Dua te kendoj vetem pop jeta ime eshte arti

Dua të këndoj vetëm pop, jeta ime është arti

Wanderlust" (Dëshirë për aventura) është kënga "simbol" e albumit tuaj të ri, ku flitet për nisjen nga qyteti dhe nga një port. Bëhet fjalë për ndonjë qytet apo ndonjë port në veçanti?

Unë jam shumë me fat, kam Islandën që është një nga vendet më paqësore në botë. Edhe në kohët e sotme ne nuk kemi ushtri. Kam një familje të madhe në Islandë, kam shumë miq dhe të afërm atje. Kam mundësinë që të bëj aventura të çmendura e më pas të kthehem këtu dhe të gjej qetësinë.

Aktualisht "baza" juaj është Islanda?

Ka qenë gjithmonë "baza" ime, por për shkak të punës më është dashur që të udhëtoj shumë. Që prej moshës 18 vjeçare- madje deri edhe pak kohë më parë -kam kaluar ndoshta gjysmën e kohës larg nga Islanda, por gjithmonë jam përpjekur me të gjitha mënyrat që gjysmën tjetër ta kaloj aty.

Keni jetuar edhe në Nju-Jork. Vazhdoni akoma të keni mbështetje atje?

Po, është e vërtetë. Është Nju-Jorku qyteti dhe porti prej të cilit largohem në fillim të këngës "Wanderlust". Vitin e kaluar bleva një varkë...


Vërtet? Nuk është vetëm një element në këngë?

Jo, është e vërtetë. Pasi e bleva jetova në varkë, në Manhatan. Të qëndroja akoma mes atyre grataçelave më shkaktonte klaustrofobi. Kështu që mendova se, duke jetuar në një varkë, mund të ikësh kur të duash për të marrë ajër në Atlantik dhe pastaj të kthehesh sërish pas.

Është një varkë me vela?

Jo, është një varkë me motor. Tani për tani ndodhet në Nju-Jork, por e kemi blerë në Maltë dhe prej aty e kemi çuar në Tunizi. Pjesën më të madhe të këtij albumi e kam incizuar në varkë, në brigjet e Tunizisë.

E keni kaluar me varkë Atlantikun deri në Nju-Jork?

Po.

Sa kohë u desh?

Pothuajse tre javë nga ishujt Cabo Verde deri në Barbados.

Çfarë do të thotë "Earth Intruders"? Qenie tokësore që pushtojnë planetët e tjerë, apo alienë që pushtojnë tokën?

Nuk e di. Kënga ka pasur një përgatitje të çuditshme. Në përgjithësi të bërit muzikë për mua është një aktivitet i hemisferës së djathtë të trurit. Diçka shumë intuitive dhe njëkohësisht impulsive. Pastaj shkruaj tekstet. Është e vështirë për mua, ka shumë mundësi që bëhet në një aktivitet të hemisferës së majtë. Në të vërtetë, "Earth Intruders" ka përfaqësuar një nga herët e pakta kur shkrimi i teksteve i detyrohej aktivitetit të hemisferës së djathtë. Një vit më parë, me ftesë nga UNICEF, shkova në Indonezi në Aceh, një provincë në veri të Sumatrës, më e goditura nga Tsunami, që në atë zonë vrau nga 180000 deri në 300000 persona. Edhe pse kishte kaluar një vit nga Tsunami i fundit në qytetin që vizitova, njerëzit gërmonin akoma për të kërkuar eshtrat, objektet dhe veshjet e njerëzve të tyre të dashur. Edhe në atmosferë ndihej një ajër i rëndë. Kjo gjë më preku shumë, sepse kurrë më parë nuk kisha parë diçka të tillë.

Ishit atje si ambasadore e UNICEF-it?

Jo, nuk mendoj se do të isha e zonja për atë rol. Më ftuan për një arsye tjetër. Kur ndodhi Tsunami u kërkova fansave të mi në internet që të bënin një remiks të pjesëve të mia. Bëhej fjalë për një CD ("Army of My"), ku lekët që do të mblidheshin nga shitja do të shkonin për viktimat e Tsunamit. Vitin tjetër më pyetën nëse doja të shkoja në vend dhe të shihja se çfarë ishte bërë me ato para. Vendosa të shkoja. Mbi avionin që po më çonte në Nju-Jork për të punuar me Timbland, bëra këtë ëndërr të çuditshme.

UNICEF kërkonte të më bindte që të pranoja rolin e ambasadores në Afrikë, ku organizata vepron në luftën kundër SIDA-s. Më kishin dhënë shumë materiale mbi këtë temë dhe unë i kisha lexuar në avion. Por më zuri gjumi. Ëndërrova një Tsunami njerëzish nga Indonezia dhe Afrika, që shkatërronin Shtëpinë e Bardhë dhe Uashingtonin. Merrnin ç‘të mundnin, pushtet, para dhe mundoheshin të ekuilibronin padrejtësitë në botë. Ishte një ëndërr shumë e bukur. Pasi mbërrita në studio, Timbaland luajti këtë ritëm dhe fjalët më dolën tamam si një Tsunami. Doja të ndërhyja për t‘i dhënë më shumë logjikë tekstit, por nuk ma dhanë lejen ta bëja. Teksti është plot kontradikta, por mendoj se aty brenda është edhe konfuzioni i lindur nga emocioni: zemërimi për padrejtësitë, komplikacionet e luftës në Irak dhe rruga që vendet më të mëdha të botës përdorin për të zgjidhur problemet e rëndësishme. Por pjesa më e madhe e këtij albumi lind nga impulsi. Atë ditë Timbaland kishte ardhur në studio me "jet"-in e tij privat. Jam e sigurt që 200 vjet më parë paraardhësit e tij kanë qenë skllevër. Është fantastike që ai ka sukses.

Ju keni bashkëpunuar me muzikantë të tjerë, apo jo?

Gjithçka ka qenë rastësi. Nuk kisha ndërmend të punoja me artistë të ndryshëm afrikanë. Tani kam "Konono No1", një grup eksperimental kongolez dhe "Toumani Diabate" nga Mali, që i bien korës (instrument muzikor afrikan). Në këngën "I see who you are" është një lahutë kineze, ndërsa në "My Juvenile" një lloj klavicembali.


Le të kthehemi tek arti: bashkëshorti juaj, Matthew Barney, është një artist shumë i njohur i artit viziv. Një kritik i "New York Times" e ka përcaktuar si një nga artistët më të rëndësishëm amerikanë të brezit të tij. Ai bën art "serioz", ndërsa ju muzikë pop. Është një situatë konfliktuale për ju?

Jo do të thosha. Madje më duket shumë interesante që shumë njerëz, kur flitet për artin, mendojnë vetëm për artin viziv, mendojnë për një pikturë në muze. Unë jam një artiste ndryshe. Mendoj se pjesa më e madhe e njerëzve e ekzagjerojnë rëndësinë e asaj që është vizive në botë. Për muzikën time edhe unë kam pasur të bëj me artin viziv. Në fillim ishte për t‘i garantuar publikut një akses më të mirë për muzikën time. Por arti viziv është i rëndësishëm në llojin e vet.

Çfarë është për ju arti?

Është një pyetje e vështirë. Jam e sigurt se do të jepja një përgjigje të ndryshme në çdo ditë të vitit.

Po ajo e juaja cila do të ishte?

Mendoj se arti është një mënyrë për të shprehur vetveten. Ndien një presion të madh brenda vetes dhe përpiqesh të gjesh një nivel të barabartë presioni si brenda, ashtu dhe jashtë vetes.


Me veprat e artit viziv mund të fitosh shumë. Nuk ju vjen keq që nuk mund ta bëni diçka të tillë me muzikën?


Ndoshta është më mirë kështu. Për mua është e rëndësishme që çmimi i një CD nuk ndryshon, pavarësisht se bëhet fjalë për Abba-n, Bethoven-in apo Bjork-un dhe kjo është diçka shumë pozitive.


Bjork

Bjork Guomundsdottir ka lindur në Rekjavik, më 21 nëntor të vitit 1965 dhe është një muzikante, kompozitore dhe këngëtare islandeze. Karriera e saj muzikore ka lindur qysh në moshën 11-vjeçare, duke studiuar për vite me radhë piano. Një nga mësuesit e saj të asaj periudhe vendosi të transmetonte në "Radio One" të Islandës një nga këngët e Tina Charles, "I love to love", që Bjork kishte kënduar në shkollë. Kënga u transmetua në të gjithë vendin, ndërsa Bjork vetëm një ditë më pas mori një ofertë nga një prej shtëpive diskografike më të mëdha në vend. Karrierën si soliste Bjork e ka nisur me albumin "Debut" nw vitin 1993 qw pati një sukses të jashtëzakonshëm në Islandë dhe më pas në të gjithë botën. Që atëherë ajo ka nxjerrë në treg 6 albume dhe ka kënduar shumë pjesë singëll, duke u bërë një nga këngëtaret më të mëdha pop islandeze. Albumi më i fundit i saj titullohet "Volta", ku ka bashkëpunuar me producentin muzikor amerikan, Timbaland.

 

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama