“Lehje nëpër natë”, kështu titullohet filmi i tij me skenar të Vangjel Kozmait, një nga projektet fituese të Qendrës Kombëtare Kinematografike i cili sapo ka nisur xhirimet. Në qendër të filmit të tij do të jetë realiteti shqiptar në tranzicionin e pas viteve ’90 dhe tragjedi njerëzore. Ato çka shumëkush i ka përjetuar si një makth i keq në udhëkryqin shqiptar, regjisori Spartak Pecani po i hedh në shirita filmi. Realizimi do të jetë një bashkëpunim mes kompanive “S.A.E Trimex” në Shqipëri, “Concordia Pictures” në Kosovë dhe “Netzwerkfilm” në Gjermani.
Historia
Nëpërmjet zhvillimeve dhe rrëfimeve të një banori të vetmuar të quajtur Landi, ne mund të zbulojmë fatin e individit në Shqipëri.
Subjekti i këtij filmi merr shkas në një lagje ku të lehura të egra dhe të frikshme zgjojnë gjithë lagjen; lehje këto që nuk janë të lehura të një qeni por të një banori të vetmuar të quajtur Landi, i cili pasi raportohet nga komshinjtë dërgohet në një spital psikiatrik, ku nëpërmjet zhvillimeve dhe rrëfimeve të tij ne mund të zbulojmë fatin e individit në Shqipëri, ku nga gjithë ky kaos njeriu mbetet i vetmuar. Landi aksidentalisht miqësohet me një qen të humbur dhe në zhvillimet e mëvonshme do të mësojmë se ky qen është i një ambasade të huaj. Zhvillimet e mëtejshme do ta çojnë Landin në mbrojtje të kësaj qenieje, që e bën të mos e ndiejë veten pa komunikim. Në këtë histori mjeku ndjen hap pas hapi jo vetëm historinë e tij, por edhe të vetën së bashku me mijëra bashkëkohës të gjeneratës së tranzicionit, për të arritur në një finale të jashtëzakonshme, në një çmenduri totale, siç shprehet regjisori Pecani, ku jo vetëm Landi dhe mjeku “por i gjithë kombi në një natë vjen në një ulërimë të trishtë dhe në një agim të dyshimtë”. “Të gjithë personazhet janë viktima, pasojë të një realiteti shqiptar”, - thekson Pecani. Në dhomën e Landit të gjithë do të gjejmë personazhe të ndryshme nga të gjithë shtresat. Një i çmendur pret vdekjen poshtë një batanijeje, i bindur se parajsa që e pret është më e mirë se bota njerëzore. Një tjetër gris gjithë ditën gazetat. Një tjetër përfaqëson çmendurinë e ushtrisë. Një vajzë ka humbur identitetin e saj. Ajo nuk e di se cila është dhe kërkon vazhdimisht veten e saj...
Rrëfimi i regjisorit
“Sekretet e një të çmenduri” ka si qëllim të hapë me modesti kutinë e sekreteve të një vendi, duke imagjinuar se çfarë drejtimi mund të marrë gjenerata e ardhshme, duke propozuar nëse jo një zgjidhje, të paktën një lidhje me botën, një vigjilencë dhe përshtatshmërinë e domosdoshme të vetvetes”, - shprehet Pecani. Ndërsa për personazhet e tij, regjisori ka përzgjedhur emra aktorësh si Neritan Liçaj, Ndriçim Xhepa, Enver Petrovci, Ermela Teli, Burbuqe Çifliku, Eftiola Lsçka, Pandi Toçe, Arta Muçaj. Filmi është njëkohësisht një dramë psikologjike dhe një film alegorik. Pecani thotë se filmi i tij “Sekretet e një të çmenduri” bën një pyetje esenciale për Shqipërinë: çfarë u bë me fatin e shqiptarëve kur diktatura ra? A janë shqiptarët përgjithmonë të humbur nga diktatura apo ata kanë qenë të izoluar si nga ana ekzistenciale, kulturore, etj., që në lindje? Sepse sipas tij, “50 vjet shtypje lenë një shenjë kaq të thellë saqë populli kur fiton lirinë, mbetet thellësisht i paaftë që të marrë në dorë fatin e tij. Mbetet i verbër, i sëmurë, i çmendur, i humbur dhe kalon nga një gjendje terrori në një gjendje kaosi”.
E shkuara dhe e tashmja bashkëveprojnë gjatë gjithë zhvillimit dramatik të historisë: penetrimi i të shkuarës do të na lejojë të marrim të ardhmen në dorë - për sa i përket Landit - dhe e ardhmja do të na lejojë të pranojmë të shkuarën. Por siç thotë regjisori, filmi nuk do të përfundojë me mundjen e personazheve. “Nëse ata nuk mund të revolucionarizojnë ndërgjegjen e njerëzve, ata do të mund të jenë të aftë të kuptojnë gjendjen e tyre mendore dhe të pranojnë vetminë dhe izolimin e tyre, të imagjinojnë ëndrra të reja, me ideale të reja”.
Admirina Peçi - Gazeta Shqiptare











