Kocante Muzika perjetesia ime

Koçante: Muzika, përjetësia ime

Kur kujton emrin e tij mendja të shkon papritur te "Margherita", apo "Notre Dame de Paris". Të dyja këto nuk mund të harrohen lehtë. Janë "kryeveprat" e tij. Ishte viti 1998 dhe që nga ajo kohë kanë kaluar thuajse dhjetë vjet. "Opera ‘Notre Dame de Paris‘ ka shkuar në shumë vende, kurse unë jo", thotë Koçante. "Nga të gjitha vendet e largëta ku ajo ka ‘shkuar‘ unë e kam ndjekur vetëm në Kinë. As në Korenë e Jugut nuk shkova. Dhe të mendosh se atje kanë dashur ta kthejnë dy herë operën. Madje, mbaj mend që herën e dytë në Seul vendosën ekrane të mëdha, që mundësonin transmetimin satelitor në teatrot e qyteteve të tjera". Për momentin Rikardo është duke regjistruar në një studio normale për bazat, ndërsa pas pak javësh do të zhvendoset në një studio gjigante, për të bërë regjistrimin e orkestrës. Kësaj radhe bëhet fjalë për "Romeo dhe Zhuljetën". Në të vërtetë, salla të lë pa frymë. Kudo ka vegla muzikore përreth, ndërsa muzika kumbon nga të gjitha anët e në fund duket sikur fluturon.

Një akustikë e jashtëzakonshme natyrale. "Romeo dhe Zhuljeta e meritojnë", thotë ai. Opera e re e Koçantes i është dedikuar dashnorëve tragjikë dhe dashurisë së tyre fatkeqe. "Romeo dhe Zhuljeta" do të "debutojë" në ditën e parë të qershorit në Verona të Italisë dhe për katër ditët e para (deri më 4 qershor), biletat ishin shitur që në fund të janarit. "Ishte një gjest i madh besimi nga ana e publikut, por edhe një përgjegjësi e madhe", tregon Koçante. Por ky fakt "praktik" nuk duket se e shqetëson. Është ulur përkrah Rik Uentuorth, drejtor dhe orkestrues i "Romeo dhe Zhuljeta" (dhe "Ca ira"-s opera e ish-liderit të "Pink Floid", Roger Uoters, mbi revolucionin francez). Përpara vetes mban partiturat dhe libërthin e vogël. Dashuri, dashuri, dashuri, është fjala që dëgjohet më shpesh. "Është bërë posaçërisht. Po flasim për Romeon dhe Zhuljetën. Kujtoj një lojë që bëja kur isha fëmijë: para Sanremos gazetat publikonin tekstet e këngëve që do të merrnin pjesë në festival.

I lexoja dhe përpiqesha të kuptoja si do të ishin meloditë e tyre. Ato fjalë pa muzikë ishin të tmerrshme". A ju pëlqente Sanremoja kur ishit adoleshent? "Sigurisht që më pëlqente. Mbërrita në Itali nga Saigon kur isha dhjetë vjeç. Në shtëpi dëgjonim shumë opera. Takimi im i parë me muzikën e lehtë ishte festivali". Në Saigon, sot Ho chi Minh city, Koçante nuk është kthyer më. "Kur doja unë ishte e pamundur, ishte luftë. Tani kam diçka që më pengon, ndoshta është frika për ta parë qytetin shumë ndryshe nga sa e mbaj mend. Dy filma më kthyen nostalgjinë. I pari është ‘Indokina‘, por mbi të gjitha ‘Dashnorja‘, historia e Margherite Duras. Nga ata filma, dilnin erërat, shijet, dilte drita që ka ndriçuar fëmijërinë time. Prej Saigon, pas pesëdhjetë vjetësh, kam akoma një kujtim të qartë: nga katedralja, duke kaluar në rrugën ‘Catinat‘ e dija me sy mbyllur se si mund të kthehesha në shtëpi, edhe pse isha shumë i vogël". Të kthehesh në shtëpi sot do të thotë të shkosh në Dublin.

Ai jeton aty prej vitesh me gruan e tij, Kathi dhe me Devid, djalin e tyre 16-vjeçar. "Irlanda më pëlqen shumë. Në të vërtetë është një vend i mrekullueshëm, njerëzit janë të ngrohtë dhe muzika shumë e bukur. Në Irlandë ka një respekt të jashtëzakonshëm për muzikën, nga ajo rok, te folku, pa snobizëm. Nga Dublini nuk do doja të largohesha kurrë. Kjo është hera e parë që largohem për kaq shumë kohë që andej. Por, në projektet e mia është edhe ai për t‘u ‘zhdukur‘ përgjithmonë, të mos jem më një ‘person fizik‘, por të më kujtojnë vetëm përmes muzikës". Shikimi i kaltër, thuajse transparent, është bërë i butë, i mprehtë, penetrues. Edhe pse, ka 35 vjet karrierë, Koçante kujton me nostalgji vitet e tij të para. Kështu, ndërsa flet, më vjen në mendje shfaqja e parë në publik si kantautor. Ishte dimri i vitit 1947. Në skenë shfaqeshin tre muzikantë të rinj: Françesko de Gregori, Andonello Venditi dhe Rikardo Koçante. Askush nuk ishte i barabartë me tjetrin, por të tre në të njëjtin moment këndonin fuqishëm dhe bukur një këngë me përmbajtje rebele, poezie dhe lirie.

Po, po, njëri më ndryshe se tjetri, por ai që dallonte më shumë ishte Koçante, që dukej sikur ishte fshehur ëmbël pas kaçurrelave të bukura, por me një inat që dukej sikur shpërthente muret. "Kisha nevojë të shprehesha, kisha nevojë të këndoja. Nuk kam folur shumë edhe kur isha fëmijë. Muzika ishte e vetmja mënyrë që kisha për t‘u kuptuar. Ishim katër fëmijë dhe unë isha i dyti. Jeta nuk ka qenë kurrë e lehtë për mua". Butësia e tij ishte evidente, ashtu si një raport jo i qetë me trupin e tij. Ndoshta, sepse pas shumë suksesesh mund t‘ia lejonte vetes luksin për t‘u "zhdukur"? "Ajo që më ndryshoi ka qenë një zbulim i madh tek unë. Unë jam një këngëtar, një kantautor. Kam bërë ‘Bella senza anima‘, ‘Margherita‘, pastaj ‘Cervo a primavera‘, edhe shumë të tjera. Të fillosh është e lehtë, e vështirë është të vazhdosh, sidomos duke qëndruar për vite me radhë në të njëjta nivele. Mund të kesh fat në një moment të caktuar, mund të kesh pamjen e duhur, ke lukun e duhur, por modat ndryshojnë. Në të vërtetë ambicia ime nuk ka qenë kurrë ajo për t‘u shfaqur para publikut. Megjithatë, doja të shprehesha. Mund të jesh natyrë e mbyllur, por ke nevojë të shprehesh, të thuash diçka.

Suksesi erdhi shumë shpejt, por unë e urreja të më quanin një yll, aq sa në një pikë doja të kthehesha pas dhe të bëja një jetë normale. Adhurimi të vret. Por unë nuk rashë në kurth. U largova nga Italia. Jam gjysmë francez, mamaja ime ishte franceze, edhe gruaja ime po ashtu. Zgjodha Parisin. Aty, pa asnjë problem,edhe pse ndihesha sikur isha në fund të karrierës, zbulova se mund të bëja gjëra të tjera dhe ishin pikërisht këto që më pëlqenin shumë". Të tjerat dihen: Koçante hapi një nga "sirtarët e tij të përjetshëm", plot me melodi prej nga doli "Notre Dame de Paris". "E mendova se çfarë impakti mund të kishte kjo opera te publiku dhe u mundova t‘i jepja një frymë të re. Kjo më lejoi që të bashkoja aty dy ‘shpirtrat‘ e m‘i: atë klasike, e bërë me melodi të pastër dhe modernen, gjithmonë e drejtuar nga e ardhmja. Suksesi i ‘Notre Dame de Paris‘ tregoi se kisha të drejtë. Mund të bëhet një opera me gjuhën e sotme, por jo destabilizuese për një publik popullor.

Pa skenografi, por me elegancë". Koçante ka shumë për të kujtuar. Te "Koloseu" kishte kënduar për herë të fundit "Romeo dhe Zhuljeta" më 16 shtator 2005. Pastaj kishin ardhur audicione për të gjetur këngëtarët. "Kur bëmë ato për ‘Notre Dame‘ ishte një torturë e vërtetë. Nuk gjendej askush. Për ‘Romeon dhe Zhuljetën‘ kishim bërë mijëra prova. Gjëja më e çuditshme? Ishin të gjithë këngëtarë të rinj dhe 14-vjeçarë. Më e jashtëzakonshmja? Kurrikulumi i tyre. Shumë prej tyre kishin shkruar aty: pasi pashë ‘Notre Dame de Paris‘ vendosa të këndoja". Por në fund, këngëtarët e saj amatorë janë ata që sot nuk blejnë më disqe që pretendojnë t‘i shkarkojnë gratis nga interneti, duke i dëmtuar. "Është një rrezik që duhet kaluar. Kush ka moshën time është i lidhur me formatin. Neve na pëlqen të kemi në dorë diskun. Të rinjtë nuk duan t‘ia dinë për këtë. Edhe në muzikë shoh një tranzicion. Të mëdhenjtë e vjetër shpesh më zhgënjejnë, ndërsa te të rinjtë nuk gjej vërtetësi dhe sinqeritet. Kanë shumë mirëqenie dhe nëse nuk e kanë, atëherë objektivi i tyre është që ta arrijnë me çdo kusht.

Në luftonim për të arritur të tjera gjëra". Nga projekti i tij ka llogaritur kohë, mënyra dhe vende? "Të vendosësh të bësh opera popullore dhe të mos i këndosh do të thotë zhdukje. Tani jam shumë i zënë? Ku do të thoni ju? Në Dublin. Kur jam aty përqendrohem mirë, kaloj ditë me radhë duke imagjinuar. Në fund të fundit ky është arti për mua: kam gjithmonë idenë se njerëzit kanë ëndrra që do të donin patjetër t‘i realizonin. Dhe të vetmit që arrijnë t‘u japin formë ëndrrave janë artistët. Kur një ëndërr, një mendim, një ide bëhet e vërtetë nuk ka gjë më të bukur; kur me dy linja të vetme një piktor të bën që të kuptosh një ide, kur me pak nota një kompozitor prek thellë në zemër, ky është artisti. Gjithçka dhe asgjë. Evolucioni i botës kalon përmes artit. Është një motor shpirtëror i madh dhe i jashtëzakonshëm. Mendoj për Moxartin dhe Rosinin, të vegjël, por të jashtëzakonshëm. Pas shumë dramave në muzikë, pas ‘Notre Dame de Paris‘ dhe "Romeo dhe Zhuljeta" do të më pëlqente të bëja diçka më të gëzuar. Një opera për të qeshur, për shembull. Përkundrazi, po e vendos që në këtë moment, mendoj se vërtet do ta bëj diçka të tillë".


Këngëtari


Lindi në Saigon të Vietnamit në 1946-ën, me baba italian dhe nënë franceze. Hyn në botën e muzikës në 1972-shin me albumin "Mu", punim i tipit rok-opera. Në 1974-ën shënon suksesin e parë të rëndësishëm me "Bella senz‘anima". Në 1976-ën kompozon mbase këngën e tij më të famshme, "Margherita". Në 1980-ën fillon bashkëpunimin me Mogol dhe suksese të tjera si "Cervo a primavera", "Sincerita", "Questione di feeling" (bashkëpunim me Minën). Për të mbërritur tek albumi tjetër shumë i suksesshëm "Se stiamo insieme", kënga me të njëjtin emër e të cilit fiton festivalin e Sanremos. Pas kësaj, Koçante punon më tepër me albumet në frëngjisht, nga të cilat më i suksesshmi është "L‘instant present". Në 1998-ën kompozon operën "Notre Dame de Paris" bazuar mbi kryeveprën e Hygosë. Në 2002-in nxjerr po në Francë operën e tij të dytë, "Le petit prince". Në 2005-ën nxjerr në treg albumin "Songs" me tekste këngësh në 4 gjuhë: italisht, frëngjisht, spanjisht dhe anglisht. Po në 2005-ën fillon punën për operën e tretë "Romeo dhe Zhuljeta" (në italisht), e cila pritet të dalë në skenë në qershorin e 2007-ës.

Në fund të 2006-ës, Rikardo numëroi mbi 40 albume, kryesisht në italisht dhe frëngjisht, por dhe spanjisht, pas sukseseve të dhjetë viteve të fundit në Amerikën Latine.


"Katedralja e Parisit"

Ngjarjet zhvillohen në vitin 1482 në Paris. Kryeprifti i Katedrales së Parisit, Klod Frollo, dashurohet me një kërcimtare cigane, Esmeraldën. Për ta grabitur ngarkon kambanarin grotesk, gungaçin Kuazimodo, por kapiteni Phoebus de Chateaupers e shpëton kërcimtaren dhe fiton dashurinë e saj. Frollo vret Phoebus-in duke ia hedhur fajin Esmeraldës. Ndërkohë, i prekur nga e gjithë kjo intrigë, Kuazimodo bëhet skllav i Esmeraldës dhe e fsheh atë në kupolën e Katedrales. Pas shumë peripecish, Esmeralda kapet dhe varet në sytë e Frollos. Kuazimodo i dëshpëruar vret Frollon dhe më pas me kufomën e Esmeraldës në krahë, vdes edhe ky.

Mbi veprën

Hygo në këtë roman gotik evokon historinë piktoreske të Parisit në shekullin XV. Vendi i ngjarjes është Katedralja e Parisit, që është edhe titulli i veprës. Katedralet, si kulte fetare, i kushtohen Maries, nënës së Krishtit, që ndryshe quhet edhe "Zoja e Papërlyeme". Në këtë katedrale zhvillohet dashuria e pamundur e Kuazimodos së shëmtuar për Esmeraldën e bukur, lufta mes së mirës dhe së keqes, tipike për letërsinë romantike të shekullit XIX. Në këtë vepër madhështore Hygoi ia mbërrin të na shpalosë një dramë epope, sa të vërtetë aq edhe ideale, sa epike aq edhe lirike, sa dramatike aq edhe tragjike. Aty shpalosen fatet njerëzore, që luftojnë mes tyre në një mjedis aq hyjnor dhe të përrallshëm si Katedralja e Parisit, që është edhe vetë vendi i veprimit. Intriga, krimi dhe morali zënë vend brenda një kishe, që është edhe institucion për të pastruar mëkatet njerëzore.

Ky roman është një vepër klasike jashtë kohës dhe që më pas u bë modeli që u ndoq për 100 vjet rresht nga libretistët e mëvonshëm të operave, siç është rasti i "Rigoletos". Hygo, lexues i rregullt i Uolter Skot, vendos t‘ia kalojë mësuesit. Ai thotë diku: "Pas romanit piktoresk të Skot, mbetet për të krijuar një roman tjetër, më të bukur dhe më të plotë, romani që është edhe dramë edhe epope, edhe piktoresk, por edhe poetik, i vërtetë dhe ideal, që është një kryqëzim i Uolter Skot me Homerin". Breza të tërë lexuesish janë mahnitur dhe sugjestionuar nga historia e Kuazimodos dhe Esmeraldës. Historia të mban të mbërthyer te një vajzë e varfër, por një kërcimtare e bukur, që vjen nga fundi i shoqërisë e ku përplasen të gjitha shtresat, prifti, kapiteni dhe Kuazimodo. Është ideali i së bukurës që dëshirohet nga të gjithë, është vetë Katedralja e Parisit, që fjalë për fjalë është "Zoja Jonë e Parisit". Kjo bukuri e jashtëzakonshme e ndërtuar me një stil gotik, tërheq akoma sot vizitorë të panumërt nga e gjithë bota.


Opera
Rikardo Koçante në 1998-ën, pas një bashkëpunimi të ngushtë me Luk Palmondon, shfaqin për herë të parë në Paris muzikalin "Notre Dame de Paris". Opera në skenë kthehet në një histori pa kohë, që zhvillohet nga Mesjeta deri në vitet dymijë. Ajo këndohet në gjuhën franceze, por disku është dubluar edhe në italisht e anglisht. Kudo ku ajo është shfaqur ka korrur një sukses të sigurt, por sidomos në zonat frankofone ka pasur jashtëzakonisht shumë shikues. Në Itali, për herë të parë u shfaq në gjuhën italiane në 2002-in, nën përkthimin e Paskuale Panella dhe me një kast të re interpretuesish. Që nga premiera e deri tani, opera ka pasur një ndjekje me rreth 10 milionë spektatorë.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama