Në opinionin e përgjithshëm mendohet se personaliteti i aktorit Hugh Grant ka shumë gjëra të përbashkëta me atë të roleve thuajse identikë që luan në kinema, ku shfaqet gjithmonë si një beqar i pakorrigjueshëm, disi i papërgjegjshëm, por mbi të gjitha mjaft i sjellshëm e tërheqës. Duhet të ketë qenë kjo arsyeja për të cilën agresiviteti me të cilin u sul kundrejt një fotografi u ka bërë të gjithëve përshtypje.
Ajo që e bëri disi më të çuditshme të gjithë këtë histori ishte këmbëngulja e fotografit se në vendin e agresionit gjendej jo për aktorin, por për ish të fejuarën e tij, Elizabeth Hurley, me të cilën aktori pati një histori 14-vjeçare. Që Hugh Grant ishe veshur me pantallona të shkurtra, ato që përdor për të shkuar në palestër, veç e bëri më komike të gjithë këtë tablo.
Por çfarë po ndodh me aktorin Hugh Grant? Përse nervat e tij janë dobësuar në këtë pikë kohët e fundit?
Hugh Grant e portretizon veten si një student të përhershëm me sens disi të vrazhdë humori, një artist të torturuar që e kalon kohën duke punuar me novela e skenarë filmash dhe si një aktor shumë kërkues që ia bën jetën shumë të vështirë kujtdo që ka të bëjë me të në sheshin e xhirimeve. Të premten, ditën kur thuajse të gjitha gazetat nisën të rrëmonin në historinë e rrahjes së fotografit, Hugh Grant sapo po merrte dëmshpërblimet nga "Daily Mail" dhe "Mail on Sunday" për shkak të shpifjeve që kishin publikuar në faqet e tyre mbi një ndarje të tij nga Jemima Khan, për shkak të lidhjes me një grua tjetër.
Ka të vërteta në të gjitha këto anë të aktorit Hugh Grant. Nuk duhet harruar gjithashtu se pavarësisht titujve të revistave e gazetave skandaloze, kemi të bëjmë me një aktor të përmasave të rëndësishme. Mund të jetë shprehur shpesh se "nuk ka ndonjë interes të veçantë për të luajtur filma dramatikë", por është padyshim aktori britanik që shet më shumë se gjithë të tjerët përtej kufijve të vendit të tij.
Eric Fellner, një emër i madh në industrinë e filmave në Angli, producent i disa prej sukseseve dhe njëherësh bashkëpunëtor dhe mik i ngushtë i aktorit, shprehet me siguri se "Grant është një ndër komikët më të mirë në vend. Repertori i tij nuk është shpalosur në gjithë kapacitetin që ka, por të gjitha performancat janë unike".
Jo të gjithë bien dakord në këtë pikë. Grant akuzohet se ka luajtur të njëjtin rol përsëri e përsëri që në çastin kur arriti të fitonte famë ndërkombëtare në vitin 1994 me filmin "Katër martesa dhe një funeral". Sipas kritikut të gazetës londineze "Observer", Philip French, një ndër zërat më të rëndësishëm në industrinë e filmave në Britani: "Aktori ka luajtur gjatë gjithë karrierës të njëjtin rol: anglezin seksi e simpatik. Nga shfaqja e tij e parë te filmi ‘Privilegji‘, kur ishte ende i panjohur për publikun, përgjatë gjithë periudhës së filmave që ka luajtur me Merchant Ivory, e për të arritur deri te bashkëpunimi me Richard Curtis, gama e roleve të tij është aq e hollë sa ç‘është një letër cigareje".
Sidoqoftë, kritiku Philip French është i bindur se Grant i përshtatet në mënyrë të përsosur kësaj game dhe është i një mendjeje me Fellner në pikën që tempizmi i aktorit është ku e ku më i lartë se i gjithë të tjerëve. Colin Firth, i cili në shumë filma ka luajtur kundërshtarin e tij, thotë: "Janë vërtet shumë, shumë të paktë ata njerëz që kanë stilin dhe sensin e tij të ironisë në kinema".
Dhe të gjithë janë të detyruar të bien dakord që Grant, si shumë pak të tjerë, arriti t‘i veshë me ironi, pavendosmëri e sarkazëm rolet e tij të fundit, siç mund të vihet re lehtë në rolin e dashnorit karizmatik te Daniel Cleaver, apo te gjykatësi i ftohtë e i rreptë në spektaklin e përzgjedhjeve të talenteve që luan në "American Dreams".
Sipas vetë aktorit, kjo risi ishte më se e mirëpritur. "Jam mërzitur së interpretuari ‘djalin simpatik‘, dhe mendoj se një gjë e tillë ka mërzitur gjithë të tjerët, duke filluar nga bashkëpunëtorët e mi e deri te publiku", u shpreh pak përpara se të hidhej nëpër kinema filmi "Ditari i Bridget Jones". Dhe këtu nuk mund të themi se s‘ka fare të drejtë. Brenda dhe jashtë kinemasë Grant është një përzierje e djalit të këndshëm me pleiboin e pakorrigjueshëm. Shpesh nuk mungojnë as çastet ku në pah del njeriu me probleme në sjellje.
Sidoqoftë, përgjatë gjithë kësaj situate kontradiktore, aktori shprehet se në të vërtetë aktrimi nuk i pëlqen. Ndërkohë që Fellner shkruan se bëhet fjalë "për një periudhë zhgënjimi" dhe këmbëngul se "megjithatë Hugh është aktor dhe do të aktrojë gjithnjë". Nga ana e tij, Grant u thotë gazetarëve të shumtë që e intervistojnë se i është përkushtuar shkrimit të një novele apo skenari filmi, duke shtuar se edhe mund të mos e përfundojë kurrë.
Pas universitetit aktori shkroi dhe luajti një komedi, për të cilën shprehet se "të qeshurat ishin 60 herë më të këndshme se ato të zakonshmet, pasi gjithçka e kishte shkruar me dorën e vet". Fellner shkruan se shpreson shumë që Hugh Grant një ditë do të arrijë të përfundojë një nga skenarët e tij e që ndoshta kjo do ta shtyjë të bëjë edhe regjinë e ndonjë filmi: "Është jashtëzakonisht shumë i talentuar dhe mund të kontribuojë në mënyrë të shkëlqyer në të gjitha fazat e filmit".
Hugh Grant ka lindur në vitin 1960 në Hammersmith, një zonë në perëndim të Londrës. Babai i tij, ish-ushtarak dhe pronar i një kompanie për prodhimin e tapeteve, quhet James Murray Grant, ndërsa e ëma, Fynvola, vdiq në vitin 2001 për shkak të kancerit. Studimet fillore i kreu në Wetherby, ku studiuan më pas edhe princat e Britanisë, William dhe Harry, më pas ndoqi në Latymer një shkollë private, ku fitoi edhe të drejtën për të vazhduar studimet e larta në New College të Universitetit prestigjioz Oxford. Së fundmi është mësuar se aktori është ofruar të ndihmojë financiarisht çdo vit një nxënës që të ndjekë po këtë rrugë shkollimi deri në universitet.
Në universitet u bë pjesë e "Piers Gaveston Society", shoqëri mjaft e përfolur për sjelljet e tepruara, sidomos për mënyrën e të veshurit nëpër festa. Kjo shihet si një përpjekje e aktorit për të dalë nga skema e pjesëtarit të denjë të shtresës së mesme e për t‘u hedhur në një realitet më të gjallë dhe eksitues.
Gjatë kësaj periudhe ai shfaqet edhe në filmin e tij të parë, "Privileged"- atëherë thirrej nga familjarët dhe miqtë e afërt Hjui -në rolin e një aristokrati invalid. Sipas Philip French, "filmi ishte i realizuar mjaft mirë për një djalosh të hedhur të Oksfordit", por performanca e Hugh Grant ra menjëherë në sy të agjentëve të talenteve të "William Morris Agency", të cilët e bindën të hidhte tej projektet për një doktoraturë në historinë e artit në institutin "Courtauld" të Londrës.
Në vitin 1987 luajti në filmin e prodhuar nga Merchant/Ivory "Maurice", i cili mund të quhet edhe suksesi i tij i parë i rëndësishëm. Pasuan filmat "Impromptu" në vitin 1991 dhe roli i një udhëtari të ri britanik në filmin "Bitter Moon" në vitin 1992, drejtuar nga Roman Polanski. Por duhej të vinte viti 1994 dhe filmi "Katër martesa dhe një funeral" që Hugh Grant të bëhej një yll i madh kinemaje. Në këtë film u krijua edhe imazhi i karakterit mosbesues e simpatik që do ta shoqëronte më pas gjatë gjithë karrierës, i cili për shumë është ai që portretizon edhe atë vetë në jetën e përditshme.
Me rritjen e famës, të njëjtën gjë bënë edhe paralelizmat mes roleve që luante dhe personalitetit të tij, të cilat arritën kulmet falë komenteve të bëra nga ai vetë mbi ngjashmërinë që kishte me personazhin tipik të shfaqur në filmin "Music and Lyrics". Me sjelljet ironike të mbushura me humor, Grant duket se nuk bën shumë përpjekje për t‘i ndalur këto paralelizma. Vazhdimisht e quan veten "të turpëruar" për dashurinë ndaj golfit, ndërkohë që nuk humbet asnjë rast për të folur për këtë sport.
Mes gjithë karaktereve që ka luajtur, Hugh Grant shprehet se ndihet më i afërt me Uillin në filmin "Për një djalë", i bazuar në librin e autorit Nick Hornby, në të cilin flitet për një burrë që nuk pranon faktin se ka ardhur çasti të rritet e të marrë përsipër përgjegjësitë që vë përpara mosha madhore. "Pjesën më të madhe të jetës e kam kaluar duke u sjellë si një i papërgjegjshëm nëpër Londër... Kam shumë nga ato gjëra që Uilli bën në film", është shprehur në një intervistë. "Luaja gjithë kohës bilardo dhe e ndaja ditën në hapësira kohore gjysmëorëshe. Mund t‘ju tregoj me saktësi ç‘ka televizori pasditeve".
Në marrëdhëniet me femrat gjithashtu atij i pëlqen së tepërmi të sillet në mënyrë të dyzuar. Luan mes angazhimeve nga më seriozet në marrëdhënie nga më të komplikuarat e më të paqëndrueshmet. Për plot 14 vite, nga 1986-ta deri në 2000-ën, mbajti një raport të qëndrueshëm me yllin tjetër të kinemasë britanike, Elizabeth Hurley, por në vitin 1995 u arrestua në Los Angelos për shkak të një incidenti që zuri faqet e para të shtypit botëror me një prostitutë të quajtur Divine Brown.
Iu desh të dilte personalisht përpara ekraneve amerikane për të kërkuar ndjesë. Performanca e tij në këtë rast, ku bëhej fjalë që Grant të luante Hugh Grant, ishte thjesht e mrekullueshme dhe bëri të gjithë shikuesit ta falnin. Të njëjtën gjë bëri edhe Elizabeth Hurley, e cila në atë moment pranoi të hidhnin gjithçka pas krahëve. Në vitin 2004 u lidh me Jemima Khan. U ndanë përpara pak muajsh, pasi ajo donte të martohej, ndërsa Grant as që e kishte ndër mend një gjë të tillë. Ndërkohë, nga të përditshmet e të përjavshmet e thashethemeve VIP, mësohet se kohët e fundit kalojnë shumë kohë nën shoqërinë e njëri-tjetrit.
Ana e tij më e paqëndrueshme shfaqet në raportet e vështira me shtypin. Kiki King, një ndër penat më të forta kur bie fjala për VIP-at britanikë, që ka pasur rastin ta intervistojë shumë shpesh, e përshkruan si "personazhin e famshëm më pak miqësor dhe më të bezdisshëm që ka takuar ndonjëherë. Me maninë për t‘iu kthyer shpinën gazetarëve, Grant shpesh mendohet si njeri që i rri me vetëdije larg kësaj loje". Sipas Fellner, Grant thjesht është "shumë i zgjuar" për ta lënë veten të bëhet pre e pyetjeve tinëzare, ndërkohë që urren me të vërtetë të ndiqet gjatë gjithë ditës nga gazetarë e reporterë, më shumë nga ç‘e urrente këtë gjë Julia Roberts, kur ishte në kulmin e famës.
Ndërsa vetë Grant mendon se ka ditur ta zgjidhë këtë vështirësi të vogël. Në kohën e arrestimit për shkak të prostitutës Divine Brown, i është përgjigjur një intervistuesi me fjalët: "Mendoj se tani kam mësuar si të sillem me shtypin britanik. T‘i godisja me çadrën e sime mëje nuk ishte zgjidhja më e goditur".
Por ngjarja e këtyre ditëve të fundit tregon qartë se nuk ka arritur ta zgjidhë përfundimisht raportin e vështirë me shtypin britanik.
Marre nga : Gazeta Shqip











