Shohin përtej kontureve. Ato tablo i kthejnë pas në kohë. E shohin veten kur ishin të rinj.Ndoshta u vjen ndër mend edhe vendi ku ishin ulur, edhe dita, edhe modeli. Po ato femrat leshverdha që të shohin drejt në sy, apo ato që ndrojtur mënjanojnë kokën, ku janë tani, jetojnë? Ishin të rinj kur ëndërronin të bënin art të madh. Sot i kanë mbuluar thinjat. Dikush ia doli vërtetë të fitonte një emër, të tjerë mbetën thjesht anonimë. Një ekspozitë e quajtur "Curriculum" përuroi dje galerinë e re të Arteve Pamore, pranë Akademisë së Arteve, "FAP". Janë 68 punime që i përkasin dhjetëvjeçarit 1959-1969, të punuara nga ish-studentët e asaj kohe në FAP. Teksa kalon nga njëra tablo në tjetrën lexon emra piktorësh të njohur. Aty është Bashkim Ahmeti, Ismail Lulani, Edi Hila, Lume Blloshmi, Nikolet Vasia, Llambi Blido, Sotiraq Capo, Kujtim Buza, Isuf Sulovari, Nestor Jonuzi, Ferdinand Paci, Qirjako Meniko, e shumë e shumë të tjerë.
Punët janë shpërndarë në të gjitha ambientet e galerisë, që dikur shfrytëzohej vetëm nga studentët, ndëra sot vjen me më shumë dritë, me një ndriçim bashkëkohor dhe shumë hapësira që mund të shfrytëzohen. Në njërën prej sallave janë vendosur nudot, në një tjetër portrete, kompozime… Janë të gjitha punë shkolle, po nuk është e vështirë të dallosh piktorin me të ardhme, penelin e guximshëm, pse jo edhe tendenca tej realistes. Ekspozohen për herë të parë për publikun, duke zbuluar një pjesë të së kaluarës, jo vetëm të shkollës, por edhe individuale. Studentët e dikurshëm kanë mundësi të shohin se sa janë rritur dhe sa kanë ndryshuar që atëherë. "Në mënyrë të ndërgjegjshme menduam që këtë galeri ta hapim me punë të ish-studentëve, pasi siç pretendonin ata dikur të ishin alternativë, edhe studentët e sotshëm synojnë të njëjtën gjë. Dhe kjo ekspozitë shërben për të treguar se cilat ishin alternativat e asaj kohe, për të parë historinë, si është shtrirë ajo në vite", - thotë Najada Hamza shefe e departamentit të FAP. Sipas saj ekspozita të kësaj natyre do të ketë çdo vit.
Si galeri e artit bashkëkohor, e shfrytëzueshme prej studentëve dhe artistëve, krahas eksperimentit, alternativave, mediumeve të reja, ofron edhe histori. Punë të përzgjedhura nga fondi i Fakultetit do të ekspozohen, jo vetëm për studentët, por edhe për publikun. Nëse këtë herë ishte piktura ajo që "mbushi" hapësirat e galerisë, vitin që vjen mund të jenë vizatimet e së njëjtës periudhë ('59-'69), apo të tjera zhanre. "Në mënyrë anuale do të ekspozojmë punë nga fondi, të cilin sapo e riinventarizuam dhe dixhitalizuam, që të mund të jetë i shfrytëzueshëm përmes faqes sonë të internetit. Këto ekspozita ofrojnë jo vetëm historinë e fakultetit, por janë edhe një homazh për ish-studentët dhe pedagogët që kanë studjuar dhe kontribuuar në këtë shkollë", - thotë Hamza. Ideuesit e "Curriculum" kanë menduar që të paraqesin në të punë nga sa më shumë piktorë që kanë dalë prej kësaj shkolle.
Alma Mile - Gazeta Shekulli











