I kemi parë të ngjiten shpesh në skenë, madje në role me peshë. Vetëm pak kohë më parë, sopranoja Eriona Gjyzeli interpretoi rolin e Emanuelës në operën “Carmen”, Erlind Zeraliu në rolin e kontit në operën “Traviata” që u shfaq pak ditë më parë, e kështu me radhë. Janë të gjithë të rinj, jo shumë kohë të diplomuar, por si zëra të spikatur janë përzgjedhur nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit si përfitues të “Fondit të rinisë për TKOB 2007”, akorduar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Pasi kanë kaluar disa muaj nga fillimi i projektit, artistët e rinj japin sot një koncert të titulluar “Kameristika”. Eriona Gjyzeli, Erlind Zeraliu, Rudina Delia, Armando Lika, Lindita Kola sjellin një program ariesh të përzgjedhura nga fondi botëror dhe ai shqiptar.
“Teatrit të Operas, këto vite në mënyrë të veçantë i ka interesuar afrimi i të rinjve më të talentuar, hapja e dyerve të shtëpisë më të madhe të muzikës në vend, për të gjithë ata që meritojnë të hyjnë në të, pavarësisht barrierave administrative, që përgjithësisht janë më të ngurta se evolimi i jetës artistike”, - thotë drejtori i TKOB-it, Zhani Ciko. Dhe në të vërtetë këngëtarët që interpretojnë sot në orën 19.00 në hollin e Operës janë ndër artistët më aktivë, edhe pse nuk janë pjesë e trupës së përhershme të operës. Përmes projektit prej 3 milionë lekësh të MTKRS-së, të rinjtë përfitojnë një pagë mujore.
Sipas Cikos “Kameristika” nuk është konceptuar si “dalje në skenën e madhe të operës” por diçka më e ngrohtë dhe disi intime. Një mbrëmje e sallonit të Operës, ku këndohet mes miqsh e dashamirësish, përmes një programi që sipas tij, e lejon apo e presupozon këtë karakter komunikativ. Kjo është arsyeja pse drejtorja muzikore e TKOB, Edith Mihali, e cila ka punuar drejtpërdrejt me të rinjtë ngulmoi në përzgjedhjen e një programi të larmishëm, ku spikasin autorët Ravel, Bizet, Mula, Harapi, Mozart, etj.
Pjesët e përzgjedhura, të cilat u japin mundësi të gjithë të rinjve të ndihen profesionistë dhe të tregojnë gjithë kapacitetet e tyre vokale dhe interpretative janë shkëputur nga vepra të mëdha si “Carmen”, “Don Giovanni”, “Cosi fan’tutte”, “Le nozze di Figaro”, “Rusalka”, “Lulja e kujtimit”, “Agimet shqiptare”, “Rusalka”, “Habanera”, “Kiss me Kate”, etj. Krahas të rinjve të projektit, në koncert interpreton edhe bas-baritoni Sidrit Bejleri, tashmë pjesë e TKOB-it dhe përfitues dy herë me radhë i bursës së akorduar nga Teatri i Vjenës në projektin e të rinjve të Evropës Qëndrore dhe Juglindore. “Pjesëmarrja e ndonjë artisti që tani ka përvojë të gjerë dhe nuk mund të konsiderohet më “i ri” si Sidrit Bejleri, është më tepër një pikë atraksioni për programin”, - thotë Ciko. Koncertmaestër të “Kameristikës” janë gjithashtu dy artistë të rinj Deniola Kuraja dhe Herton Mikeli.
A.Mile : Gazeta Shekulli











