Teknologjia pro mjedisit dhe prodhimet made in Germany

Teknologjia pro mjedisit dhe prodhimet  made in Germany

"Rotor ere" "Made in Germany" rrotullohen në Indi, Argjentinë dhe SHBA. Pllaka solari nga Gjermania furnizojnë njerëzit në Spanjë dhe Greqi me rrymë elektrike. Po ashtu, hidrocentrale të firmave gjermane prodhojnë energji në Kinë e Brazil. Ky është vlerësimi që haset në një nga shkrimet e një të përditshmeje gjermane e që me nota tejet optimiste parasheh boom-in e sektorit të teknologjisë "pro mjedisore" në vendin leader të BE-së dhe pasojat afatgjata të zhvillimit të këtij sektori, që duket se për një kohë të gjatë do të vijojë të jetë domain i gjermanëve.

Burimet alternative të energjisë së ripërtëritshme ndërkohë, vazhdon më tej artikulli, në Gjermani u kanë siguruar 215000 personave vende pune afatgjata. Deri në 2030, sektori i automobilave do të tejkalohet nga sektori më i ri i industrisë, ai i teknologjive për mbrojtjen e mjedisit, vlerëson Claudia Kemfert e Institutit Gjerman për Kërkime ekonomike (DIW) në Berlin. Raportin e publikuar së fundmi të OKB-së mbi ngrohjen globale dhe mbrojtjen e klimës, Kemfert e vlerëson si një "sinjal pozitiv". Sigurisht që harku kohor për të vënë në zbatim masat radikale për mbrojtjen e klimës është disi i vogël, kur mendon se brenda dhjetë vitesh të gjithë kontribuuesit më të mëdhenj të emisioneve të dioksidit të karbonit në hapësirë, duhet t‘u nënshtrohen përfundimeve të nxjerra nga forumi mbarëbotëror i klimës. Por teknologjitë e domosdoshme për zbutjen e emisioneve të gazrave helmues mund të prodhohen e eksportohen qysh tani, theksohet më tej në artikull, pasi ato ekzistojnë prej kohësh. Dhe Kemfert thotë se industria gjermane edhe në të ardhme do të japë impulse pozitive për rritje dhe një valë më të madhe punësimi. Investime në industrinë e mbrojtjes mjedisore në një afat të gjatë, janë ato çka ajo parashikon.

Megjithëse në Shqipëri dijenitë e interesi rreth kësaj teknologjie kufizohen vetëm në importimin e disa paneleve diellore, aktualisht Gjermania renditet e para në prodhimin dhe eksportimin e këtyre teknologjive, duke përfshirë këtu jo vetëm panelet diellore. Ndërmarrjet gjermane përfitojnë tashmë nga masat e kërkesat strikte rreth mbrojtjes së mjedisit në rang botëror, të cilat dikur edhe ata vetë i kishin "mallkuar", duke menduar se kjo do sillte me vete shkurtimin e shumë vendeve të punës e pasoja të tjera të ngjashme me karakter social. Furrat e djegies së plehrave duhet të pajisen me filtra, centralet duhet të veçojnë gazrat e dëmshëm dhe fabrikat e industrisë kimike duhet të pastrojnë derdhjet që nxjerrin. Me hyrjen në fuqi të ligjit për energjinë e ripërtëritshme (EEG), i cili u vlerësua si një hap shumë pozitiv i ndërmarrë para disa vitesh nga administrata Shrëder, parashikohej qartësisht ndërmarrja e masave për çuarjen përpara të ideve inovative për përdorimin e energjisë solare, asaj të erës dhe biomasës.

Kazanët e gjelbër, apo dhe taksa mbi kanoçet, sollën një ndërgjegjësim më të madh të popullsisë mbi masat për mbrojtjen e mjedisit. Kështu iu hap rruga asaj që tashmë njihet si Eko-Industria. Sot Gjermania gëzon kuotën më të lartë të cilësisë në industrinë e paketimit, në ambalazhimin e qelqtë e atë me karton, si dhe kapacitetin më të madh në botë për energjinë e përftuar nga era. Ndërmarrjet gjermane ndërtojnë uzinat më eficente dhe motorët më të pastër në aspektin mjedisor. Ata gjithashtu po prodhojnë pajisjet shtëpiake, llambat dhe lavatriçet më kursimtare. Dhe ky s‘është veçse hapi i parë i këtij zhvillimi të ri, vlerësojnë specialistë të këtij sektori.

Koncerni i madh energjetik gjerman "E.on", sipas gazetës "Die Welt", dëshiron që deri në vitin 2014 të arrijë që centrali i parë në botë me qymyr të ketë një çlirim apo ndikim në masën 50 për qind në hapësirë. Kjo do të bënte që emisionet vjetore të CO2-shit të reduktoheshin deri në masën një milion ton. "RWE Power AG" dëshiron që deri në 2014-ën madje të arrijë të ndërtojë një termocentral me qymyr, që nuk do të çlirojë fare emisione CO2, pasi ai bën veçimin dhe konservimin e tij.

"Industria gjermane duhet të dëshmojë së pari në shtëpi se teknika e saj funksionon më së miri, në mënyrë që jashtë vendit të arrijë ta shesë këtë teknologji pa e paragjykuar, apo pa sjellë dyshime", thotë Klaus Mittelbach, inxhinier mjedisi që punon për Federatën Gjermane të Industrisë (BDI). Ai megjithatë nuk preferon ta përdorë ngushtësisht nocionin "teknologji mjedisore". "Çdo gjë që është eficente është me përfitim". Makinat gjermane paraqiten si më eficentet në klasin e tyre. Materialet izoluese, xhamat dhe lëndët që përdoren në prodhimin e ndërtimin e tyre, sot vlerësohen si produkte shumë eficente të një teknologjie të lartë. Edhe industria kimike, së fundmi po prodhon teknologji promjedisore, thotë Mittelbach. Sektori gjerman i industrisë së ambientit jeton nga eksportet.

Tregu i sotëm global për teknologjitë promjedisore vlerësohet të kapë shifrën e rreth 1000 miliardë eurove.

Roland Schwenker, duke folur ndërkohë për një tjetër të përditshme gjermane, sheh shanse të mira që tregu për teknologjitë e mjedisit në gjashtëfishohet në 15 apo 20 vitet e ardhshme. Para së gjithash, Kina sheh aty një potencial enorm. 16 nga 20 qytetet e mëdha me kualitetin më të keq të ajrit në botë, ndodhen në Kinë. Atje mungojnë pajisjet apo furrat e djegies së mbeturinave dhe ka shumë depozita me përmbajtje të rrezikshme. Kështu, të paktën 10000 uzina filtruese janë ato çka do të duhej të ngriheshin atje, sugjerojnë specialistët gjermanë. Vetëm në furnizimin me ujë të pijshëm, deri në vitin 2020, duhet të investoheshin rreth 80 miliardë euro. Volumi i investimeve në sektorin e energjisë së ripërtëritshme shkon në 120 miliardë euro. Beteja për zotërimin e tregjeve të teknologjisë së mjedisit tashmë ka filluar prej kohësh, thotë ministri federal gjerman i Mjedisit, Sigmar Gabriel. Dhe Gjermania në këtë aspekt ka shanse të mira për të pretenduar për një kohë sa më të gjatë vendin e parë në eksportet e kësaj fushe. Bumi i eksporteve në sektorin e energjive të përtëritshme do të zgjasë, mendon ai.

Deri në vitin 2010, volumi do të dyfishohet në nivelin e 15 miliardë eurove. Por konkurrenca nuk fle. "SHBA aktualisht po shfaqet si tregu me rritjen më të madhe në këtë sektor", thotë nga ana tjetër Milan Nitzschke nga Instituti Federal gjerman për Energjinë e ripërtëritshme (BEE). Porse nga era, atje përftohet më pak se një për qind e energjisë që prodhohet në SHBA. Nga ana tjetër, shtete federale amerikane si New Jersey, Arizona apo Florida, janë më përpara në këtë drejtim dhe po e vlerësojnë më shumë përdorimin e shfrytëzimin e burimeve të reja alternative të energjisë. Vetëm Kalifornia investon çdo vit më shumë se tri miliardë dollarë në ndërtimin e shfrytëzimin e energjisë diellore.


Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama