Te huajt ofrojne para shqiptaret s kane projekte

Të huajt ofrojnë para, shqiptarët s kanë projekte

Pala shqiptare nuk solli asnjë informacion që t’i vlente këtij qëllimi

Në lokalet pranë institucioneve kulturore, tymnaja e cigareve që ndizen e fiken pa pushim, shformon siluetat e njerëzve të ulur nëpër tavolina. Gjerbin kafe dhe kokë më kokë qajnë hallet e kulturës. Ka shumë ide, por nuk ka para. Duhet të trokasësh pa fund dhe jo gjithmonë ato hapen. Shtetarët, biznesmenë e sponsorë të gjithfarë ngjyrave janë të pandjeshëm. Nuk ka ambiente… Janë këto ankesat që dëgjon çdo ditë mes artistësh, regjisorë, aktorë, muzikantë. Sigurisht nuk është e lehtë të bësh art në Shqipëri. Të gjitha problemet që ngrenë artistët qëndrojnë, por duhet parë edhe ana tjetër e medaljes. Ndodh që edhe kur ofrohen shanset, nuk shfrytëzohen. Dje në Akademinë e Arteve u zhvillua takimi “Bashkëpunimi artistik dhe kulturor mes Puglias dhe Shqipërisë” (“La cooperazione artistica e culturale fra Puglia e Albania”). Një takim ku merrnin pjesë operatorë kulturorë shqiptarë e puliezë, artistë dhe përfaqësues institucionesh.

Qëllimi ishte që të shkëmbeheshin informacione mbi zhvillimet kulturore në Shqipëri, projektet e së tashmes dhe ato të ardhshme, në mënyrë që të shiheshin të gjitha mundësitë e bashkëpunimit mes dy vendeve. Ftesa ishte për të gjithë njerëzit e artit, por në veçanti atyre të artit skenik, dramës dhe kinemasë. Kjo për faktin e thjeshtë se operatori kryesor në këtë takim drejton një kompani teatrore. Franco Ungaro është drejtor organizativ i kompanisë teatrore “Koreja” me qendër në Lece. Nga pala shqiptare merrnin pjesë regjisorë e dramaturgë në zë, si Mihal Luarasi, Anton Qezari, Mehmet Xhelili, Altin Basha, Ilir Butka, Stefan Çapaliku, Alfred Trebicka, etj. Ashtu si e kërkonte edhe tryeza, Ungaro prezantoi përpara kolegëve shqiptarë kompaninë që ai drejton. “Koreja” funksionon prej 20 vjetësh dhe njihet nga shteti italian si një ndër të paktat kompani inovative. Sipas tij “Koreja” është një kompani e hapur për çdo lloj bashkëpunimi me vende të Evropës e më së shumti nga rajoni ballkanik nga vinë sinjale të një kulture interesante. Ungaro shpjegoi për shqiptarët se vendi ku ata zhvillonin shfaqjet ishte një ish-fabrikë.

Një vend jo i zakonshëm, jo tradicional ku ata eksperimentojnë dhe gjejnë forma të reja shprehëse, duke gërshetuar traditën e famshme italiane me bashkëkohoren dhe risinë. Në një farë mënyre ai shpalosi një tjetër mundësi për artbërësit shqiptarë. Për të gjithë ata që ankohen për mungesën e hapësirave ai bëri të ditur se në arena artistike mund të kthehen dhe ish-fabrikat, uzinat, makazinat e vjetra, prej të cilave ka me shumicë në Tiranë e në gjithë Shqipërinë. Mjafton ideja dhe dëshira e mirë. Ndoshta duhet trokitur edhe ca më fortë nëpër dyer. Pasi bëri profilin kompanisë që ai drejton, pjesë e të cilit është edhe shfaqja teatralo-kulinare “Darka e merimangës”, që u shfaq mbrëmë në Akademinë e Arteve, Ungaro u kërkoi shqiptarëve të bënin të njëjtën gjë. Duke u njohur, gjenden edhe pikat e përbashkëta. “Ju mund të ofroni projektet tuaja të tanishme dhe ato që do të realizoni në të ardhmen. Kështu unë do të kuptoj nëse ka mundësi bashkëpunimi mes Puglias dhe Shqipërisë”, - tha Ungaro, duke u bërë të njohur edhe programin INTERREG 3, ku për herë të parë, përveç vendeve të Komunitetit Evropian, mund të përfitojnë edhe vende të pellgut mesdhetar, apo Ballkanit. Por me gjithë kërkesën e Ungaro-s, duket se pala shqiptare nuk kishte ndonjë gjë për të thënë. Ende pa mbaruar mirë ai fjalën, gjysma e sallës së pedagogëve, në Akademinë e Arteve, ku zhvillohej takimi, u boshatis. Të parët u larguan ata që në të vërtetë duhet të paraqitnin të parët projektet e tyre. Ungaro bëri të njohur se programi INTERREG këtë vit përfshinte një shumë prej 600 mijë eurosh, ku edhe Shqipëria mund të përfitojë sado pak. Por projekte nuk u paraqitën nga askush dhe duket se më i interesuar ishte ai që jepte paratë, sesa përfituesit. Edhe ata pak njerëz që u ngritën për të folur, nuk parashtruan ndonjë ide konkrete. Takimi i parashikuar të zgjaste deri në orën 13.00, nuk zgjati më shumë se 1 orë e gjysmë. Jo vetëm që nuk u paraqitën projekte, por takimi i djeshëm nuk shërbeu për asgjë. Të paktën për shkëmbim të thjeshtë informacioni, gjë që mungon seriozisht në Shqipëri.

Rrallë e tek zhvillohen treyza ku marrin pjesë edhe artistë të huaj, që sjellin eksperiencën e vendeve të tyre. Tryeza zhvillohen, por nën të njëjtat tema. Vazhdohet ende me meselenë e dramës shqipe, apo tema të këtij lloji që tashmë janë ezauruar me kohë. Ajo çka duhet të shqetësojë me të vërtetë shqiptarët është marrja e informacionit më të ri mbi zhvillimet në botë dhe të qënurit në koherencë me skenat e huaja. Artistët shqiptarë vazhdojnë të sillen rreth vetes si në një rreth vicioz dhe i presin ngjarjet e reja me shumë dyshim. Pas kaq vitesh përpjekjesh, më në fund një muaj më parë arriti të ngjitej në skenën e Teatrit Kombëtar një vepër me regji të huaj, që siç u pa nga të gjithë solli një frymë tërësisht të re në teatër. Është koha për të qenë më të hapur dhe më bashkëpunues. Ndoshta mënyra sesi ishte organizuar takimi i djeshëm nuk ishte më e mira e mundshme. Është e vështirë që të ngrihesh e të shpalosësh projektet si në një orë mësimi. Dihet fare mirë që projektet paraqiten e zezë mbi të bardhë dhe jo fjalë në erë. Megjithatë tryeza e djeshme mund të kishte shërbyer si shkëmbim informacioni, gjë që nuk ndodhi.

Bashkëpunimi
Teatër transadriatik
Një trupë teatrore transadriatike me artistë nga vende të ndryshme, që lagen nga deti Adriatik. Ky është qëllimi i programit “Factory” (For Adriatic Cultural Transnational Organizations Residential Yards) i prezantuar nga Rajoni i Pulias me financim të Interreg/Cards-Phare. Ky program parashikon përzgjedhjen e 20 personave, studentë apo të diplomuar për aktrim nga mosha 18 deri në 35 vjeç, që do bëhen pjesë e trupës teatrore transadriatike. Sipas Franco Ungaro, i cili prezantoi dje këtë projekt, konkursi është i hapur për të rinj që vijnë nga Shqipëria, Serbia, Bosnje-hercegovina, Mali i Zi, Kroacia, Puglia dhe Abruzzo. Sipas Ungaro-s fillimisht të rinjtë duhet të plotësojnë një formular me të dhënat e tyre, i cili duhet të dorëzohet deri në datën 6 qershor. Në bazë të tyre do të bëhet edhe seleksionimi i parë. Më tej kandidatët duhet të përballen me faza të tjera seleksionimi, që lidhen drejtpërdrejt me profesionin e tyre. “Fillimisht do të zgjedhim 10 persona, të cilët do të jenë në provë për një muaj në Lece.

Ata do të marrin pjesë në një spektakël që do të zhvillohet atje dhe që do të shëtisë të gjitha vendet e përfshira në projekt”, - shpjegon Ungaro. Dhe duket se interesimi nga ana e të rinjve shqiptarë është i madh. Sapo drejtori i kompanisë “Koreja” prezantoi projektin, nisi tërheqja e formularëve nga ana e të rinjve që ndodheshin në takimin e djeshëm “Bashkëpunimi artistik dhe kulturor mes Puglias dhe Shqipërisë”.


Alma Mile  : Gazeta Shekulli

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama