Une dhe femrat me kembe te gjata

Unë dhe femrat me këmbë të gjata

Sipas regjisorit Tarantino, janë këto personazhet që i japin ngjyra të forta filmit të tij të fundit, që në kinemanë moderne mund të përkufizohet "Grindhouse" i kategorisë "B", filma të mbushur me skena seksi e dhune.

Protagonisti i filmit është një njeri që për profesion ka akrobacitë me makina (Mike, i luajtur nga aktori Kurt Russell) dhe një harem i përbërë nga tetë femra, mes të cilave kush është "viktimë", kush "hakmarrësja e pamëshirshme".

Gjatë gjithë pjesës së parë të filmit ju nuk bëni tjetër veç inkuadroni këmbët e Jungle Julia (Sydney Tamilia Poitier) nga çdo kënd i mundshëm. Janë të bukura, si ato të Uma Thurman?

Epo, i ka shumë të bukura, të formuara mirë. Por ngadalë me krahasimet, këmbët e secilës kanë të veçantën e tyre.

Po ju e zgjodhët aktoren pikërisht për këmbët?

Jo, më interesonte e gjithë pakoja, një element i së cilës ishin edhe një palë këmbë që nuk mbaronin kurrë. Kur nisa të ngre trupën e aktorëve që do të luanin në film, kërkova "shpirt amazonash".

Meqë ra fjala te zgjedhja e aktorëve, a është e vërtetë që u keni kërkuar të gjitha vajzave të paraqiteshin në provat e pranimit të veshura me minifund dhe me "infradit" (pantofla të mbajtura vetëm nga një shirit i hollë mes gishtërinjve të këmbës)?

Sigurisht, jam xhentëlmen, nuk mund t‘u kërkoja të vinin lakuriq.

Është kjo "metoda e recitimit alla tarantino"?

Jo, kjo është metoda e recitimit Grindhouse. Në këto lloj filmash, në rast se nuk tregon pak "mish", rrezikon të përballesh me revoltën e spektatorëve dhe në më të keqin e rasteve t‘u kthesh mbrapsht paratë e biletës. Ndërsa gjetja e minifundeve dhe infraditëve më shërbeu shumë për të vlerësuar sensin e humorit të aktoreve. Është një element bazë për këdo që mendon të punojë me mua.

Kanë kaluar tashmë katër vite nga "Kill Bill", ndërkohë që "Death proof" është filmi juaj i pestë në 15 vite. A nuk ju duken si pak?

E vetmja periudhë gjatë së cilës i kam lejuar vetes pushime ka qenë pas përfundimit të filmit "Jackie Brown". "Kill Bill" vlente sa për dy filma të mirëfilltë. Ndërsa një vit më pas xhirova një episod dy orësh të serialit televiziv "Csi".

Kështu nuk ka kurrë pushime e pauza?

Pushimi im është si ai i luftëtarëve: të shkruash, të shohësh, të nuhasësh, të ushqehesh me filma. E konsideroj veten student me kohë të plotë dhe jam duke përgatitur tezën me të cilën do të mbroj diplomën. Dita e vdekjes do të më vijë kur të diplomohem.

Filmat janë më mirë se femrat?

O Zot, çfarë pyetjeje. Në ditët me shi ndoshta po, por megjithatë pikëpyetja është shumë e fortë. A mund të mos e bëj këtë zgjedhje?

Sipas kritikës: Tarantino nuk pranon të rritet. Ka fituar çmimin "Oscar" me filmin "Pulp fiction" 13 vjet më parë, por pas kësaj vetëm ka "luajtur". Mbrohuni!

Unë jam regjisor i një zhanri disi të veçantë dhe jam mjaft krenar për këtë. Më të kulturuarit më quajnë postmodern. Në thelb të gjithë janë regjisorë zhanri, edhe gjenitë si John Cassavetes apo Federico Fellini. Kanë shpikur edhe nga një zhanër të vetin.

Të kthehemi tek amazonat tuaja të adhuruara. Do t‘ju kishte pëlqyer të gjendeshit në vend të personazhit kryesor të filmit, akrobatit Mike?

Kur e rrahin? Jo, faleminderit. Mund të jem fetishist, por kurrë mazokist. Në vend të shqelmave parapëlqej puthjet. Herën e fundit që kam parë atë skenë vura re se dy nga tri vajzat mbajnë veshur doreza. Nuk kam asnjë plan të parë duarsh të zhveshura që godasin në trupin e akrobatit fatkeq. Duhet ta mbaj parasysh këtë për herën tjetër, ajo skenë mund të ishte shumë më seksi nga ç‘është.

Përse në filmat e kategorisë "B" vërehen aq shumë gra të forta, ndërsa në kinemanë e kategorisë "A" ndeshen shumë rrallë?

Nuk është e vërtetë, skena të veçuara hasen gjithandej. Te "Një kaskadë diamantesh" Bambi e Thumper rrahin James Bond pa pikën e mëshirës. Ndërsa për sa u përket këmbëve të bukura, mund të përmend një pafundësi rastesh: Alfred Hitchcock, Luis Bunuel, Samuel Fuller, që të gjithë mjeshtra të mëdhenj, magjistarë të kamerës. Jam i sigurt se joshja nga këmbët e bukura i ka ndihmuar të gjejnë këndet më të bukura për të vendosur kamerat.

Është e vërtetë që fillimisht kishit ndër mend aktorin Sylvester Stallone në rolin e protagonistit?

Më shkoi mendja edhe për Mickey Rourke, por teksa shkruaja skenarin mendova se nuk ishte shumë i përshtatshëm. Në fund, pasi pashë filmin "Planet terror" të regjisorit Rodriguez, mendova se Kurt Russell mund të ishte i përkryer për atë rol.

Do t‘ju pëlqente të punonit me aktoren Sophia Loren?

Padyshim, sigurisht që do të më pëlqente shumë. Por kam frikë se do ndihesha i druajtur përballë saj.

Të hidhemi te një tjetër përcaktim që ju tërheq shumë: zhanri "hostel" përfshihet në një rrymë të re të përkufizuar "gorno" (nga bashkimi i fjalëve gore me porno), që mund të përmblidhet me fjalët "tortura shik". Ju bën nervoz ky lloj përcaktimi?

E pse, është i bukur, i sajuar, me fantazi.

Horrori, sa më i ashpër të jetë, aq më mirë. Janë japonezët ata që po përpiqen të risjellin në ekranin e madh nënzhanrin ku dominojnë kasapët e pashpirt. Ne amerikanët veç mundohemi të mos mbetemi pas tyre.

Keni ndonjë peng?

Mendoj se jam nënvleftësuar si aktor. Te filmi "Planet terror", në rolin e përdhunuesit numër 1, më duket vetja mjaft i zoti.

Në rast se do të luhej një film mbi jetën tuaj. Cili do të donit të ishte aktori kryesor?


Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama