Luks pa Limit

Luks pa Limit

Çdo vit shiten miliona produkte luksi në të gjithë botën, një shifër që tregon qartë se sa të dhënë janë njerëzit sot pas qejfit dhe pas shpenzimeve paksa të "tepruara". Por, në të vërtetë, nuk ia vlen të pendohemi. Nëse njerëzit nuk do të kishin maninë për të pasur gjithmonë e më shumë, atëherë me siguri do të ishim akoma në epokën e gurit. Ndaj, kur ndeshemi me temën e luksit, rregulli i parë që duhet t‘i themi vetes është: nuk duhet të pendohemi për asgjë.

Thierry Pakuet, filozof që i ka kushtuar luksit vite të tëra studimesh, por edhe një libër ("Eloge du luxe"), nuk lëviz kurrë nga studioja e tij në qendër të Parisit. Ai është gjithashtu botues i njërës prej revistave më të mëdha parisiene, ku shpesh gjen artikuj që i kushtohen luksit dhe mirëqenies. "Luksi, thotë Pakuet, është padyshim një motor i progresit të transformimit kulturor dhe ekonomik. Kanë kaluar tremijë vjet e ndoshta më shumë, kur në fillim Bibla, pastaj latinët stoikë, kristianizmi e për më tepër komunizmi, ishin krejtësisht kundër luksit e mirëqenies. Por edhe Karl Marks, që në atë kohë i kishte kushtuar faqe të tëra shkrimeve të rëndësishme mbi kapitalizmin, e kishte kuptuar shumë mirë që luksi kishte funksion progresiv dhe relaksues në një shoqëri. Në fakt, nëse nuk do të kishte qenë për prirjen magjike për të pasur gjithmonë e më shumë se krijesat e tjera të gjalla, atëherë njerëzit akoma do të ishin duke ngrënë mish të gjallë si në kohët e lashta. Nuk do të kishte lindur as kuzhina, as konditat e tjera, as veshjet dhe as shpikjet e mrekullueshme si krevati, karrigia, tavolina dhe dritarja. Por jo vetëm kaq. Nëse në shekuj anijet e tregtarëve të mëdhenj të asaj kohe nuk do të kishin shëtitur nga Lindja në Perëndim për të kërkuar qelibar, mëndafsh, argjend dhe gjëra të tjera të çmuara, historia e njerëzimit do t‘i ngjante një filmi bardhezi dhe jo atij me shumëllojshmëri ngjyrash, shkëlqimesh, mrekullish dhe shumë të tjera që na tërheqin pa masë. Gurët e zbukurimit, miniaturat, stolitë e periudhës së mesjetës dhe rilindja nuk do të kishin ekzistuar kurrë, nëse ky fluks gjërash të çmuara nuk do të vinte në Evropë nga Persia dhe India. Por, në fakt, çfarë është luksi? Duke parë realitetin sot, luksi është një nga ata pak sektorë të ekonomisë që zhvillohet në mënyrë të pashmangshme. Filozofi Pakuet citon edhe numrat e grupeve kryesore që prodhojnë të mira dhe shërbime me një kosto të lartë, duke nisur që nga pijet, orët, veshjet e deri tek antenat e hoteleve më të mëdha në botë. Kështu, në Francë, xhiroja e tregtisë kap shifrat e 50 milionë eurove në vit me grupin e vetëm LVMH (ai i Luis Vuiton, Dior dhe markave kryesore të shampanjës), ku dëshmohet në mënyrë të plotë se sa të dhënë janë transalpinët pas gjërave të qejfit. Për më tepër, këto nuk janë shifra që i takojnë vetëm jetës së super të pasurve: qindra miliona vende pune në të gjithë Evropën varen nga zhvillimi i këtij tregu. Për shembull, marrim shifrat e orëve: "Roleks"-ët (ata origjinalë) shiten çdo vit në botë më shumë se gjysmë milioni, ndërsa "Karier"-ët më shumë se 300 mijë copë. Vetëm Zvicra shet 25 milionë orë në vit. Prodhuesit deklarojnë tashmë se duhet t‘i drejtojnë plotësisht sytë drejt luksit të "fuqishëm" dhe të përjetshëm, që ndryshe nga moda e thjeshtë, mund të sigurojë një rritje të kënaqshme ekonomike.

"Për vite e vite me radhë kemi dëgjuar të përsëritet në teoritë e rënies ekonomike që duhet të ndalim ekspansionin e kapitalizmit, të teknologjisë, të tregut", shpjegon duke qeshur Pakuet. "Në fakt, unë mendoj se ajo 4/5 e njerëzit që është akoma e përjashtuar nga të mirat, dëshiron plotësisht të kundërtën. Të hyjnë në mirëqenie, të shijojnë pak më shumë të mira, produkte dhe shërbime të një cilësie të lartë. Madje, do të them edhe diçka më shumë. Unë mendoj se ky nuk është vetëm një synim i tyre, por është plotësisht një e drejtë që u takon edhe atyre". Luksi dhe të drejtat njerëzore? "Sigurisht, le ta nisim nga celulari dhe kompjuteri. Deri vonë kanë qenë një privilegj luksi për shumë pak njerëz dhe miliarda njerëz në të gjithë rruzullin ishin të përjashtuar nga kjo botë mundësish. Përse të mos jetë kështu edhe për udhëtimet, ushqimet dhe veshjet"? Por jo vetëm demokracia e gjërave që sot duken si luks, por vetë luksi i masës na ndihmon për të shtyrë gjithnjë e më përpara kufirin, për të menduar dhe për ta shtyrë imagjinatën tonë drejt qëllimeve të reja.

"Në librin tim kam shkruar një kapitull të tërë dedikuar utopive dhe aspiratave ekstreme. Ekziston një lidhje e saktë mes mendimit utopik e luksit dhe për këtë nuk ka asnjë pikë dyshimi, edhe pse disa utopistë kryesorë si Tomaso Moro kanë folur keq për luksin dhe shpenzimet e tepërta që i cilësojnë si të panevojshme". Por Pakuet nuk është i ri në provokimet e këtij lloji. Vite më parë ai publikoi një "lavdërim" për pushimin e drekës, të cilin e konsideronte luks. Më parë, gjumin e pasdites e cilësonte si një kohë fakultative të çuar dëm plotësisht. Përse? "Sepse në radhë të parë edhe unë pushoj në drekë dhe mendoj se pushimi është i nevojshëm, por që jo të gjithë e kanë këtë mundësi", tha ai. Por Pakuet e di gjithashtu se italianët janë gjumashë të mëdhenj, ndër të vetmet vende në Evropë ku flihet më shumë nga ç‘duhet. "Mund të themi se luksi i të fjeturit në një kohë kur të presin shumë punë për të bërë, mund të prishë shumë punë, por është i nevojshëm. Unë vetë gjithmonë e kam pëlqyer luksin e pushimit dhe gjithmonë i kam rregulluar gjërat në mënyrë të tillë, që të jap leksion në universitet apo t‘i takoj miqtë e mi gjithmonë pasi të kem pushuar, të kem ngrënë drekë dhe të kem fjetur pak. Kështu ndihem më i frymëzuar", tregon Pakuet, duke qeshur. Kështu, luksi u takon të gjitha momenteve, të mëdha dhe të vogla, të jetës sonë. "Merrni për shembull veshjet. Në fillim, të gjithë synonin te markat e tyre dhe kjo na ka bërë më të kujdesshëm ndaj veshjeve, prerjeve dhe mënyrës se si duhet t‘i ruajmë. Sot, vëmendja është kthyer drejt rrobaqepësve, në luksin e gjërave të thjeshta, të qepura me dorë. Kjo shërben edhe për të bërë ndryshime në tregun e masës, sepse e shtyn vëmendjen drejt detajeve të kualitetit". Po sot, cilët janë kufijtë e luksit? Janë të arritshëm apo thjesht synime në mendjet tona? "Janë deri diku edhe të arritshëm, por edhe psikologjikë. Tre parametrat e tij janë si më poshtë: koha, hapësira dhe qetësia. Nëse arrijmë të zgjedhim se si duhet ta përdorim kohën tonë dhe nëse na pëlqen se si e përdorim në argëtime dhe punë, ky është luksi.

Nëse shtëpia jonë ose dhoma e gjumit në hotel na jep ndjenjën e hapësirës dhe lirisë, ai është luksi. Por edhe nëse zgjedhim që të kemi rreth nesh vetëm qetësi, që është njëra nga gjërat më të rralla, ky është luks. Hapësirë, kohë dhe qetësi: kjo triadë e re do të orientojë pushimet tuaja, blerjet dhe ëndrrat tona në vitet që do të vijnë. Por pa harruar edhe kujdesin për veten, që është ngjitur në vend të parë në luksin e ditëve tona së bashku me një pushim të shëndetshëm", këto janë fjalët e Tierry Pakuet.


Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama