetëm 10 vjet më parë, kur kisha edhe një fëmijë.

Selia e qendrës sime ishte në një vend aziatik dhe atje më ka shoqëruar edhe burri im. Kur u ktheva në Londër, më caktuan për sesionin e Lindjes së Mesme dhe kam punuar me orar të përgjysmuar, katër ditë në javë, në mënyrë që të kisha sa më shumë kohë për t‘ua dedikuar fëmijëve". Por nuk mjaftohet me kaq. Ajo tregon edhe se është përdorur si një karrem mjalti. Ndërkaq, përshtypja se Shërbimi Sekret kërkon të përdorë femra vetëm që ato të joshin të tjerët dhe t‘i marrin sekretet nën çarçaf, sipas këtij institucioni është e gabuar. "Absolutisht jo. Shërbimi nuk përdor taktika të tilla", theksohet në njoftimin përkatës. Duke shtuar se nuk pajton njerëz në punë as për të vrarë, apo përndjekur ndokënd. Në këtë mënyrë, ai i qetëson të gjitha femrat, të cilat kanë frikë se nëse do t‘i hyjnë kësaj valleje, do të kenë shqetësime morale, etike apo edhe njerëzore. Ndërkaq, fushata e dy agjencive të ngjashme me atë të Shërbimit Sekret Britanik, nisi menjëherë pasi në "Financial Times" u publikua një studim i realizuar mes 44 studentëve, i cili tregonte se shërbimi në BBC, mblidhte preferencat e shumicës së tyre.

Kështu, radio-televizioni publik britanik, arriti të grumbullonte 18.9 për qind të preferencave. Ndërkaq, Shërbimi Shëndetësor kombëtar përfshinte preferencat e 11.2 për qind të tyre, ndërsa Shërbimi Sekret Britanik, pëlqimet e 8.4 për qind të të rinjve, të cilët në këtë mënyrë shprehnin dëshirën se donin të bëheshin agjentë sekretë menjëherë pas studimeve të tyre. Të bëhesh një agjent i tillë është në dëshirën e rreth 12.8 për qind të studentëve britanikë. Shumë prej tyre shpreheshin se është gjë e bukur të gjendesh mes një operacioni kolegësh dhe dikush të thotë: "Unë po shkoj te fëmijët, se ti duhet ta dish që unë punoj me orar të përgjysmuar". Por të rinjtë britanikë shtojnë të çuditur edhe faktin nëse "Al-Kaeda" është kaq e ndjeshme ndaj nevojave të familjes, kur projekton të hedhë njerëz në ajër ... Mata Hari, arketipi i femrës spiune Balerina holandeze, modeli i femrës spiune ekzotike dhe joshëse, u arrestua në Francë dhe u pushkatua në vitin 1917. Femra më e famshme në historinë e spiunazhit ka qenë Mata Hari.

Enigmatikja Mata Hari, e cila u godit nga plumbat e ekzekutuesve të saj në tetor të vitit 1917, qe shumë larg karakterit të vajzës holandeze të lindur më 7 gusht 1876 në Leenvarden, me emrin Margaret Gertrude Zele. Pas një martese të dështuar dhe gjithë probleme, ajo kthehet në Mata Hari, një emër skenik që e kishte krijuar dhe që do të thoshte "Sytë e mëngjesit". Mata Harit iu vu numri agjenturor gjerman "H.21", ku prefiksi H, siç u mësua më vonë nga kundërzbulimi aleat, qëndronte për spiunët e rekrutuar para gushtit 1914. Kur filloi lufta në vitin 1914, Mata Hari ishte një spiune me përvojë për Gjermaninë, një vend të cilin ajo e adoptoi për atdhe. Por kjo u zbulua nga francezët, të cilëve u kishte premtuar gjithashtu bashkëpunim. Në këto kushte, ata morën vendim pas një gjyqi të posaçëm, që ta pushkatonin.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama