Profesioni? Filozof i mllefosur!

Profesioni? Filozof i mllefosur!

Por, për ekzistencën e tyre rrallë dëgjohet, edhe më rrallë këto institucione zhvillojnë ndonjë aktivitet kulturor. Një rast i mirë për të treguar se ekzistojnë do të ishte shënimi së paku modest i 70-vjetorit të lindjes së filozofit francez André Glucksmann, i cili në 10 vjetët e fundit, e sidomos gjatë bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë së Slobodan Milosheviçit, ka qenë njëri ndër mbrojtësit më të mëdhenj të të drejtave të shqiptarëve duke bërë presion ndaj opinionit ndërkombëtar për ndërhyrje të shpejtë. Në kulmin e sulmeve të NATO-s në pranverë 1999, kur në disa shtete evropiane mendohej të valëvitej flamuri i bardhë i kapitullimit dhe Milosheviçi të pranohej si partner bisedimesh, Glucksmann kishte shkruar një apel të zjarrtë për mposhtjen e krimit në Kosovë. Teksti i tij ishte botuar në gazetat më të rëndësishme në Francë dhe Gjermani.
Banaliteti i së keqes

Glucksmann shkruante: "Mbreti është lakuriq. Është e pakuptimtë që ai të diabolizohet. Milosheviçi s'është gjë tjetër veçse banaliteti i së keqes. Ai qëndron në pushtet dhe pa kurrfarë shkathtësie shërben me llahtaritë e këtij shekulli. Pak Pnom Pen, të cilin e kishin spastruar kmerët e kuq: jashtë qytetit, jashtë spitaleve, nga sallat e operacionit dhe lindjes, të gjithë ishin hedhur në rrugë. Një copëz Ruandë: "Joserbët" hiqen qafe me thikë apo me plumb në zverk. Nga një potpuri e tillë krijohet filmi më i shkathtë europian i tmerrit që nga zhdukja e Hitlerit dhe Stalinit. "Krim kundër njerëzimit është kur vret dikë me pretekstin se ai ka lindur", ka shkruar Frossart. Në ish-Jugosllavinë e dhjetë viteve të kaluara numërohen qindra-mijëra "dikush" të tillë. Shumëzimi do të ishte gjenocid. Kjo do të thotë t'i vrasësh të gjithë, nga i pari deri te i fundit. A do të mbetet e papunë tashti ajo Kasandra – një grusht intelektualësh dhe gazetarësh – e cila që nga viti 1991 i ka rënë alarmit? Asaj i mbetet një detyrë: që t'u thotë përgjegjësve se janë shumë prapa publikut të zemëruar. Çështja është e qartë: krimet po zgjerohen dhe po vazhdojnë. Qëllimi është po aq i qartë: të çlirohet Kosova. Nuk guxon kush të ngurrojë në përdorimin e mjeteve: nëse sulmet ajrore nuk mjaftojnë për një kohë të gjatë, atëherë angazhimi në luftë i trupave tokësore do të jetë i domosdoshëm dhe do të kërkohet nga shumica e qytetarëve. Sa më parë që të përgatitemi për këtë aq më të besueshëm do të jemi. Si mund t'i bindim politikanët? T'u thuhet atyre se Kosova është përafërsisht e madhe sa landi i Schleswig-Holstein-it (Gjermani)? Se ushtria jugosllave nuk është më ajo "armata e lavdishme e Jugosllavisë"? Dhe se ajo nuk është gjë tjetër veçse një forcë pushtuese? Nëse aleanca më e fuqishme ushtarake nuk di ta çlirojë këtë copë tokë me madhësi të një shamie xhepi, atëherë Klintoni, Bleri, Shiraku, Zhospëni dhe Shrëderi duhet të na dhimbsen. Atëherë ata, lart mbi varret e Ruzveltit, Çërçillit dhe de Golit, duhet të na shpjegojnë se si ishte e mundshme D-Day (dita e zbarkimit të forcave aleate në Normandi dhe mposhtja e Hitlerit)?; si u arrit të çlirohej një kontinent i tërë nga kthetrat e "Rajhut të Tretë", derisa kosovarët i lihen vrasësve? Qytetari i denjë, i cili nuk e ka humbur ndjenjën për proporcione dhe për sarkazëm, vetëm do të qeshë me zë të lartë. Të qeshë derisa t'i dalin lotët, lotët e një fëmijë të humbur gjatë arratisjes".

I harruar në Kosovë

Kanë qenë tekste të tilla, apele të mençura dhe protesta të fuqishme nga ana e intelektualëve të Evropës Perëndimore, që kanë shtyrë politikanët të mos dorëzohen në mësymjen për të çliruar Kosovën. Ndoshta zëri më i fuqishëm i këtyre intelektualëve ka qenë André Glucksmann, i cili në fillim të viteve 90-të kishte mbështetur pavarësinë e Sllovenisë dhe Kroacisë, më vonë kishte dënuar gjenocidin serb në Bosnjë dhe kishte kërkuar ndërhyrje të shpejtë, vazhdimisht kishte kritikuar krimet masive ruse në Çeçeni dhe kishte kërkuar intervenim të shpejtë për të evituar gjakderdhjen në Kosovë. Në shkretëtirën kulturore të Kosovës këta njerëz nuk kanë vend. Po të mos ishte një shtëpi botuese nga Tirana, e cila ka botuar artikujt e intelektualëve me famë botërore në favor të ndërhyrjes në Kosovë, as që do të dëgjohej për ta.

André Glucksmann i mbushi 70 vjet. I lindur më 19 qershor 1937 në Boulogne afër Parisit ai rrjedh nga një familje gjermano-hebraike. Në vitin 1936 prindërit e tij u arratisën nga Gjermania në Francë për shkak të rrezikut nga nazizmi. I ati vdiq pas pushtimit të Francës nga gjermanët në vitin 1940. E ëma dhe të motrat luftuan në lëvizjen kryengritëse kundër nazistëve. Si pothuaj të gjithë filozofët e njohur pas Luftës së Dytë Botërore edhe Glucksmann fillimisht ishte mbështetës i zjarrtë i Partisë Komuniste, prej së cilës u përjashtua për shkak të kritikës kundër ndërhyrjes së trupave të Bashkimit Sovjetik në Hungari. Më vonë iu bashkua të majtës maoiste dhe thuhet se një kohë ka qenë prijës i të "majtës proletare" (Gauche Prolétarienne). Duke u bazuar në përvojën e lëvizjes studentore të vitit 1968 Glucksmann kërkoi një konfrontim të ashpër me realitetin komunist në Evropën Lindore dhe shumë shpejt u bë i famshëm me kritikën e tij të rreptë kundër totalitarizmit dhe utopisë. Nga kjo kritikë lindi lëvizja e "filozofëve të rinj" (Nouveaux philosophes).

Kjo lëvizje u bë e njohur edhe në botë pas ardhjes në pushtet të presidentit François Miterrand në vitin 1981.

Alarm për Darfurin

Në veprat e tij Glucksmann ka kërkuar nga e majta në Francë dhe në Evropë që të distancohet nga politika shfarosëse e kampeve komuniste sovjetike. Po ashtu Glucksmann ka ndezur gjakrat e pacifistëve, kur në fillim të viteve 80-të ka kërkuar që edhe Gjermanisë t'i lejohet e drejta për të pasur armë bërthamore: "Nuk mund të kërkohet prej gjermanëve që të mbrojnë lirinë dhe demokracinë dhe njëkohësisht atyre t'u refuzohen armët e nevojshme". Në librin "De Gaulle où es-tu?" (De Gol ku je?) Glucksmann trajtoi raportin pa iluzione ndaj luftës dhe si dëshmitar për këtë përmend presidentin historik francez Charles De Gaulle.

Gjatë viteve 90-të André Glucksmann ka qenë pjesëmarrës aktiv i të gjitha debateve mbi temat e rëndësishme politike. Në esetë e tij ai ka kritikuar jovendosmërinë e evropianëve ndaj regjimeve totalitare dhe terroristëve. Ai ishte përkrahës i vendosur i sulmeve të NATO-s kundër Jugosllavisë së Milosheviçit dhe ka kritikuar vazhdimisht Rusinë për shkeljen e të drejtave të njeriut. Në shkrimet aktuale ai sulmon sidomos terrorizmin në emër të fesë islame dhe gjenocidin në Darfur. Angazhimi i pandërprerë kundër mizorive në botë e bën André Glucksmann-in një aktivist të respektuar, profesion i të cilit në radhë të parë është mllefi.

Enver Robelli - Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama