Lamtumire per Borisin e pianos

Lamtumire per Borisin e pianos

Pianisti Boris Plumbi, u nda nga jeta dje, në moshën 84–vjeçare. Bir i një familjeje me rol të rëndësishëm gjatë përpjekjeve për Pavarësi dhe në luftën për çlirim kombëtar, Boris Plumbi që në vogëli studioi në qytetin e tij të Korçës instrumentin e pianos nga mjeshtrat e huaj që ndodheshin pranë Liceut Francez. Ishte vetëm 13 vjeç kur merr dhuratë pianon e parë nga e ëma. Në vitin 1936 nisi të merrte mësime pianoje nga një profesor francez, që kishte studiuar në Strasbourg.

Jacques Wincler, profesori i literaturës franceze në Liceun e Korçës dhe shoqërues i Tefta Tashko Koços në piano, do të bëhej shumë shpejt udhëheqësi shpirtëror i pianistit të vogël shqiptar. Pas largimit të Wincler më 1939-ën, mori mësime të tjera nga Tonin Guraziu që kishte studiuar në Itali. Shtëpia e Kulturës, Radio Korça dhe më pas Ansambli Ushtarak, ishin skenat e para të Boris Plumbit. Gjatë luftës ishte pjesë e korit ilegal “Lira”. Në këtë kohë shkroi në nota këngët për Dhora Lekën.

Nga Ansambli i Ushtrisë në Korçë e thërrasin në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë, ku prej 1958-ës punon si koncert-maestro, ndihmon në përgatitjet e operave dhe shoqëron artistë lirikë. Kur u krijua Konservatori, Boris Plumbi jepte mësim piano sekondare dhe merrte pjesë në klasën e dirigjimit si pianist. Në vitin 1962, arrestohet në Teatrin e Operës dhe Baletit dhe dënohet me 6 vjet, i akuzuar si njeri me pikëpamje perëndimore. Lirohet pas katër vjet burg, por nuk e lejuan të kthehej në profesion. Pasi kreu rehabilitimin për dy vjet në fabrikën e qelqit, u kthye në Shtëpinë e Kulturës në shkollën e muzikës, ku shoqëronte maturantët dhe më 1980-ën mori pjesë në koncerte të ndryshme. Që nga dalja në pension, më 1983-shin, ai arriti të rikthehej më 4 qershor 2005 në skenë me një recital në Shtëpinë e Kulturës në Korçë. Ndërsa në tetorin e vitit 2005 ishte i ftuari special i Zhani Cikos për një çaj muzikor në Teatrin e Operës dhe Baletit.

A.M. - Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama