Sekretet e martesave te artisteve me te famshem

Sekretet e martesave të artistëve më të famshëm

Dhe, megjithëse dëgjon më shumë për divorcet e yjeve të Hollivudit, ka dhe nga ata që jetojnë të lumtur prej vitesh. Por cili është sekreti? Për Pierce Brosnan, "James Bondin" e famshëm, ai është romanticiteti. Sipas aktorit të njohur, përditshmëria nuk duhet të bëhet rutinë në marrëdhënien në çift. Po kështu duket edhe për këngëtarin Clint Black dhe aktoren Lisa Hartman. "Ne mbajmë shumë qirinj në dhomën tonë të gjumit. Dua që gjithmonë të jemi si në muaj mjalti", thotë këngëtari i famshëm country. Ndërsa për aktoren Kelly Preston, bashkëshorten e John Travoltës, sekreti qëndron në të ndarit gjithçka. "Ne flasim për çdo gjë. Ne rritemi dhe ndryshojmë me njëri-tjetrin". Melanie Griffith thotë se duhet t'ia bësh bashkëshortit apo bashkëshortes të ditur faktin se je e lumtur. Dhe duket se kjo funksionon me Antonio Banderas, i cili e adhuron buzëqeshjen e bashkëshortes së saj, Melanie. Megjithëse kanë kaluar shumë probleme me alkoolin e të tjera, çifti Banderas, duket vërtet një çift i lumtur.

Këngëtarja Faith Hill tregon se kurrë s'duhet qëndruar duarkryq në një martesë. Gjërat nuk ecin vetë, por vetëm me kujdes e me përkushtim. "Bashkëshorti im dhe unë kemi rënë dakord për diçka; që martesa jonë është gjëja më e rëndësishme", thotë Hill, e martuar prej 11 vitesh me Tim McGraw. Edhe Tom Hanks dhe Rita Wilson vlerësojnë tolerancën mes tyre, gjë që i ka bërë më të dashur dhe më "bashkëpunues" në martesën e tyre. Disa sekrete që i rrëfejnë artistët e famshëm, për t'u dhënë kurajë çifteve e për t'u kujtuar se atyre, edhe pse i kanë të gjitha gjërat fjollë, u duhet të dedikohen për të mbajtur martesën e tyre. Gjithashtu, do lexoni edhe historitë e dashurive të tyre. Në pjesën më të madhe të rasteve ata janë njohur gjatë kohës kur kanë qenë duke luajtur ndonjë film. Antonio Banderas ka deklaruar se ka qenë fans i madh i Melanisë, ndërkohë që kjo e fundit, s'kishte parë asnjë film të Antonios derisa luajtën bashkë në "Two Much", ku edhe ranë në dashuri me njëri-tjetrin. Historia e dashurisë së Christina Aguileras dhe Jordan Bratman-it është interesante gjithashtu. Propozimi që i bëri producenti, është shënuar si një nga më të bukurit në historitë e artistëve. Në një dhomë të mbuluar me petale, çdo kuti dhurate kishte nga një poezi të shkruar nga Bratman për Christina-n. Në të fundit ishte unaza e martesës, e cila i bashkoi ata për jetë. Por ndërsa këta janë nga çiftet më të reja, Joanne Woodward dhe Paul Newman shënojnë rekordet e martesave në Hollivud. Idhujt e viteve '60-të, janë martuar në vitin 1958 dhe jetojnë shumë të lumtur bashkë.

Pierce Brosnan & Keely Shaye Smith

“Unë e adhuroj romanticitetin: I sjell çdo ditë Keely-t mëngjesin në krevat mbi një tabaka me një lule të vetme nga kopshti ynë. E kam bërë këtë që ditën e parë që kemi filluar lidhjen tonë dhe vazhdoj ta bëj”. Kështu thotë, “James Bond” i martuar me Keely Shaye Smith. Pierce Brosnan u martua me Keely më 4 gusht të vitit 2001, në Irlandë, në një kishë 800-vjeçare. Dasma e tyre ishte larg aparateve dhe kamerave të gazetarëve. Ajo ishte një festë familjare dhe çifti kishte punësuar oficerë sigurie për të mbajtur fansat dhe gazetarët larg. Çifti kishte planifikuar të martohej në maj, por data u shty për shkak të një aksidenti që i kishte ndodhur djalit të Brosnan. Çifti ishte fejuar që në nëntor të vitit 1999.

John Travolta & Kelly Preston

“Duhet të vazhdosh ta mbash martesën. Ne flasim për çdo gjë. Ne rritemi dhe ndryshojmë me njëri-tjetrin, sepse asnjëherë asnjë gjë nuk qëndron njësoj. Duhet të vazhdojmë të ndryshojmë”. Ky është sekreti i martesës së aktorit John Travolta me aktoren Kelly Preston. Ata u takuan gjatë filmit “The eksperts” dhe ranë në dashuri me njëri-tjetrin. Janë martuar dy herë me njëri-tjetrin po në vitin 1991. Dasma e tyre e parë, më 5 shtator të vitit 1991, u deklarua ilegale, prandaj çifti u martua sërish. Ata kanë dy fëmijë.

Melanie Griffith & Antonio Banderas

“Bëja të ditur atij se je i lumtur. Unë qesh gjithmonë kur shoh atë. Ai gjithmonë e di sa drithërohem kur jam me të”. Këtu e bazon suksesin e martesës së saj, aktorja Melanie Griffith. Ajo është martuar me aktorin e famshëm, Antonio Banderas, në vitin 1996. Janë njohur bashkë, duke luajtur filmin “Two Much” dhe pas filmit u lidhën bashkë. Megjithëse Griffith kishte probleme serioze me alkoolin, Banderas shprehet se ai e dinte se ajo do i kalonte këto probleme. Jeta e tyre martesore, edhe pse e paragjykuar nga media si me fund të shkurtër, deri më tani rezulton e suksesshme.

Faith Hill & Tim McGraw

“S’mund të rrish duarkryq. Bashkëshorti im dhe unë kemi rënë dakord për diçka; që martesa jonë është gjëja më e rëndësishme. Ne respektojmë atë çfarë kemi dhe kuptojmë se si kemi nevojë ta ushqejmë atë”. Këngëtarja e famshme, Faith Hill dhe bashkëshorti i saj, gjithashtu këngëtar, Tim McGraw janë martuar që më 10 qershor të vitit 1996 bashkë tre fëmijë. Ata janë njohur gjatë një turi ku këndonin të dy dhe shumë shpejt vendosën të fejoheshin. Që prej martesës së tyre, Hill dhe McGraw nuk kanë qëndruar më shumë se tri ditë rresht të ndarë nga njëri-tjetri. Ata kanë tre vajza, Gracie Katherine, të lindur në vitin 1997, Maggie Elizabeth (1998) and Audrey Caroline (2001).

Joanne Woodward & Paul Newman

“Pasioni dobësohet dalëngadalë, dhe bukuria zbehet. Por të jesh e martuar menjë burrë që ju bën të qeshë çdo ditë të vitit, ah kjo është vërtet një kënaqësi e madhe”. Sipas aktores Joanne Woodward, ky është sekreti i martesës së saj me aktorin e famshëm, Paul Newman. Dy aktorët amerikanë cilësohen si çifti me martesë më të gjatë në Hollywood. Janë martuar që më 29 janar të vitit 1958, dhe kanë në CV-të e tyre një listë pa fund me filma ku kanë luajtur. Çifti Newman ka një fëmijë. Ajo quhet Lisa dhe po ashtu si prindërit e saj, është aktore.

Hugh Jackman & Deborra-Lee Furness

“Unë s’u futem më aventurave të rrezikshme siç bëja para se të martohesha. Nuk luaj më regbi, bëj joga. Dua të jem i sigurt se do kthehem në shtëpi tek bashkëshortja ime dhe djali im”. Aktori Hugh Jackman është martuar me aktoren Deborra-Lee Furness në prill të vitit 1996. Ata janë takuar në punën e parë të Jackman, Correli, një program televiziv autralian. Jackman luante rolin e një të burgosuri të ashpër që bie në dashuri me avokaten e saj, që ishte Furnnes. Ai ra në të vërtetë në dashuri dhe bashkë u martuan. Pas pamundësisë për të pasur fëmijë bashkë, çifti adoptoi një djalë, Oscar Maximillian dhe më vonë një vajzë, Ava Eliot. Aktualisht jetojnë në Melbourne. Jackman e dizenjoi personalisht unazën që i dhuroi Furness për martesë.

Tom Hanks & Rita Wilson

“S’ka asnjë lloj zëvendësimi për një dashuri të madhe që thotë: Pavarësisht se çfarë gabimesh ke bërë, ti je i mirëpritur në këtë tavolinë”. Kjo është deklarata e Tom Hanks për dashurinë dhe martesën me aktoren e njohur, Rita Wilson. Pas 19 vitesh si një çift i suksesshëm i Hollivudit, aktorët e njohur nuk tregojnë asnjë lloj lodhjeje me njëri-tjetrin. Ata janë takuar në vitin 1981, por vetëm shtatë vite më vonë do t’i thoshin “po” njëri-tjetrit. Në 30 prill të vitit 1988 ata u martuan dhe tani kanë dy fëmijë, Chester dhe Truman. Çifti është shumë aktiv në aktivitetin e bamirësive, shpesh duke organizuar edhe fonde që përfshijnë çifte të tjera të Hollivudit.

Michelle Pfeiffer & David E. Kelley

“Ne kujdesemi për martesën tonë. Është e nevojshme të shpenzosh kohë larg fëmijëve tanë dhe të qëndrosh zgjuar deri vonë e të bisedosh, të shkosh në kinema apo të zgjidhësh fjalëkryqe bashkë. Bashkëshorti im dhe unë akoma vazhdojmë të kemi takimet tona të darkës dhe unë përgatitem gjithë javës për to”. Ky është sekreti i martesës së aktores Michelle Pfeiffer dhe producentit të televizionit, David E. Kelley. Ata janë martuar në mars të vitit 1993. Në këto vite, Michelle Pfeiffer është angazhuar pak në kinematografi, pasi i është përkushtuar fëmijëve të saj dhe familjes. Por kohët e fundit ajo ka deklaruar gjatë një interviste, se tani do rifillojë aktrimin.

Clint Black & Lisa Hartman

“Ne mbajmë shumë qirinj në dhomën tonë të gjumit. Dua që gjithmonë të jemi si në muaj mjalti”, thotë këngëtari Clint Black, i martuar me aktoren Lisa Hartman në 20 tetor të vitit 1991. Edhe pse ata janë rritur që të dy në Houston, kanë kënduar në klubet e qytetit, rrugët e tyre nuk janë takuar aty. Por në New York, në një mbrëmje të vitit të ri në prapaskenën e koncertit të Clint Black. Që nga janari deri në gusht të vitit 1991, ata e shikonin njëri-tjetrin gjatë kohës nëpërmjet filmave të Lisa-s, dhe nëpërmjet tureve të Clint. Ky i propozoi në shtator dhe u martuan në një fermë jashtë Houston. Kënga e kompozuar enkas për martesën e tyre “Kur thashë po”, dhe e kënduar nga të dy ata, u kthye në një hit jo vetëm për ta, por edhe për publikun. Për këtë arsye ajo fitoi edhe çmim.

Christina Aguilera & Jordan Bratman

“Duhet ta mbash martesën gjallë, t’i japësh ngjyrë asaj....Ne kemi diçka që quhet e diela lakuriqe. Nuk kemi nevojë të shkojmë gjëkundi, ne jemi aty ku kemi njëri-tjetrin. Çdo gjë e bëjmë lakuriq. Ne gatuajmë lakuriq”. Ky është sekreti i martesës së këngëtares së famshme Christina Aguilera dhe producentit, Jordan Bratman, të martuar së bashku në vitin 2005. Në një intervistë për Ellen DeGeneres, Christina ka rrëfyer sekretin e martesës së saj. Propozimin për martesë, Aguilera e mori në shkurt të vitit 2005, kur çifti ishte në Californi në një dhomë hoteli të mbuluar me petale, tullumbace dhe kuti. Secila prej tyre kishte nga një poezi të shkruar nga Jordan, ndërsa e fundit unazën e marteses.


Dorina Topallaj : Gazeta TiranaObserver


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama