Barbra Streisand ja si eshte ajo

Barbra Streisand, ja si është ajo

Ajo ka dhënë koncert më parë në Londër, në 1994-ën. Kjo do të jetë hera e parë që ajo do të zhvillojë këtë tur evropian. Çdokush mund të mendojë se çfarë bëhet me artisten më të suksesshme femër të gjysmëshekullit të kaluar. Por kush e njeh mirë Barbrën e di se kur vjen puna për t‘u paraqitur në publik ajo bëhet me të vërtetë e turpshme. Asaj nuk i pëlqen që të japë intervista, të mbajë fjalime në mbrëmjet ku ajo nderohet me çmime. Që nga viti 1967, kur ajo harroi tekstin e këngës, deri në 1994-ën kur ajo u kthye në mënyrë triumfuese në New York‘s Madison Square Garden, ajo nuk u mor më me koncerte shumë të paguara, por këndonte vetëm për miqtë e saj dhe për ndonjë kandidat politik. Frika e saj është pasojë e perfeksionimit, por edhe për shkak të gjithmonë e më shumë koncerteve që duhet të jepte. Në 1967-ën në luftën arabo-izraelite që zgjati 6 ditë, ajo ishte shumë e frikësuar, sepse mendonte se ishte e shenjestruar, jo për arsyen se ishte çifute, por për arsye sepse ishte puthur me një arab, Omar Sharif, në versionin e filmit Funny Girl.

Koha e The Watergate e bëri atë edhe më shumë paranojake, pasi mësoi se ishte në listën e "armiqve të Richard Nixon" për shkak të kundërshtimeve të saj në luftën e Vietnamit. Ajo refuzoi ftesën për të kënduar në ndarjen e çmimeve "Emmy" menjëherë pas sulmit të 11 shtatorit 2001, sepse ishte e bindur se mund të kthehej në një sulm terrorist. Sa herë që bënte ture në Shtetet e Bashkuara, ajo betohej se do të ishte për të fundit herë. Fansat e saj janë të shumtë. Të gjithë mendojnë se ajo ka lindur dhe jeton për të kënduar edhe pse ka arritur moshën 65-vjeçare. Nuk ekziston mundësia që një profesioniste si ajo të "plaket", të paktën kjo nuk ka ndodhur deri më tani. Harrimi i tekstit të këngës është diçka që i përket të shkuarës, pasi që nga koha kur harroi tekstin, ajo nuk këndon më pa ndihmën e telepromterit që e ndihmon si në tekstin e këngëve ashtu edhe në vijën melodike. Barbra Streisand është një nga artistet që ka arritur shumë në jetën e saj. Ajo nuk është vetëm një këngëtare, por edhe një aktore shumë e mirë.

Ka qenë drejtuese filmi, producente, skenariste dhe moderatore. Ajo është një nga të paktat artiste të cilat kanë fituar çmimin "Oskar", "Emmy", "Grammy" dhe "Tony". " The New York Times" e cilësoi dikur atë si "këngëtarja më influencuese e muzikës pop". Steven Spielberg ka thënë dikur se filmi i saj i vitit 1983, "Yentl" ishte gjëja më e mirë që kishte parë qëkur u dha Citizen Kane. Ndoshta për arsye të ndryshme, Streisant është bërë e famshme. Sigurisht që zëri i veçantë është pika më e fortë e saj. Ajo është çifute, e cila arriti të mbijetonte në botën e ashpër mashkullore. Historia e saj është si përralla e rosakut të shëmtuar që u bë shumë i bukur. Në sytë e meshkujve ajo është e parezistueshme. Kohët e fundit ajo është munduar që të tregojë simbiozën mes Hollivudit dhe Partisë Demokratike.

Streisand kaloi shumë kohë në Shtëpinë e Bardhë në kohën kur në krye të shtetit ishte Clinton, sa që "The New York Times shkruante: "Në një ditë normale në Washington, ju mund të shikoni gjithmonë Barbra Streisand." Streisand ka lindur në një familje të thjeshtë në Brooklyn. Që e vogël ajo e pa biznesin artistik si një mënyrë për t‘u arratisur nga jeta e saj rutinë. Në shkollën e mesme "Erasmus Hall", ajo këndoi në korin e shkollës me Neil Diamond. Ajo punoi si këngëtare në klube nate, në emrin e saj të lindjes shtoi shkronjën "a", Barbara që të dukej më e veçantë. Ajo bëri emër në një bar homoseksualësh në fshatin Greenwich. Homoseksualët e kanë parë gjithmonë si ikonën e tyre. Jeta e saj ndryshoi kur ajo luajti një rol të parëndësishëm të Miss Marmelstein. Ishte koha kur ajo i mori zemrën drejtuesit Elliott Gould me të cilin edhe u martua. Që nga koha kur luajti në filmin "Funny Girl", ajo u kthye në ikonën më të rëndësishme artistike duke larguar nga skena Anne Bancroft, Carol Burnett dhe Mary Martin. U kthye në një yll të vërtetë, fillimisht në skenë dhe më pas në ekran. Rolet e saj në filma e bënë që të fitonte çmimin "Oskar" si aktorja më e mirë. Ajo vazhdoi të regjistronte gjithmonë e më shumë filma.

Në fund të vitit 1960 dhe në fillim të 1970-ës ajo filloi të merrej edhe me komedi (What‘s Up, Doc?), me drama romatike (The Way We Were) dhe muzikale (A Star Is Born). Richard Nixon e përçmonte Streisand më shumë se çdo figurë tjetër në Hollivud. Në shtëpinë e bardhë janë kapur disa regjistrime me tone shumë të ashpra zëri "Barbra Streisand është e padurueshme. Kush mund ta durojë atë. Këngët e saj nuk janë ndonjë gjë, lërë pastaj hunda e saj". Por kjo nuk ishte faktor tregues. Në atë kohë u shitën më shumë se 70 milionë albume të Streisand. Në vitin 1980, ajo arriti pikën e saj kulmore në karrierën si këngëtare me albumin me duete Guilty, të cilin e regjistroi me Barry Gibb. Në po të njëjtin vit ajo u mor edhe me drejtimin dhe shkrimin e filmave, fillimisht me Yentl (1983), "The Prince of Tides" (1990) dhe me "The Mirror Has Two Faces" (1996). Filmat e saj ishin pjesërisht të suksesshëm dhe kjo shpjegon arsyen sepse ajo nuk u mor me to. Por kjo nuk ka rëndësi: ajo ishte e vendosur mirë në mbretërinë hollivudiane dhe ishte e paprekshme.

Kritikja e madhe, Pauline Kael, shkroi dikur: "Kur këndon Streisand duket sikur udhëheq gjithë publikun. Ajo këndon në atë mënyrë saqë duket sikur nuk ka nevojë për audiencë. Ajo mbyll sytë dhe kur këndon ka një fuqi manjetike". Kjo gjë është e vërtetë. Një nga menaxherët e saj të parë thoshte: "Kur Barbra vendos të këndojë, njerëzit entuziazmohen dhe shkojnë për të mos humbur spektaklin fantastik që ajo do të dhurojë. Ata janë të gatshëm të paguajnë çdolloj shume që ajo mund të kërkojë.

Jeta e saj

LIND në Brooklyn, Nju-Jork, 24 prill 1942. Vajza e Emanuel dhe Diana Streisand.

FAMILJA Martohet me aktorin Elliott Gould nga viti 1963 deri në 1971. Fëmija e tyre është Jason Gould. Në vitin 1998 u martua për herë të dytë me aktorin James Brolin.

EDUKIMI shkolla e lartë "Erasmus Hall", Brooklyn.

KARRIERA Luan Miss Marmelstein në i "Can Get It Wholesale" në Broadway (1963). Roli i saj në Funny Girl (1964) e bënë një yll të Brodway. Më pas, karriera e saj si këngëtare është akoma më e pasur. Ajo fitoi çmimin "Oskar" si këngëtarja më e mirë. Shkroi skenarin, drejtoi dhe aktroi në Yentl (1983), "The Prince of Tides" (1991) dhe në "The Mirror Has Two Faces" (1996). Shfaqja e saj e fundit në ekran ka qenë në filmin "Meet the Fockers" (2004).

AJO THOTE "Jam e thjeshtë, komplekse, bujare, egoiste, aspak tërheqëse, e bukur dhe përtace"

TE TJERE THONE "Çdo tekst kënge që këndohet nga ajo, këndohet me shumë ndjenjë" - Ray Charles.

"Talenti i saj më i madh nuk është aktrimi ose kënga; është aftësia për të fshehur frikën e saj" - Harvey Corman, psikoanalist

Marre nga :Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama