Goditjet nga dielli si mund te parandalohen

Eshtë e vërtetë që gjatë stinës së verës ndodh shpesh të shfaqen probleme të luhatjes së tensionit të gjakut, me tendencë ulje të tij. Arsyeja kërkohet te ndryshimet e parametrave klimaterike, që tentojnë të “pasqyrohen” dhe në tensionin e gjakut, por dhe humbja e kripërave minerale nëpërmjet djersës. Zgjerimin e enëve periferike dhe qarkullimin e gjakut me pasojë uljen e presionit të gjakut. Kjo është arsyeja që gjatë kësaj stine, hipertonikët nëse tregohen të kujdesshëm, nuk kanë probleme me tensionin e lartë. Shpesh tensioni i ulët nuk konsiderohet një sëmundje, por tani në stinën e nxehtë, ulja e tensionit mund të çojë në shfaqjen e aritmisë dhe rrahjeve të shpejta të zemrës, por mund të ndodhë që një ulje e menjëhershme e presionit të gjakut të shkaktojë gjendje të fikëti dhe personi të humbi vetëdijen.

Kush janë të predispozuar të shfaqin probleme me luhatjen e tensionit tani në stinën e verës?

Gati të gjitha grupmoshat mund të shfaqin të tilla probleme: të rinjtë, personat që nuk kanë vuajtur ndonjë herë nga ndonjë sëmundje, por dhe të sëmurët kronikë dhe të moshuarit. Natyrisht më të predispozuar janë të sëmurët me zemër, të moshuarit dhe ata që kryejnë aktivitet të gjatë fizik në ambiente me temperatura të larta ose qëndrojnë për një kohë të gjatë në diell.

Në rast se shfaqen këto probleme, çfarë mund të bëhet për të qetësuar të sëmurin?

E para që duhet të bëhet në këto raste është vendosja e pacientit të ambiente të freskëta dhe në pozicion shtrirë, derisa të qetësohet. Rekomandohet që këmbët të vendosen në lartësi më të lartë se trupi, në mënyrë që të lehtësohet qarkullimi i gjakut. Të sëmurit duhet t’i jepen lëngje dhe t’i vendosen kompresa më ujë të ftohtë. Nëse gjendja nuk qetësohet duhet bërë një konsultë me një mjek specialist. I sëmuri duhet të tregojë kujdes kur ngrihet, në mënyrë që të shmangen lëvizjet e menjëhershme, që shpesh shkaktojnë ulje të tensionit. Në rastet kur problemet janë më të rënda, rekomandohet trajtimi i hospitalizuar, marrje serumesh, etj.

Çfarë mund të bëhet për të parandaluar këto probleme?

Këshilla e parë është shmangia e dehidrimit. Për këtë rekomandohet pirja e sa më shumë lëngjeve, sidomos ato të pasura me kripëra minerale. Personat që kanë probleme të tilla duhet të shtojnë në meny kripë, në mënyrë që të kompensohet humbja nga djersa. Po ashtu rekomandohet shmangia e ekspozimit në diell në orët e pikut, sidomos te personat që vuajnë zakonisht nga tensioni i ulët, të qëndrojnë në ambiente të freskëta dhe të ajrosura mirë. Përveç këtyre duhet të vishen sa më lehtë në mënyrë që të lehtësojnë qarkullimin e gjakut, të mbajnë kapele dhe çadër. Ushqyerja luan një rol të rëndësishëm gjatë stinës së nxehtë. Kështu në këtë periudhë të vitit rekomandohet përdorimi i ushqimeve me kripë, në mënyrë që të ruhet ekuilibri elektrolitik, që mund të dëmtohet nga djersitja e madhe. Për këtë duhet të pihet shumë ujë, të eliminohen karbohidratet dhe sheqernat.

Aida Malaj : Gazeta Panorama


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama