Vertet kushtojne kaq pak pikturat shqiptare?!

Vërtet kushtojnë kaq pak pikturat shqiptare?!

Ndërsa një parti veprash arti shkonin në drejtim të Kinës, një parti tjetër pikturash, mbushte dikasteret me rastin e ardhjes së Presidentit amerikan. Ato janë shkëputur, pa ndonjë rezistencë të autoriteteve, rëndom siç ndodh në momentet e ardhjes së figurave të tilla të njohura...Patëm mundësi t’i kundronim pastaj, falë gafave, që na rezervuan televizionet, aty ku Abdyl Frashërit i thuhej Sami Frashëri dhe diku diçka tjetër për Zef Kolombit...Diku tjetër prehej piktura e Buzës, dukej si “Vallëzon Shqipëria” e kështu me rradhë. Por, me ligjin e ankandeve, sot, disa prej tyre, me këtë logjikë të lehtë marrje dhe me këtë vlerësim, ndoshta do të vijë momenti që të shiten me çmime jo reale dhe nga ana tjetër të ikin nga koleksionet vepra, që përbëjnë traditën më të mirë shqiptare.

Në problem
Duke u kthyer në problem, ekspozita e fundit, që është çelur këtë fillimjavë në Kinë, dhe që do të vazhdojë të mbetet e hapur deri më fundin e këtij muaji më 28 qershor ka nxjerrë vlerën reale, sesa vlejnë sot pikturat shqiptare. Kanë qenë plot 22 piktura, pjesë e koleksionit të Galerisë Kombëtare, që i takonin punimeve të artistëve të Periudhave të Rilindjes Kombëtare, të periudhës së Pavarësisë dhe Realizmit Socialist dhe një Ikonë e periudhës bizantine (ose më vonë). Pjesa tjetër e partisë së ekspozitës ka ardhur nga pjesa e koleksionistëve privatë dhe është realizuar nga autorët bashkëkohorë.
Veprat janë prezantuar me vlera reale, sepse siguracioni, që duhet të shoqërojë çdo vepër është gati 5 fishin e vlerës reale të një krijimi. Sipas burimeve të Galerisë, që janë cituar nga një e përditshme, veprat janë zgjedhur me formatin sa më të vogël. Kjo, jo më kot. Qëllimi ka qenë që të uleshin kostot dhe organizatorët janë munduar që të kenë vepra me përmasa sa më të vogla, në mënyrë që të edhe shpenzimet, që do i shoqëronin të ishin sa më të vogla...

Si dërgohet një vepër jashtë
E që të dish “kalvarin” për të proceduar- atëherë duhet të dish se ekspozita të tilla janë shumë të rëndësishme. Jo më kot, qeveria shqiptare ka gjetur kohën qoftë edhe në limitetet e një vizite të tillë si ajo e Zotit Bush, për të plotësuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Në fakt, procedura është e peshuar mirë: Fillimisht shkon një kërkesë në Ministrinë e Kulturës në mbështetje të një projekti të aprovuar dhe një organizimi të bërë nga kuratori për veprat që mendohet të lëvizin jashtë Shqipërisë apo dhe Galerisë. “Më tej, Ministria e Kulturës dërgon një shkresë në Ministrinë e Drejtësisë dhe më pas ajo e kthen në një kërkesë në Kryeministri. Eshtë mandej Kryeministria, që e përcjell në Ministrinë e Kulturës dhe më pas shkon aprovimi i saj në Galerinë Kombëtare të Arteve”, shprehet një nga specialistët për procedurat pranë Galerisë. Rrugë e gjatë por është e domosdoshme.

I vetmi problem është se pikturat që zbukuronin sallat me rastin e ardhjes së Bushit dhe me ardhjen e zyrtarëve të ndryshëm merren nga Galeria, kuptohet konform një rregulli, por pa asnjë mëdyshje. Nuk ka rezistencë. Qëllimi është thjesht prezantimi më i mirë para të huajve dhe këtu mbyllet gjithçka.
Jo më kot, tashmë lind pytja se nuk është e mundur vallë që Galeria dhe institucionet me fondet e tyre të ngrinin mundësira për të blerë punë apo që të krijoheshin porosi në mënyrë që të shpalosej historia e institucioneve përkatëse. Pak vite më parë, shumë nga institucionet kishin të gjitha mbi mure punët të sigluara nga një piktor, që e njihje sa futeshe në të njëtin dikaster. I vetmi ish-ministri Edi Rama e shpëtoi Dikasterin e Kulturës, kur implementoi fotot e Marubit në postera dhe i përshtati për idenë e tij.

Kush janë veprat që kanë shkuar
Vepra e artit bizantin “Shën Spiridhoni” ka qenë puna më e kushtueshme dhe kushton më shumë se të 22 pikturat e Galerisë. Ajo ka përmasa 62x37 centimetra dhe është e arrirë në realizimin e saj. Nga specialistët janë vlerësuar pikturat e Rilndjes dhe të Pavarësisë, ndërsa puna tjetra më e shtrenjtë, si mund të merret lehtë me mënd, është “Motra Tone” e Kolë Idromenos me 8 milionë lekë. Nuk kanë pasur ‘fat’ veprat e Realizmit Socialist, që kanë pasur çmime modeste. P.sh. “Nëna Labe” e Guri Madhit kushton 200 mijë lekë, ndërsa “Nëna Labe” e Nexhmedin Zajmit 600 mijë lekë. “Portret gruaje” e vitit 1938 nga Sofia Papadhimitri vlerësohet për 250 mijë, një punë e Zef Kolombit për 100,000 lekë. Një portret i Ilir Zefit më 1990 për 500 mijë lekë dhe një “Portret Vajze”, prodhim i vitit 1971, gati 800.000 lekë.

Si janë vlerësuar
Gati shtatë vjet më parë një komision i Galerisë së Arteve me atëhere drejtorin Gëzim Qendro dhe në përbërje të tij dhe me kuratorët Zana Varvarica Kuka dhe Ylli Drishti, në varësi të disa specifikave, ku ishin primare vlerat artistike, teknikat, periudhat, kanë caktuar vlerat. Veprat e artit bizanin dhe ato postbizantin kanë pasur vlerësimin më të madh, kurse të tjerat shumë më poshtë.

Ndaj është realisht një problem fakti se me daljen e ligjit të shitjes në ankand të veprave të artit me vlera “të zakonshme” duket se ka ardhur koha për të riparë mënyrën e vlerësimit të tyre. Duket se duhet shumë e shumë punë që të bëhet një ndarje sepse është shumë e vështirë në këtë realitet. Kjo dhe gjëra të tjera po sjellin mundësinë që të rishihen e gjithë politika për sa i përket gjërave të artit dhe ato të kurohen dhe të rishikohen me një kujdes të veçantë. Në një farë mënyrë realizimi i tyre ka treguar se shqiptarët, brënda artit të tyre, kanë treguar cilësi...që nuk duhet të zhgënjehen dhe në çmime.

 

Ben Andoni : Revista Mapo


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama