Bojken Lako rikthim ne vitet 30

Bojken Lako, rikthim në vitet 30

“Jeto sot këtë ditë” është një krijim që mund të cilësohet eksperimental, jo vetëm për faktin që është shumë larg rrymave të rrokut, me të cilat jemi mësuar ta shohim Bojkenin deri tani, por edhe se është e mbështetur në motivet e një këngë popullore të kënduar nga Tefta Tashko Koço. Jo më kot, imazhi i këngëtares sonë të madhe shfaqet edhe në videoklipin, që shoqëron këtë këngë. Bëhet fjalë për një klip shumë pak të kushtueshëm dhe që është realizuar me bashkëngjitjen e disa materialeve arkivore të Bojkenit në vite, duke paralelizuar imazhin e tij me ndryshimet në kohë. Por nga sa tregon vetë Bojkeni lindja dhe lançimi i kësaj kënge nuk janë aspak rastësore. “Jeto sot këtë ditë” do të shoqërohet edhe nga krijime të tjera muzikore, të mbështetura në motivet e këngëve qytetare të kënduara nga emra të njohur artistësh të viteve ’30, si Tefta Tashko Koço, Marije Kraja dhe Kristaq Antoniu. Janë 10 këngë të krijuara mbi këto motive, por kompozime të reja dhe gjithashtu me tekste të reja, që do të jenë pjesë e albumit, që Bojken Lako do të nxjerrë në fund të vitit. Por cila është arsyeja që Bojkeni për pak kohë i largohet rrokut dhe provon një tjetër rrymë. Plotësimi i karakterit artistik është një prej arsyeve. “Ky krijim dhe krijimet që do të vijojnë janë një përpjekje për të gjetur veten artistikisht dhe aspak një mënyrë për të tërhequr vëmendjen”, tregon ai, duke shtuar njëkohësisht se materialet kanë vlerë edhe për t’u bërë të njohura nga publiku shqiptar, e sidomos nga të rinjtë, që i njohin shumë pak këta kolosë të muzikës sonë. E megjithatë, dalja e kësaj kënge nuk shënon të vetmin rikthim të Bojken Lakos në skenë.

Marre nga : Gazeta Panorama

I impenjuar prej kohësh me projektet artistike në “Top Channel”, duket se këtë verë këngëtari ka menduar më shumë për prezantimin e tij skenik. Ai së bashku me dy anëtarët e grupit, me të cilët punon, Heldi Krajën dhe Fabian Asllanin, do të hapin koncertin që lëvizja “Mjaft” organizon në qytetin e Durrësit në datat 20 dhe 21 korrik. Janë i vetmi grup shqiptar, pjesëmarrës në këtë koncert, në krah të “Apollo 440”, kosovarëve “Asgjë sikur dielli”, Sky solistes së grupit të njohur “Morcheba”, etj. Në fakt, Bojken Lako është protagonist edhe i dy koncerteve të tjera të “Mjaft” dhe kjo për arsyen sepse e sheh si një nga të paktat aktivitete ku u jepet mundësi veçanërisht artistëve të muzikës rrok. Ndërkohë gjatë gjithë verës, këngëtari dhe dy anëtarët e tjerë të grupit do të jenë të impenjuar në një turne koncertesh në disa nga qytetet kryesore të vendit, si në Vlorë, Durrës Gjirokastër, por edhe jashtë Shqipërisë në Maqedoni e Kosovë. “Ky turne koncertesh zhvillohet për të mbajtur kontaktet me publikun dhe do të këndojmë gjithë repertorin”, përfundon Bojkeni. Gjithsesi shtatori vjen me synime të tjera, për të organizuar një festival rroku, në mënyrë që kjo muzikë të humbasë në Shqipëri.

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama