Nëntë vepra të regjisorëve të rinj do të ngjiten së shpejti në skenën e Teatrit Kombëtar. Projekti "Fondi publik për teatrin e të rinjve" ka shpallur dje fituesit, duke përzgjedhur nga 17 konkurrues vetëm nëntë regjisorë. Jan Calude Danud, Eugenio Ionesko, Acni Halili, Juan de Hartog, David Mamet, Morris Panych, Olsa Maze, janë autorët që do të ngjiten në skenën shqiptare nga regjisorët e rinj: Andja Xhunga, Inida Gjata, Enton Kaca, Romir Jakupi, Kled Kapexhiu, Sajmir SIna, Olsa Maze, Rovena Lule, Ledio Topalli. Juria që bëri seleksionimin e këtyre të rinjve ishte e përbërë nga drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami, aktorët Yllka Mujo dhe Ndriçim Xhepa, si dhe dy regjisorët Milto Kutali dhe Adonis Filipi. Një nga kriteret e përzgjedhjes ishte që të gjithë aplikantët duhet të ishin të diplomuar, gjë e cila la jashtë disa aplikues të tjerë. Juria ka vendosur që vlera maksimale e mbështetjes financiare për çdo projekt të jetë 600000 lekë. Sipas saj, shifra konkrete do të ndryshojë në bazë të numrit të aktorëve të çdo pjese.
Në njoftimin e shpërndarë dje nga Teatri Kombëtar vihej re një vlerësim që juria u bënte platformave regjisoriale të këtyre pjesëve, si dhe dramave të zgjedhura. Ajo çfarë vihet re te regjisorët e rinj fitues është zgjedhja që ata kanë bërë për të vënë në skenë emra të njohur të teatrit. Andja Xhunga zgjedh të ngjisë në skenë "Kazanova baby" një pjesë jo e lehtë e Jan Claude Danaud. Ndërsa Inida Gjata ,Eugenio Ioneskon me një nga pjesët e tij më të bukura dhe të vështira "Mbreti po vdes". Enton Kaca do të vejë në skenë "Udhëtimet e Lizës" sipas Migjenit, Kadaresë dhe Kutelit. Kled Kapexhiu ka zgjedhur Jan de Hartog me "Krevati". Sajmir Sina do të vejë në skenë "Kontrata" e Slovimir Mrozhek", Ledio Topalli Morris Panych me "Pjatalarësi". Rovena Lule "Perversitet në Çikago" e David Mamet. Osla Maze dhe Romir Jakupi kanë zgjedhur të vënë në skenë pjesë nga dramaturgjia shqipe. E para do të ngjisë një pjesë të shkruar vetë, ndërsa Jakupi një pjesë të Avni Halilit.
Nëse i bëjmë një përshkrim pjesëve të zgjedhura mund të themi se ato janë të autorëve që dominojnë sot në skenën teatrore. Interesant dhe të fuqishëm në mesazhet që mbartin këto vepra janë një rrugëtim i mirë drejt teatrit të këtyre artistëve të rinj.
Ky projekt i iniciuar nga Ministria e Kulturës, synon pikërisht afrimin drejt teatrit të artistëve të rinj, të cilët në skenën tonë i kanë shumë rrallë shanset të evidentohen. Pavarësisht çfarë do të sjellë ky projekt dhe sa do të mund këta të rinj, të sjellin në dimensionin e tyre real këta autorë të përzgjedhur, duhet mbështetur fakti se ka ardhur koha për t‘u dhënë më shumë mundësi të rinjve, në një kohë kur teatri vazhdon të jetë i kritikuar me metodat e tij të vjetra.
Marre nga : Gazeta Shqip











