Publiku i sotëm e prek si një veprimtari të gatshme, të lehtë në përdorim, herë për arsye gazmore apo kalim kohe, e herë për një dokumentim të rastësishëm të çastit në kohën e pafund. Dhe absolutisht, artisti e përdor për të arritur pasqyrimin më të vlerë artistik të këndvështrimit vetjak përkundrejt zbulimit të së panjohurës që mbartet te fenomenet dhe objektet që na rrethojnë. Pas viteve `90, artisti shqiptar tregoi se jo vetëm e ka kuptuar një funksion të tillë, por i ka dhënë shanse publikut shqiptar të përftojë vlera të konsoliduara fotografike. Në Shqipëri këtë e kanë faktuar pjesëmarrjet dhe ekspozimet e suksesshme në veprimtaritë "Onufri", "Marubi" dhe veprimtaritë e Institutit Bashkëkohor të Artit në Tiranë, si dhe dhjetra veprimtari të artistëve bashkëkohorë shqiptarë, të cilët ekspozojnë jashtë vendit krijimtarinë e tyre në fotografi dhe video.
Dhe natyrisht, shkencëtari e përdor në mënyrë të pashmangshme dhe rutinë për të faktuar figurën e njëpasnjëshme gjatë procesit të transformimit, të përmirësismit, apo të shkatërrimit tënjë fenomeni apo objekti.
Pak histori. Lindja e fotografisë është një nga ngjarjet historike të zhvillimit të shoqërisë njerëzore. Është e vërtetë se u shfaq si objekt i parë i prekshëm në vitin 1826, kur pas 8 orë ekspozimi zhvillues, Nicephore Niepce prodhoi imazhin e parë të fotografisë. Por fotografia do të shfaqej si rezultat i kombinimit të disa zbulimeve në fushën e teknikës dhe shkencës, gjurmët e së cilës janë shumë më thellë në vitet e zhvillimit të mendjes njerëzore. Më thelbësoret janë shpikja e dhomës së zezë prej Ibn al-Haytham (965-1040), zbulimi i nitrat argjendit nga Magnus (1139-1238), zbulimi i klorid argjendit nga Fabrikus (1516-1571), zbulimi i diagramës në 1568 prej Barbaro, zbulimi i efekteve fotokimike nën efektin e dritës, në 1694, prej Homberg, dalja në publik i librit të llojit fiktion i La Roche (1729-1774), ku ai shkroi rreth asaj se çfarë mund të quhet fotografi dhe zbulimi i gjurmëve të para të fotografisë moderne me zhvillimin në rrugë kimike të fatogafisë në vitin 1820. Historia moderne botërore mendon se shpikja e fotografisë fillon me Niepce.
Ai vdiq më 1833, por Daguerre vazhdoi punën e tij dhe më 1839 shfaqi degerotipin apo zhvillimin e fotografisë me pllakë të argjenduar, gjë të cilën e kishte provuar edhe Florens në vitin 1832 dhe e kishte emëruar procesin "Photographie". Më tej procesi i saj zhvillohej me arritje të reja teknike nëpërmjet një konkurrence here sekrete e herë të shpallur ndërmjet Herchel, Talbot dhe Daguerre, të cilët filluan të përdornin termat kalotip, cianotip, bluprint, fotografi, negativ, pozitiv, fikso shkrepjen, qelqet negative e pllaka fotografike prej qelqi. Dhe së fundi në vitin 1884 përpjekjet teknologjike të zhvillimit të imazhit në film prej Eastman zvendësuanpllakat fotografike,derisa sot e drejtojnë zhvillimin e saj teknologjitë e fimave dixhitalë e gjithmonë të kamerave. E rëndësishme është të thuhet fort se në Shqipëri fotografia e parë u krye në vitin 1858 prej Marubit, gjë e cila tregon se fotografia ishte çudia që kishte pushtuar të gjithë njerëzimin. Gjithsesi, në vendin tonë, për arsye objektive dhe fatkeqe, zhvillimet e saj nuk ecën në rrugët paralele me vendet e tjera.
Tendencat.
Deri në fund të shekullit XXndërgjegjësimi, për kohën e gjatë të përpjekjeve të bëra nga njerëz pasionantë, për këtë arritje sa shkencore dhe aq artistike, është arritur. Ndërsa ende mbi kryet e historisë së njerëzimit mbetet e thënë pyetja: është fotografia një proces i sofistikuar shkencor apo një proces emocional artistik? Ky është një problem ende i papërfunduar ndërsa situata e të menduarit pozitiv mbetet te ideja e përgjithshme se ajo është arritje e të dy veprimtarive të ndritura të mendjes së njeriut, e cila e ka shtuar interesin e përdorimit si te shkencëtarët, për të dokumentuar lëvizjet studimore ashtu dhe te artistët, që janë të interesuar të pasqyrojnë realitetin si një lëvizje piktorialiste nëpërmjet foto-mekanizmit. Në këtë arsye, në mënyrë të suksesshme, fotografia u cilësua si art që në shekullin XIX në periudhën Viktoriane. Dhe në shekullin XX ajo u bë objekt i kuratorëve dhe subjekt i sistemit të galerive e muzeve të artit. (Kjo situatë u shfaq në Shqipëri vetëm pas viteve `90 dhe bumi i saj ishte organizimi i sukseshëm i Veprimtarisë Ndërkombëtare të Fotografisë "MARUBI").
Të dyja së bashku, fotografia si art dhe ajo dokumentare u pranuan nga bota e artit. Ekspozimet e para treguan se arti i fotografisë përpiqej të imitonte stilet e pikturës dhe për këtë estetët e artit e quajtën lëvizjen piktorializëm. Piktorializmi kishte një fokus fotografimi të butë, ëndërrimtar dhe kryesisht personazhi apo subjekti i fotografuar shfaqej romantik. Menjëherë reagoi Grupi f/64 me një fotografi të "fortë" dhe "fokus të mprehtë" dhe parimi i artistëve të tij ishte se: fotografia është një send në vetvete dhe jo imitimi i një diçkaje tjetër. Në Shqipëri, edhe pse fotografia ekzistonte dhe ekziston, estetizime dhe teori të tilla as nuk mund të mendoheshin. Ende dhe tani më së shumti studiues të saj mundohen të sistemojnë, të grupojnë dhe të njohin në thellësi krijimtarinë fotografike sidhe të promovojnë autorët e saj. Në këtë arsye duhet përmendur si një kontribut i rëndësishëm libri "Fotografia, një grusht diell" i studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni si dhe dhjetëra e dhjetëra artikuj të tij. Kjo tregon për një fillim të mirë, që kërkon mbështetje.
Gjatë këtij shekulli prurjet dhe arritjet e fotografisë ishin të mëdha dhe pushtuan shumë vende të botës. Veçanërisht në vitet `70 u hapën galeri që ekspozojnë vetëm fotografi dhe shumë galeristë menduan se është e denjë për t'u ekspozuar në sallat e muzeve. Gjithashtu menduan se do të ishte jo vetëm kënaqësi, por dhe domosdoshmëri për publikun të ekspozoheshin së bashku si fotografia dokumentuese, e ajo e shtypit ashtu dhe fotografia si art. Kjo i dha asaj një zhvillim të paparë si në drejtimet krijuese ashtu dhe stilet realizuese. U shfaq nudo, portreti, peizazhi, brenditë e kompozimet. (Në Shqipëri janë bërë përpjekje të mira për ta pranuar fotografinë Art, por ekspozimi i saj zë një vend shumë të paktë, ndërkohë që për galeri apo muze, objekti i të cilëve të jetë fotografia dhe ekspozimi i saj në vazhdimësi kuratoriale, as që bëhet fjalë). U përzgjodh të ekspozohej si memorje fotografia e dokumentit dhe e shtypit duke përfshirë këtu kohën dhe vendin e shkrepjes, ekspozimin për herë të parë dhe rëndësinë e faktit të ruajtur, si dhe hynë në konkurrim, me të gjitha parametrat krijues, fotografitë e mbështetura në konceptin estetik të artistit si individ fotograf dhe të konceptit estetik të kuratorit mbi artistin si individ apo dhe të artistëve në grup. U ekspozuan fotografi të realizuara me një shkrepje të shpejtë e të improvizuar (fresh eyes) dhe të tjera të realizuara nën një kërkim estetik (snapshot aesthetic approach).
Ky fenomen zuri vend në Shqipëri vetëm në veprimtarinë "MARUBI", e cila pati disa edicione të arrira, por që nuk po zhvillohet më. Dhe nuk mund të përjashtohen ekspozime sporadike të sugjeruara nga pasionantë, gjëe cila nuk do të thotë se e kemi kryer detyrën ndaj fotografisë. Në vitet `80 të shekullit XX fotografia me ngjyra u bë preferencë e artistëve dhe sundoi mbi fotografinë bardhë e zi. Vlefshmërisë së saj i dha forcë kuratori Szarkoëski, i cili e konfirmoi këtë në MoMA, në vitin 1976. Ishte po MoMA që i dha fotografisë vendin e parë ndërmjet arteve të bukura. Gjithsesi kjo nuk është aspak një ide absolute, por një fakt mbi rëndësinë e fotografisë si art. Ndërmjet fundit të shek. XX dhe fillimit të shek. XXIprintet delikate të fotografive, të vogla, të vendosura në korniza fine shfaqen shumë rrallë. Vendin e tyre e kanë zënë printet me përmasa të mëdha dhe shpesh herë me shkëlqim të një shkalle të lartë të sipërfaqes së tyre. Gjithashtu tendenca e artistëve të sotëm është drejt përjashtimit të vendosjes së fotografive në kornizën me xham. Tentojnë drejtprintimeve të fotografive mbi materialin e kanavacës me dimensione murore (të mëdha). Në ditët e sotme po zhvillohet një drejtim, i cili kushton kujdes shfaqjes dhe papritshmërisë së fotografisë më shumë se sa zbulimit të mënyrës së bërjes së saj. Një tjetër drejtim në të cilin janë drejtuar fotografët është preferenca ndaj high-end-it të fotografisë me kamera dixhitale. Kjo ka bërë që të shfaqen disa tensione ndërmjet artit të artistëve fotografë dhe artistëve me kamera. Teknika e fotografimit dixhital dhe fotoshop-i kanë filluar të popullarizohen në masën e gjërë të njerëzve, duke rritur numrin e amatorëve dhe të imitatorëve. Imazhi dixhital, si një imazh elektronik, si një medium me shkallë të lartë manipulimi, me shpejtësi, po zëvendëson fotografinë me film, të zhvilluar gjatë proceseve kimike dhe si një medium me rezistencë të madhe ndaj manipulimeve në sheshin e konsumatorëve amatorë dhe në tregun profesional.
Nga ky masivizim përjashtohen artistët fotografë me syrin e edukuar, të cilët përjashtojnë kategorikisht dixhitalin manipulues dhe përdorin me "fanatizëm" proceset e fotografimit të vërtetë. Sot procesi teknologjiko–artistik i fotografimit ndahet në dy ekzistenca të gjëra. Në ekzistencën e fotografisë komerciale dhe në ekzistencën e fotografisë si formë e artit, ku në të dy grupet e mëdha zë vend fotografia e dokumentacionit dhe e medias.Secila prej tyre ka nëngrupe. Kjo tregon për gjërësinë e shpërndarjes së fenomenit fotografi, por dhe të mundësive të mëdha që teknika e saj jep drejt iluzionit të abuzimeve. Kjo nuk do të thotë se abuzimet e saj do të superojnë syrin e edukuar të artistit fotograf. Kam idenë se do ta bëjnë atë më të sofistikuar dhe më artistik, duke i dhënë figurës fotografike forcën e aktit artistik dhe vlerën e këndit të papërsëritshëm. Të gjitha këto tendenca teknike prekin dhe fotografinë dhe fotografinë Art në Shqipëri, pasi artistët e rinj apo ata me syrin e edukuar nuk mund të presin hapin e vonuar të zhvillimit të sistemit të artit edhe pse janë të përfshirë në amullinë e një mjedisi herë megalloman e herë nënvleftësues.
Ekspozimi më i fundit i fotografisë Art.
Ekspozimi më i fundit i saj po ndodh në Galerinë Kombëtare të Artit në Kanadasë, në Ottava. Nuk ka shumë ditë që është hapur ekspozita "Fotografët Modern". Krijimtaria e tyre përfshin vitet 1900-1940 dhe artistët janë me kombësi franceze, austriake, ruse, italiane dhe amerikane. Janë Eugene Atget, Margaret Lange, Lisette Model, Aleksander Roofchencho dhe Edward Weston. Është interesant fakti se në grupin e artistëve ekspozojnë dy fotografe shumë të njohura në fushën e këtij arti. Nga krijimtaria e njërës prej tyre Lisette Model (me baba italiano-austriak dhe mjek, i cili abuzoi seksualisht me Lisette-n, për arsye që ende nuk kanë dalë në dritë, me nënë katolike franceze, e martuar me piktorin francezo-ebre Evsa Model) ekspozohen vepra nga viti 1933 deri në vdekjen e saj në 1983. Në Shqipëri është fat që ka disa artistë, të cilët ekspozojnë krijimtarinë e tyre në fotografinë art, ndër ta dhe artiste tashmë të njohura, si Memaga, Muça, Nini, Martini. Gjithashtu është fat që njihet si një nga emrat e parë emri i një zonje të nderuar, Fotina Bodini Goro, nga Himara, e shoqja e Jani Pano Goro-s, e cila ka studiuar në Francë, që ka ushtruar shkrepjet dhe marrjet me kamera fotografike, por nuk është fat që ende publiku nuk e njeh krijimtarinë e saj në mjedise ekspozimi.
Suzana Varvarica Kuka : Gazeta Shekulli











