Te fshehtat perveluese te kandidateve

Të fshehtat përvëluese të kandidatëve

Vitet e fundit të trazuara të Hillary Rodham Clinton, si Zonjë e parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gruaja e ish-presidentit, aktualisht senatore e shtetit të Nju Jorkut për llogari të Partisë Demokratike, e përmend mjaft dendur bashkëshortin gjatë fushatës elektorale, por këtë e bën duke shmangur qoftë edhe një fjalë të vetme mbi skandalin, që thuajse nuk i rrënoi karrierën dhe sidomos ngjarjen që e ndezi këtë skandal.

John Mçain, senator republikan i Arizonës nuk flet thuajse kurrë për Mçain-Feingold, ligji që detyron kontrollin e detajuar të burimeve financiare që mbështesin fushatat elektorale, ndoshta nisma më domethënëse në karrierën politike të Mçain: bëhet fjalë për një ligj që shpon në ijë shumë nga eksponentët konservatorë që Mçain po mundohet të bëjë për vete. Dhe senatori pranon ta zërë në gojë këtë ligj, vetëm në rastet kur kundërshtarët politikë e tërheqin nga xhaketa, siç ka bërë për shembull Mitt Romney, ish-guvernatori i shtetit të Masaçusets, gjatë një debati mes tyre mbajtur më 15 maj. Nga ana e tij, Romney, ka për zemër të përmendë me gjithë krenarinë e mundshme përvojën si guvernator, por këtë e bën thuajse në të gjitha rastet pa përmendur shtetin ku ka ushtruar këtë funksion.

Në spotet e tij elektorale, Romney paraqitet në mënyrë mjaft krenare si "guvernatori republikan që ia ka dalë të bëjë për vete një shtet bastion të demokratëve" dhe që "ka vënë veton mbi rreth njëqind ligjet që kanë të bëjnë me shpenzimet administrative", por në spot nuk ekziston asnjë shans të kuptohet se shteti ku janë kryer të gjitha këto veprime është Masaçusetsi.

Po John Edwards? A nuk ishte ky kandidat për zëvendës-presidentin? Demokrat dhe ish-senator i Karolinës së Veriut, Edwards nuk flet thuajse kurrë mbi pjesëmarrjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2004.

Nuk përbën kurrfarë risie, që kandidatët lënë mënjanë disa detaje të sikletshme të jetës apo karrierës së tyre: gjendet gjithnjë ndonjë fakt i pakëndshëm, ndonjë episod apo ndonjë opinion i shprehur në vendin e gabuar, në çastin e gabuar të cilin kandidatit do t‘i shkonte shumë për shtat t‘ia fshihte elektoratit. Por në këto përplasje të para të garës së gjatë për zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2008, karakteristika e veçantë është se kandidatët përpiqen t‘ua minimizojnë përmasat, të injorojnë elementë mjaft të rëndësishëm e domethënës të ngjarjeve të mëparshme në jetën apo karrierën e tyre. Kërkojnë me çdo kusht të fshehin në kurrikulumin e tyre, fakte të njohur mirë nga publiku. "Ekziston gjithnjë një lloj artriti mes asaj që mund të thuhet, asaj që duhet të thuhet dhe asaj që do thuhet", shkruan Edward Widmer, historian në Universitetin "Brown", i cili në të shkuarën ka shkruar fjalime për llogari të Bill Clinton. "Kandidati i parë që arrin të gjejë një ekuilibër të kënaqshëm mes asaj që duhet të thotë dhe asaj që duhet të fshehë,ka mjaft i avantazhe kundrejt të tjerëve".

Së fundmi Rudolph Giuliani, ish-kryetar i Bashkisë së Nju Jorkut dhe kandidat republikan, u prononcua me forcë në favor të së drejtës për të abortuar, duke hyrë kështu në konflikt me shumë eksponentë të rëndësishëm të partisë së tij. Kjo deri më 11 maj, ditë që përkon me mbajtjen e një fjalimi të rëndësishëm në Hjuston, gjatë të cilit parapëlqeu të mos thoshte asnjë fjalë lidhur me këtë argument. Ndërkohë, që fakti për të cilin parapëlqen të mos thotë asnjë fjalë ka të bëjë me situatën delikate familjare. Në sitin në internet, të krijuar për të mbështetur fushatën e tij elektorale, nuk thuhet as edhe një fjalë mbi dy fëmijët nga martesa e parë, të cilët nuk i flasin për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë me bashkëshorten e tij aktuale, Judith Natan.

Ndërsa Giuliani vë theksin me krenari mbi identitetin e tij njujorkez, Romney, kërkon të largohet sa më tepër të jetë e mundur nga Masaçusets, "fidanishtja" e kandidatëve humbës (si John Kerry, Michael Dukakis, Paul Tsongas e Edward Kenedy). Kur Romney flet për Masaçusetsin nuk duket krenar për tokën që e ka lindur: duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me të gjatë një debati e përkufizoi shtetin ku ka jetuar për thuajse 40 vjet si "ai shtet mjaft i vështirë" e "më i vështiri ndër gjithë shtetet".

Në një memorandum të brendshëm të stafit elektoral të kandidatit Romney, i cili ra në duart e shtypit, Masaçusets renditet ndër pikat më të dobëta. "Romney sillet si njeriu që rreh gjoksin se ka ndalur një vjedhje në një bordello, ku bordello në fjalë është Masaçusetsi, thotë Ralph Whitehead, poliglot në universitetin e Masaçusetsit, "Por njerëzit do ta pyesin, ti çfarë bëje në atë bordello?".

Senatori i Ilinoisit, Barak Obama, kandidati demokrat, paraqitet me një fytyrë të re, e huaj për Uashingtonin dhe metodat e zakonshme që përdor politika: kjo në mënyrë të padiskutueshme përbën edhe një prej pikave të forta të apelit të tij elektoral, por është njëherësh edhe përpjekje për të transformuar në favor të vetin, atë që për shumë është handikapi i tij më i madh: mungesën e eksperiencës. Sipas Widmer, ajo që perceptohet gjerësisht si defekt, mund të përfaqësojë "oksigjenin jetëdhënës" për një kandidat.

Përveç se nuk zë kurrë në gojë garën e shkuar për postin e zëvendës-presidentit Edwards mundohet të zërë sa më pak në gojë edhe aktivitetin si senator. Në këtë fushatë, eksponenti demokrat ka zgjedhur profilin e të jashtmit, i huaj kundrejt çdo grupimi politik, flamurtar i lëvizjeve kundër luftës e varfërisë, (duke lënë në harresë faktin se ka një pasuri që prek 22 milionë dollarësh, një shtëpi gjigande dhe model flokësh prej 300 dollarësh).

Të tjerë kandidatë përballen me problemin e dhënies së llogarisë mbi aktivitetin e tyre parlamentar. Shumë eksponentë republikanë, përfshi këtu edhe kandidatin Romney, sulmojnë Mçain-in për shkak të ligjit Mçain-Feingold. Gjatë një interviste të lëshuar në "Fox News" në prill të këtij viti, Mçain, tha se ligji në fjalë që merret me zbulimin e burimeve të financimit të fushatave elektorale ka të bëjë vetëm me shtresën e politikanëve.

"Jashtë Uashingtonit nuk kam dëgjuar askënd të ngrihet e të flasë për ligjin Mçain-Feingold", thotë. "Nuk e zë në gojë kurrkush". Aq më pak ai vetë.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama