Koshienca eshte e kuqe

Koshienca është e kuqe

Një dhomë pa dritë. Një skenë e veshur nga një ngjyrë e kuqe e ndezur. Të pranishmit ndajnë një eksperiencë, sa të thjeshtë aq edhe të pashpjegueshme: ajo e "të parit të kuqen". Nicholas Humphery, një nga protagonistët e "Fiera"-s, librit shkencor në Trieste, e fillon nga kjo skenë aventurën e tij në studimin e mendjes. Ai, në librin r tij të ri "E kuqja. Një studim mbi koshiencën" e fillon nga pyetja më e thjeshtë: si ia bën truri për të krijuar atë ndjesi të ngjyrës së kuqe? - për të arritur te ajo më e vështira: çfarë është koshienca? Si mund ta krijojë aktiviteti elektrik dhe kimik i neuroneve atë fenomen, të cilin e quajnë mendje ose shpirt? "E kuptoj se përse shumë persona e konsiderojnë të pamundur një shpjegim shkencor të koshiencës", thotë Humphery, profesor në "Centre for Phisolophy of Natyral and Social Science" në Universitetin Ekonomik të Londrës, "eksperienca për të parë të kuqen, si ajo për të ndier dhimbjen duket sikur ka karakteristika të cilat nuk mund të përftohen vetëm nga kimia dhe fizika. Por, fakti se diçka duket se ka karakteristika të pashpjegueshme nuk do të thotë se i ka vërtetë. Mendoj se e vërteta mbi koshiencën duket se është një formë e pamundur e inxhinierisë biologjike, një lloj truku që natyra na ka falur. Por do të arrijmë në një shpjegim biologjik".

Sa ka arritur të kuptojë neuroshkenca nga koshienca në lidhje me filozofinë?

Neuroshkenca mund të na shpjegojë shumë nga proceset tona të njohura: kujtesën, gjuhën. Por nuk besoj se kemi arritur në një "mirëkuptim" të natyrës së koshiencës. Nuk e ka bërë as filozofia. Për mua, burimi i frymëzimit ka qenë psikologjia eksperimentale dhe biologjia evoluese, pa marrë parasysh më pas orët e gjata, duke u menduar se çfarë është koshienca ime.

Ju tregoni një histori të një pacientes suaj të verbër, e cila do ta rifitonte shikimin pas një operacioni, për të realizuar atë që nuk pritej?

Kjo grua ishte verbuar që në fëmijëri. Në moshën 23-vjeçare ajo iu nënshtrua një operacioni dhe e rifitoi shikimin, por përsëri mendonte se ishte ende e verbër. Ajo kishte zhvilluar një shikim të brendshëm, që nuk arrinte ta përshtaste me atë që sytë e saj perceptonin. Nga kjo histori kam mësuar rëndësinë për të ndarë perceptimin dhe ndjenjën. Mund ta kesh perceptimin pa ndjenjën.

Ju sugjeroni se tendenca jonë për të ndarë trupin dhe mendjen është fryt i zgjedhjes natyrore. Cili është avantazhi evolutiv për t‘u bindur se kemi një shpirt?

Ne qeniet njerëzore kemi arritur të pushtojmë atë që quhet "vendi i ngrohtë ekologjik i shpirtit". Ai territor kulturor është biologjik, i pasur me mundësi dhe që është hapur para stërgjyshërve tanë, kur kanë filluar të mendojnë për vetveten si qenie shpirtërore. Kjo është ajo që evolucioni i koshiencës ka bërë për ne, e meqë funksionon mirë, guxoj të them se zgjedhja natyrore e ka programuar pikërisht për këtë. Natyra ka gjetur mënyrën që të na bëjë ta besojmë se me koshiencën tonë magjike, jemi shumë më të rëndësishëm se ajo që jemi në të vërtetë.


Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama