Google po na shikon

Google po na shikon

Shefi ekzekutiv, Eric Schmidt, tha gjatë vizitës në Britani këtë javë: "Qëllimi është që përdoruesit e "Google" të kenë mundësinë të bëjnë pyetje si ‘Çfarë duhet të bëj nesër?‘ ose ‘Çfarë pune duhet zgjedhur?". Ai, gjatë një konference të organizuar nga "Google", tha se "jemi shumë mbrapa me informacionin që kemi brenda në "Google". Software-i do të përmirësohet dhe ne do të përmirësohemi në personel". Deklaratat e "Google"-it për synimet e tyre u bënë publike në të njëjtën kohë, që u bë e ditur se kompania ka investuar 2 milionë dollarë në një firmë që merret me gjenetikën njerëzore e quajtur "23 and Me". Kombinimi i gjenetikës me profilizimin në internet, mund të jetë një vegël e fuqishme për të kuptuar më mirë sjelljen e përdoruesve të shërbimit on-line. Më herët gjatë këtij viti, "Yahoo!" konkurrenti i "Google", paraqiti teknologjinë e vet të kërkimit, e quajtur "Project Panama", e cila monitoron vizitorët e internetit në sajtin e vet, për të krijuar profile të interesave të tyre. Ata që merren me mbrojtjen e intimitetit janë të shqetësuar se kjo tendencë, drejt kërkimit dhe sistematizimit të sofistikuar në internet të bazave të të dhënave gjigante, është kërcënim për shkelje të lirive civile. Ky shqetësim është i përforcuar dhe nga 3.1 miliardë dollarë, të ofruara nga "Google" ndaj "DoubleClick", një kompani që ndihmon në ndërtimin me detaje të sjelljes së dikujt, duke kombinuar të dhënat e tij mbi kërkimet në rrjet, me informacionin nga software që "DoubleClick" instalon në aparatet e përdoruesve për të regjistruar kërkimet që ata bëjnë. "The Independent", ka marrë informacion se trupi, që përfaqëson rojet e mbrojtjes të të dhënave, i ka shkruar "Google"-it, duke i kërkuar më shumë informacion mbi politikën e ruajtjes së informacionit. Nga "Google" tashmë kanë thënë se plani për makinën kërkuese multi-miliardë dollarëshe, është të ruajë të dhënat që disponon me afat të caktuar. Zëdhënësi i Zyrës së Komisionit për Informacion, agjencia britanike për monitorimin e legjislacionit së të dhënave, konfirmoi se letrën e kanë marrë nga pjesëtarë të grupit të organizatave i njohur si "The Article 29 Working Group".

"Google" thotë se do t‘i përgjigjet kërkesës muajin e ardhshëm, kur të publikojë përgjigje të plota për sajtin. Zëdhënësja e Komisionit për Informacion tha: "Nuk mund të tregojë se çfarë përmbante letra, por mund të them, që përgjigja tregonte se sajti do të ruajë informacionin jo më gjatë se dy vjet". Ross Anderson, profesor për "Security Engineering" në Universitetin e Cambridgeit dhe anëtar i "Foundation for Information Policy Research", tha se është problem çështja e "mbylljes brenda", ku përdoruesit e "Google"-it kanë vështirësi të nxjerrin veten nga makina kërkuese për shkak të ndërlidhjes me shërbime të tjera të "Google"-it, siç janë "iGoogle", "Gmail" dhe "YouTube". Ai, po ashtu, tha se përdoruesit e internetit nuk do të munden më të ruajnë anonimitetin për arsye se të dhënat kanë për të lënë shenja kyçe."Shumë njerëz janë të shqetësuar nga kjo çështje. Përse duhet që një adoleshenti që regjistrohet në "MySpace" t‘i nxirren të dhënat 30 vjet më vonë, për shembull kur të jetë në intervistë për punë në "Financial Times"? Por ekzistojnë edhe probleme serioze sa i përket intimitetit. Sipas ligjeve për mbrojtjen e të dhënave, nuk mund të marrësh informacion që të jepet aksidentalisht dhe ta përdoresh për qëllime të tjera.

Lloji dhe rëndësia e saktë e kësaj çështjeje akoma nuk është përcaktuar dhe do të ndryshojë me zhvillimin e punës së "Google"-it. Peter Fleischer, këshilltari përgjithshëm i "Google"-it për çështjen e intimitetit, tha se kompania do të bëjë vetëm atë që duan klientët e saj. Ai tha, se Schmidt ka pasur parasysh shërbime si "iGoogle", të cilave klientët u lejohet vetë të përdoret informacioni personal. "Kjo është për kërkime të individualizuara, në të cilat qëllimi ynë është të përdoret informacioni për të dhënë rezultatin më të saktë ndaj kërkimit. Nëse përdoruesi nuk ka dëshirë që informacioni të ruhet nga ne, atëherë në rregull. Ne nuk po përpiqemi të ndërtojmë një librari gjigante për informacione personale. Gjithçka që duam është të japim përgjigjen më të mirë kompjuterike për atë çka kërkoni ju. Ekspertët për mbrojtjen e intimitetit kanë argumentuar se agjentët për zbatimin e ligjit, në rrethana të caktuara, munden të detyrojnë motorët për kërkim, ose furnizuesit të shërbimit të rrjetit, të dorëzojnë informacion. Një nga ta thotë: "Rreziku këtu është se nuk ka rëndësi çfarë është politika e intimitetit të një motori për kërkim, sepse mundet të kapërcehet nga një ligj shtetëror".


Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama