Globalizimi dhe rreziqet e rritjes ekonomike te pakontrolluar

Globalizimi dhe rreziqet e rritjes ekonomike të pakontrolluar

Ai nocion ka mbetur deri sot më këmbë dhe haset jo vetëm në bisedat politike të së dielave.

Në ditët e sotme njerëzit atje akoma "këndojnë" dhe sot e kësaj dite me shpoti vargjet e këngës së Zweig-ut, të cilin, gjithsesi, e rendisin te njerëzit me logjikë të ftohtë, më shumë se sa tek optimistët e pafre. E ndër ta është dhe Jim O‘Neill, për shembull, shef i sektorit për kërkimet globale pranë Bankës së Investimeve "Goldman Sachs", i cili flet qysh prej vitit 2001 me tone të larta për një grupim vendesh, që ai i ka pagëzuar si "BRIC": Brazili, Rusia, India dhe Kina, katër vendet me rritje të madhe ekonomike. Katër vendet e së ardhmes. O‘Neill beson se ato në vitin 2050, së bashku me SHBA-në, Japoninë dhe Euroland-in, do të dominojnë ekonominë botërore dhe më pas do të arrijnë të japin plot 20 për qind të kapacitetit prodhues në ekonominë globale. Sot, ky nivel shkon në 10%. Vende të tjera me bum të dukshëm do të pasojnë, të ashtuquajturat "Next Eleven" (ose në shqip: 11 të tjerët), ndër të cilët, sipas O‘Neill, renditen vende të tilla që mbartin shpresa të mëdha në këtë aspekt, si Vietnami dhe Egjipti.

Jim O‘Neill s‘ka qenë veçse i pari. Sot edhe shumë ekonomistë të tjerë në bankat e investimeve thonë se parashohin një bum të një tufe vendesh në prodhimet e tyre, të cilat do mund të shiteshin menjëherë pas kësaj. Fondet e investimeve me emra si "International Selection Fund BRIC", ku vërshojnë me miliarda para dhe që në vitet e shkuara në fakt i rritën renditet vjetore nga 10 në 20, apo dhe 30 për qind, së fundmi kanë vërshuar shumë nga agjentët apo menaxherët e "BRIC-Fonds" në bursat e Sao Paulos, apo të Mumbait në Indi, duke bërë që të ndikojnë ndjeshëm në kurset e aksioneve.

Por, ndërkohë, janë shtuar edhe shenjat se realiteti nuk duket të jetë aq rozë, krahasuar me optimizmin e investitorëve dhe fatkeqësisht ka shumë të bëjë edhe me shakanë e hidhur braziliane që përmendëm në fillim, e përmbledhur në sintezën ironike "vendi i së ardhmes". Në shumë vende në zhvillim ekziston në fakt shansi për rritje ekonomike madhore. Por shumica e tyre nuk po i përdorin fare ato dhe investojnë pak në të ardhme. Atyre u kanoset rreziku që të mbesin përjetësisht vetëm "shpresëmbajtës".

Ky nuk është ndonjë problem për spekulantët e bursave. Fenomeni do të prekë direkt mirëqenien në vendet e zhvilluara të Perëndimit. Pas parashikimeve të O‘Neill fshihet vizioni paralajmërues se në një të ardhme të paparashikuar, një sërë vendesh që u parashihet një e ardhme e fuqishme ekonomike, të mund të kalonin nivelin e vendeve të industrializuara. Ato do të pësonin në terma afatgjatë një rritje më të shpejtë se sa pjesa tjetër e botës, dhe në territoret e tyre shtetërore do të lindnin pastaj mundësitë më të mira për investime e pjesë të mëdha të popullsive do të ziheshin me punë.

Kjo ngjan si një kërcënim, por në të vërtetë është një lajm i mirë. Tek e fundit, në vendet e vjetra të industrializuara po shtohet gjithnjë e më shumë numri i pensionistëve, ndërsa pjesa e popullsisë së aftë për punë po bie. Te shumëkush po përftohet ideja se gjeneratat e ardhshme të pensionistëve europianë, amerikanë apo japonezë, do të mund të jetojnë më shumë si pasojë e parave të hedhura në investime e kapitale, se sa nga ajo se çfarë do të lenë në tregun e punës fëmijët apo brezat që ata lenë pas. Si duhet të prodhojnë pra më pas kaq shumë rendite (përfitime) tregjet e kapitaleve të Perëndimit? Një bankier i famshëm amerikan, Ben Bernanke, që parasheh një rrezik të madh në kapitalet me oreks të spikatur renditesh, duket i shqetësuar në këtë pikë. "Shumë ekonomive të zhvilluara, mundësitë për investime të brendshme u kanë shkuar dëm", thotë ai.

Pra, me të drejtë do na duhet të besonim se vendet me bum të dukshëm ekonomik, aktualisht për disa dekada do të mund të mbanin tempin, duke pësuar rritje rekord. Koncernet nacionale si Metro, Volkswagen apo Bertelsmann, do të mund të përftonin edhe më tej rendite të mira, nëse do të furnizonin konsumatorët me fuqi blerëse në këto vende. Pensionistët mund ta investonin kapitalin e tyre edhe direkt në letra me vlerë. Rusët e rinj, kinezët, apo brazilianët, do të përfitonin pastaj nga pensionet tona të së nesërmes. Do të mund të realizohej një lloj "kontrate brezash" në epokën e globalizimit.

Por, në të vërtetë, vetëm njëri nga "shtetet BRIC" duket se ka premisa serioze për t‘ia dalë mbanë: Kina me kuadrin e saj udhëheqës autoritar dhe teknokratik. Në vendin me një popullsi prej 1,3 miliardë banorësh, do të arrihet një kuotë renditesh prej 1484 eurosh në vit për kokë dhe kjo përbën një 1/17 e të ardhurave për frymë në Gjermani për shembull. Kinezëve u duhet të bëjnë akoma shumë, ndërsa në fakt ekonomia e tyre rritet çdo vit me 9 deri në 10%. Partia Komuniste atje e ka shpallur modernizimin e vendit prioritet mbi prioritete: qytet më qytet po ndërtohen autostrada, aeroporte dhe rrjete të furnizimit e prodhimit të energjisë elektrike. Ndërkohë, investitorët e huaj privatë atje po shtohen, po hapen më shumë hotele e fabrika. E çdo gjë i qëndron besnik planit pesëvjeçar që udhëheqja kineze ka projektuar e miratuar më parë.

Aty po vërshon kapitali nga çdo anë dhe shumë nga funksionarët komunistë po fusin në xhepa prej kohësh para. Një ekspansion i tillë dëshmohet si me pasoja, pasi kostot e ndotjes së mjedisit do të gllabërojnë sërish copa të mëdha nga kjo "rritje pa fre". Dhe me siguri një ditë Kina do të gjendet përballë një muri të madh zhvillimi, pasi kapitalizmit shtetëror i mungon kreativiteti inovativ në fazat e mëtejshme.

Por ky problem, gjithsesi, do haset në një ardhme të largët. Aktualisht, sukseset e kinezëve janë mbresëlënëse e të prekshme. Kinezët janë mbretër të investimeve. Ata çdo vit hedhin 9% të fuqisë së tyre ekonomike në infrastrukturë dhe 34,5% në lloje të tjera investimesh, për shembull, duke ndërtuar fabrika të reja. Kështu, ata ia dalin të jenë efiçentë dhe ndërmarrjet e tyre ftohen tashmë të kooperojnë e investojnë në vendet në zhvillim. Plotësisht ndryshe duket se është puna me vendet e tjera të asaj që e cilësuam në fillim "grupi i vendeve BRIC".

Mes Rusisë dhe Kinës, për shembull, maksimumi mund të hiqeshin paralele krahasuese me shifrat e thata të rritjes ekonomike. Ekonomia ruse gjatë viteve të shkuara është rritur mesatarisht me 7% dhe Rusia tashmë është ngjitur në vendin e 10-të si superfuqi ekonomike, duke u pozicionuar pas Spanjës.

Por e gjithë kjo ka të bëjë më shumë me eksportet e naftës e gazit, se sa me suksesin e një politike largpamëse ekonomike në vend. Sipas përllogaritjeve të Bankës Botërore, rusët nga viti në vit po hedhin vetëm 21% të GDP-së së tyre në investime, pra në rritjen e aftësisë ekonomike të së ardhmes, më shumë se gjysma e kinezëve. Fuqia punëtore është në rënie. Popullsia e Rusisë po rrudhet deri në 2050-ën ajo do të bjerë me 40 për qind, një katastrofë kjo në aspektin e strukturës demografike, e fajtor për këtë është dhe sistemi i dobët shëndetësor. "Modeli ynë i rritjes ekonomike bazohet në shpërndarjen e të ardhurave të përftuara nga eksportet dhe konsumi privat", ankohet ish-këshilltari i Presidentit Putin, Andrej Illarionov.

Përballë një sektori të vogël inovativ privat, ndodhet gjiganti shtetëror i ndërmarrjeve e sipërmarrjeve shtetërore, i ngritur sipas imazhit të Putinit për kapitalizmin shtetëror. Qeveria kontrollon ndërmarrjet e gazit e të naftës, të industrisë së automjeteve dhe aviacionit, të prodhimit të anijeve e asaj të armëve. Në vitin 2006, pjesa shtetërore në aksionet e bursave ruse u rrit nga 29,6 në 35,1 për qind.

Po India? Ç‘bëhet me të? E stabilizuar tashmë në dukje me institucione demokratike, me iniciativa private mbresëlënëse, India është dhe njëra ndër shpresëmbajtëset më të mëdha, që ka dëshmuar se një vend në zhvillim brenda një harku prej pak vjetësh mundi të bëhej një lider në tregun global të software-ve. Por sektori i prodhimeve High-tech ka arritur të punësojë jo më shumë se një milion persona, një pikë uji në oqean, krahasuar me popullsinë prej 1,1 miliardë banorësh të këtij supershteti. Për të tërhequr masat në qerthullin e rritjes ekonomike, që aktualisht kanë një të ardhur mesatare vjetore për kokë që kap kufirin e 591 eurove, duhej të rritej edhe industria klasike, le të themi, dhe parakushtet për këtë janë negative.

Sistemi arsimor në shumë pjesë të vendit është i rrënuar. Sipërmarrësit vendas e ata të huaj ankohen se po mbyten nga një lum vështirësish në terren. Madje edhe qeveria pohon se "rrugët tona, hekurudhat, portet, aeroportet dhe para së gjithash furnizimi me energji elektrike, janë të pakrahasueshme me atë çka ofrojnë konkurrentët tanë". Ndërsa qeveria e Pekinit, për shembull, gjatë viteve 1991-2002 investoi 38 miliardë dollarë për ndërtimin e rrugëve, New Delhi nuk arriti të hidhte për këtë qëllim as 4 miliardë dollarë. Për këtë arsye, edhe Banka Botërore paralajmëron: "Sfida për Indinë është jo ngritja e nivelit të rritjes ekonomike, por në një farë mënyre frenimi e kontrolli i saj". Pra ky është në një mënyrë të përmbledhur skenari i së ardhmes së vendeve që përmendëm më lart, të cilët nuk kanë investuar sa duhet apo kanë kryer gabime në këtë aspekt në dëm të shëndetit të së ardhmes të ekonomisë së tyre. Fatkeqësisht, sipas pikëpamjes së shumë specialistëve, kjo është diçka shumë serioze për ta neglizhuar.

Në kokat tona prej kohësh vërtitet një nocion shumëplanësh e që akoma nuk po has në një përcaktim të saktë: Globalizimi. Çfarë fuqie polarizuese shpërhap ai, këtë do të mund ta perceptojmë ndoshta më së miri muajin tjetër, kur të zhvillohet dhe takimi i G8-ës në Gjermani. Libri i Daniel Cohen mundohet të sjellë në vëmendje disa veçori e ngre shumë pikëpyetje mbi sfidat e pasojat që globalizimi mund të sjellë

Globalizimi, një përbindësh?


"Globalizimi si një sfidë politike" quhet libri më i ri i nxjerrë në tregjet perëndimore nga eksperti i ekonomisë frënge, Daniel Cohen. Ai është profesor i shkencave ekonomike në Paris dhe ish-këshilltar ekonomik i Kryeministrit francez, Lionel Jospin. Origjinali në frëngjisht është botuar për herë të parë në vitin 2004 nën titullin: "La Mondialisation et ses ennemis" (Globalizimi dhe armiqtë e tij). Në këtë libër, për lexuesit dalin në pah shumë pikëpyetje gjatë leximit, ndërsa për shumë të tjerë, sigurisht se gjenden plot përgjigje në rreshtat e mendimet e hedhura aty nga autori: Si e përshkruan Cohen globalizimin? Kë sheh ai si armik të tij? Cilat mendime dhe impulse ndërvepruese rezultojnë për një politikë të orientuar tashmë globalisht?

Globalizimi, jo një fenomen i ri

Për sa i përket fenomenit aktual që po përjeton bota në lidhje me atë çka ne e quajmë tashmë "globalizim", Cohen bën dy përcaktime, apo më mirë përmend dy valë globalizimi në librin e tij: këta, sipas tij, janë spanjollët para 500 viteve, që zbuluan të parët Amerikën dhe e pushtuan atë, dhe nga ana tjetër aftësitë ushtarake, tregtare e detare të britanikëve në shekullin e 19-të me themelimin e kolonive, që te libri i Cohen cilësohen si "Vendet partnere". Trajtuar në aspektin ekonomiko-historik, autori mendon se "me metrin" e atëhershëm u arrit më së miri të krijohej tregu global brenda kufijve të asaj që njihet si "British common wealth". E kjo mund të ishte fare mirë një paralele për globalizimin e sotëm dhe nëpërmjet shembujve autori përshkruan se si shoqëritë e prapambetura nuk mund t‘u rezistojnë dot atyre më të përparuarave me një kulturë e teknologji më të avancuar. Globalizimi në vlerësimin e Daniel Cohen është një proces zhvillimi ekonomik që tenton më shumë mirëqenie materiale. Ai konstaton se njerëzit, për arsye të mjeteve të sotme moderne të komunikimit, janë të prirur kah globalizimit.

Nga se duhet të kemi frikë?

Në mënyrë interesante, specialisti i ekonomisë, Cohen, thotë se në vendet e industrializuara me nivel të lartë mirëqenieje, globalizimi perceptohet si një kërcënim, "një perceptim që në fakt u përgjigjet ndoshta vetëm kufijve të fantazisë". Ai më tej pyet diku në rreshtat e librit të tij se "përse globalizimi sot është ngulitur në një masë aq të madhe në kokat e njerëzve". Tregtia ndërkombëtare, sipas mendimit të tij, ndikon pak mbi tregun e vendeve të punës në vendet e industrializuara. Por përtej kësaj, kush janë sipas mendimit të Cohen armiqtë e globalizimit? Ai përcakton dy grupime kryesore: mullahët, që bëjnë thirrje për "luftë të kulturave" e që përbuzin vlerat perëndimore, dhe grupimi tjetër janë "armiqtë fondamentalistë të çdo lloj forme të kapitalit", që bëjnë thirrje përditë për luftë globale klasash. Ata të gjithë pra, arrin në përfundimin e tij Cohen, gabohen tek e fundit kur mendojnë se globalizimi është ai që dëshiron t‘u imponohet popujve me një model të paracaktuar e të huaj për ta, e që ata vetë e refuzojnë. Më tej, me analizat e shembujt që sjell, ai shpesh i referohet historisë. Një përqasje e tillë e ndihmon atë të sjellë në kujtesë edhe fiaskot ekonomike e dështimet politike në vende të tilla postkoloniale në Afrikë, apo dhe në disa nga vendet islamike.


Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama