Nje histori italiane per Juliette-n e cokollatave

Një histori italiane për Juliette-n e çokollatave

Një dritare e hapur në fshat në një natë vere. Një grua tërheqëse në ballkon po tymos një cigare. Një pikë e vogël që ndriçon në errësirë, e cila ka pushtuar vendin. Ky portret i këndshëm është i mjaftueshëm për të bërë që të ëndërrojë një poet si Abbas Kiarostami, mjeshtri i kinemasë iraniane, autor i filmave "Close up", "Nën ullinj", "Shija e qershisë", me të cilin fitoi në vitin 1997 çmimin "Palma e artë" në Festivalin e Kanës. Por për Kiarostami-n thuhej se shkruante edhe gjëra të tjera. Di të përdorë aparatin fotografik si një penel, për të pikturuar pemët, peizazhe, hapësira të pafundme. Si atëherë kur ai u mbyll në errësirë, e populluar nga mijëra zhurma, e cila rrethon trajtën misterioze femërore që Abbas ka takuar në një anë të Italisë. Një ëndërr, a ndoshta jo, e cila i dha "fillimin" filmit të ri të titulluar "Kopje e njëjtë", me protagoniste aktoren e famshme, Juliette Binoche.

Për mjeshtrin e kinemasë iraniane, kjo është një kthesë e vërtetë artistike. Dhe në fakt ky do të jetë filmi i parë me metrazh të gjatë trillues, ku do të ketë një nuancë ndërkombëtare e që do të xhirohet jashtë vendit të tij. Filmi do të xhirohet në Toskanë të Italisë, mes kodrave të këndshme të San Gimignano-s. Në mbështetje të projektit të ri do të jetë edhe regjisori francez Marin Karmitz, me të cilin ka një miqësi të ngushtë prej shumë kohësh. "Fillimi i xhirimeve është fiksuar në muajin tetor dhe buxheti do të jetë 4,5 milionë euro", thotë i kënaqur Karmitz.

Për sa i përket historisë, thotë Binoche, lindi si në një nga përrallat e librit "Një mijë e një net". "Me Kiarostami-n ishim takuar në festivale të ndryshme. Më pas, kohët e fundit, mbanim kontakte me njëri-tjetrin, duke shkëmbyer e-maile - tregon aktorja, e cila është vlerësuar me çmime "Oskar" për filmat "The english patient" ("Pacienti anglez"), "Çokollatat", ku filmi "Çokollatat" është pëlqyer gjithashtu edhe nga regjisorët: Kieslowski, Minghella, Hou Hsiao Hsien. Shumë herë i kishim premtuar njëri-tjetrit se do të takoheshim dhe më në fund e mora unë iniciativën dhe në muajin prill shkova ta takoja në shtëpinë e tij, në Teheran". Dhe ja ku ndodhet Juliette me një perçe të zezë të mbuluar, siç është e detyrueshme për femrat e atyre anëve, duke shëtitur në rrugët e kryeqytetit iranian. "Doja të thithja ajrin e atij vendi, ta shihja me sytë e mi atë që tregojnë gazetat dhe televizionet. Doja ta takoja Abbas-in në vendin e tij, të kuptoja se mes nesh mund të lindte ai besim i nevojshëm për të punuar së bashku".

"Natyrisht isha i magjepsur - thotë regjisori - por edhe paksa i trembur. Nuk njiheshim shumë, por e dija mirë se për çfarë të bisedoja me të ftuarën time bukuroshe, si ta zbavitja. Dhe kështu, në mbrëmje gjatë darkës, fillova t‘i tregoja një histori, duke filluar nga ai këndvështrim, nga kujtimi i një nate magjike vere: takimin e një burri dhe një gruaje, të dy të huaj, në një provincë të Italisë. Më pas gjithçka filloi vetë, e kush e di se nga vinte". Kështu, në një natë tjetër, këtë herë në pranverë Kiarostami rrëfen historinë e tij dhe Binoche dëgjon. "Ajo është merret me koleksionimin, shitjen e veprave të artit në një galeri private, ndërsa ai një shkrimtar rreth të dyzetave me origjinë angleze". Burrin, le ta quajmë James, është një studiues i historisë së artit, i cili ka ardhur në Toskanë, për të mbajtur një konferencë mbi lidhjen e ngushtë që ekziston mes origjinalit dhe kopjes së një pikture. Një temë që zbulohet jo rastësisht, por e shtyrë nga një madhësi e "dyfishtë". Takimi me të, premtimi i një arratisjeje të shkurtër së bashku... Një gjurmë e lehtë, që fitohet dalëngadalë dhe veçanërisht deri në atë pikë sa mund të injorojë veten. Dhe Juliette dukej kaq e magjepsur, e interesuar nga ajo pjesë e improvizuar, që madje dhe unë vetë mbeta i habitur".

"Abbas ka një mënyrë të veçantë për t‘i treguar gjërat, shumë vizive - thotë Binoche. Ndërsa ai po tregonte historinë e tij, mua më dukej sikur po i shikoja me të vërtetë imazhet. Do të ishte një film i mrekullueshëm, i sugjerova në fund". Ai e besoi dhe për tre muaj skenari i filmit ishte gati. Subjekti, siç ndodh gjithnjë në filmat e Kiarostami-t, është i thjeshtë dhe i mrekullueshëm: një pritje dashurie. Diçka që të gjithë e kemi provuar në jetë. "Një histori universale, paksa si ajo e Adamit dhe Evës", thotë duke qeshur regjisori dhe shprehet i kënaqur për rikthimin e tij në skenën italiane, tre vjet pas eksperiencës së filmit të përbashkët me filmin "Tickets", realizuar në bashkëpunim me Ermanno Olmi dhe Ken Loach. "Me Evën, gruan, flet duke përdorur forcën e ndjenjave dhe me Adamin, burrin, tenton të kundërshtojë me forcën e arsyes. Edhe pse nuk është e thënë se, ai që dashuron më shumë është mashkulli. Brenda kësaj çështjeje, që mendoj se do ju pëlqejë më shumë femrave, ka shumë fragmente të jetës sime - tregon regjisori. Burri që vjen në mbrëmje më ngjan në shumë gjëra, në shqetësimin, në ndjekjen e shenjave të rastit, në një anë shumë femërore të karakterit". Pra pothuajse jemi njësh, ose siç sugjeron titulli, ajo e "Kopjes së njëjtë" që është kaq e ngjashme me origjinalen e që shpesh herë bëhet e padallueshme. Për një rol kaq të ngatërruar dhe kaq privat nuk do të jetë e lehtë për të gjetur interpretuesin ideal. "Faktikisht jemi ende në kërkim - thotë Kiarostami. Sigurisht që duhet të jetë një aktor anglosakson, sepse në film secili do të flasë gjuhën e tij: franceze, angleze, italiane".

Por përse duhet të xhirohet një film në Itali, kur të gjithë filmat e tij kanë si sfond Iranin? Nuk do të jetë e vështirë të ballafaqohet më një vend të huaj?

"Mendoj se historitë duhet të zhvillohen aty ku lindin - përgjigjet ai. Kjo histori ka lindur në Itali dhe aty do të realizohet. Edi që është një rrezik, por më pëlqen sepse është edhe një sfidë e bukur".

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama