Per dy jave e kam pergatitur koleksionin tim

Për dy javë e kam përgatitur koleksionin tim

Mbi të gjitha për herë të parë koleksionet e stilistëve shqiptarë do të shfaqen në televizionin prestigjioz të modës “Fashion TV” nën emrin “Java e modës shqiptare”. Rezarta Skifteri është prej stilisteve, e cila ka prezantuar koleksionin e saj të vjeshtë-dimër 2007 duke rikonfirmuar suksesin e saj si një stiliste e mirënjohur, veshjet e së cilës tërheqin sytë edhe të atyre që kanë marrë pjesë në sa e sa sfilata të huaja. Në një intervistë për “Tirana Observer” ajo tregon rëndësinë e javës së modës shqiptare dhe ndodhitë e ecurinë e veshjeve në pasarela.

Kjo është hera e parë që në Shqipëri zhvillohet java e modës. Sa e rëndësishme është kjo risi në modën shqiptare për stilistët?

Kjo është hera e parë që java e modës organizohet në Shqipëri dhe është shumë e rëndësishme për stilistët shqiptarë si edhe për të gjithë dashamirësit e modës. Është e rëndësishme pasi ishte mundësia e stilistëve për të paraqitur nëpër pasarela tendencat e secilit. Do të thoja që është një ndër shanset më të mira për t’i dhënë stilistëve mundësinë për të paraqitur tendencat në atë pasarelë javën e modës. Ajo çka është e rëndësishme gjithashtu është fakti se ndërkohë, java e modës jo vetëm që është shfaqur në Shqipëri, por këto sfilita do të paraqiten më pas edhe në Fashion TV. Kështu përveç faktit që bëhen sfilata brenda për brenda vendit, vendet e tjera kanë shikojnë dhe krijimtarinë e punën e stilistëve shqiptarë. Kjo është në radhë të parë meritë e organizatores së shoqatës së stilistëve që është Diana Cekodhima. Ndërkohë duhet thënë që në vitet e tjera mbase do të bëhet akoma më mirë për faktin se do të kemi edhe më shumë ndihmesë nga ana financiare.

Si ka ecur paraqitja e koleksioneve përgjithësisht duke pasur parasysh se bëhet fjalë për herën e parë të një jave mode?

Secili stilist ka realizuar linja të ndryshme të veshjeve dhe të natyrave të ndryshme. Gjithsesi çdo gjë ka shkuar mirë, probleme ka pasur në realizimin e skenës pasi koha në dispozicion ka qenë shumë e shkurtër. Java e modës paraqet çdo ditë një stilist të caktuar dhe çdo stilist ka vështirësi në skenë pasi ajo duhet të ndryshohet krejtësisht në varësi të koleksionit të radhës. Ndaj është shumë e vështirë që një skenë të ndryshohet për disa orë. Megjithatë duhet thënë se çdo gjë ka shkuar mirë, gjithçka ka qenë në rregull. Veshjet janë pëlqyer edhe janë blerë. Konkretisht në sfilatën time kanë qenë dhe njerëz të huaj, jo shqiptarë, të cilët kanë parë sfilata edhe jashtë dhe mendojnë se Shqipëria është në rregull në këtë drejtim, sipas asaj që ata më thanë ditën ë sfilatës. Kështu që mendoj që kjo gjë tregon se organizimi ka qenë i mirë. Nga veshjet e mira personalisht Eranda Libohova ka kërkuar të blejë dy ose tre të tilla.

Si i ndihmon konkretisht stilistët organizimi i një jave mode?

Java e modës ndihmon shumë në fillimin e një bashkëpunimi me firma për të realizuar veshje në seri, sepse “alta moda” janë veshje që krijohen në atelie, janë veshje unike që krijohen për personalitete të spektaklit përgjithësisht. Ndërsa “prêt-aporte” janë veshje të ditës, praktike dhe që mund të shiten normalisht nëpër butikë. Shpresojmë që kjo të jetë një mundësi e mirë për t’i hedhur pra në treg këto veshje.

Sa kohë u është dashur të punoni për të përgatitur koleksionin që paraqitët në javën e modës?

Unë të them të drejtën kam qenë shumë e ngarkuar duke u marrë me veshjet e Eurovizionit dhe kam pasur vetëm 15-20 ditë kohë për të realizuar veshjet.

Po për sa u përket modeleve, si funksionon përzgjedhje e tyre?

Modelet i zgjedh vetë secili stilist. Në këtë rast u bënë tre lajmërime dhe vajzat duhet të vinin në një ambient, ku stilistët mund t’i shihnin. Duheshin vajza me eksperiencë dhe minimumi i gjatësisë të ishte 1.72 metra. Unë personalisht doja që vajzat të ishin patjetër me linja të ngushta, me pak gjoks dhe me këmbë tepër të holla.

Përveç javës së modës, ju konkretisht a keni ndonjë projekt personal në fushën e modës?

Unë kam në fakt tre projekte të miat personalë por problemi është se nuk mund t’i them pas e kam rregull që të mos flas deri sa gjërat të përfundojnë. Të tre projektet janë menduar nga vetë unë dhe shpresoj t’i realizoj. Doja të shtoja dhe diçka tjetër në lidhje me javën e modës. Do doja të falënderoja parukeri “Klodis”, të falënderoj modelin si dhe stafin që më ka ndihmuar që nga veshjet e me të gjithë gjërat. Gjithashtu dua të them se veshjet e mia mbajnë stampën time që është prodhuar në Itali, ku prodhohen stampat e stilistëve të njohur.

Linda Poda, e zgjedhura e stilistëve

Ajo u shfaq fuqishëm në botën e modës, sidomos në stilatën e veshjeve të Joni Peçit para disa kohësh. Vetë stilisti do ta cilësonte atë si një forcë dhe një personalitet të jashtëzakonshëm fotografik. Në javën e modës që u zhvillua në Tiranë, Linda do të ishte sërish e përzgjedhura e stilistëve, me përmasat e përshtatshme trupore të shoqëruara me një elegancë të rrallë në lëvizje. Elegancë e finesë që i kanë rrënjët në mësimet e hershme të baletit e pianos. Të shoqëruara këto me vendosmërinë e natyrshme për të vënë vulën e personalitetit të saj në skenë. Kështu, vajza që në moshën 15-vjeçare njihej si kampionia e parë e dansit sportiv në Shqipëri, tashmë po fillon të njihet si kampionia e pasarelave shqiptare të modës.


Blendina Cara - Gazeta TiranaObserver


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama