Danilo Zeka, 29 vjeçar nga Tirana, i larguar nga Shqipëria në vitin 1997, është momentalisht një ndër balerinët me më shumë role kryesore në Operan Kombëtare të Greqisë, në Athinë.Eshtë një ndër talentet shqiptare, karriera dhe historia e të cilit, pak nga modestia e çuditshme që e karakterizon dhe pak nga fakti që e ka vizituar pak herë vendin e vet në këto vjet, ka kaluar pa u vënë re në Shqipëri. Por jo në Greqi, ku ai merr pjesë në shfaqjet klasike më të rëndësishme të kryeqytetit Helen, apo në Europë ku ai përfaqëson Operan e Greqisë në aktivitete apo festivale ndërkombëtare, dhe në projekte të tjera në televizionet e atij vendi, apo në fushata publicitare.
Deri para pak muajsh, imazhi i tij ishte pjesë e një fushate publicitare kombëtare në Greqi. Ishte Danilo, në qendër të reklamave në metronë e Athinës, në vendet publike e në çdo hapësirë tjetër të përdorur për fushatën.
Pak, ose aspak, është folur për të në shtypin shqiptar! Ndonëse përfaqëson një histori gati të pabesueshme mes artit, ambicies, dhe fatit të mirë, jashtë vendlindjes.
Danilo është ndoshta ndër të paktët balerinë të karrierës, i cili baletin ka nisur ta mësojë jo në shkollë 8 vjeçare, por në shkollën e mesme. Pasi e përfundoi Shkollën e Baletit, ai u emërua në Operan e Tiranës, ndërkohë që qëndroi atje për fare pak kohë. Një ftesë e papritur, i vjen në vitin e turbullt për shqiptarët, 1997, për të vizituar Zvicrën, në një trainim ku veç tij ishin zgjedhur edhe tre kolegë të tjerë shqiptarë. Pas dy muajve qëndrimi në Zvicër ai u rikthye në Tiranë, në momentin kur plasën trazirat e vitit 1997.
E ardhmja i dukej e turbullt, ashtu siç, kuptohet, u dukej gjithë shqiptarëve. Derisa, ditën e parë kur Aeroporti i Rinasit u rihap për fluturimet e kufizuara, ndërkombëtare të asaj periudhe, ai mundi t’i hipte avionit të parë që mbërrinte në Greqi, duke pranuar kështu një ftesë që i ishte bërë nga një trupë private teatrale. Ajo i propozonte të punonte në Greqi. “Ishte një periudhë shumë e vështirë për Shqipërinë dhe Danilo pranoi menjëherë, pa e menduar për herë të dytë atë propozim”, thotë për MAPO, Dorina Zeka, e ëma e Danilos.
Iu deshën vetëm 5 vjet dhe në moshë fare të re, Danilo, më në fund, u pranua në Operan Kombëtare të Greqisë, në Athinë, ku vazhdon të punojë edhe sot, si një ndër balerinët kryesorë, rolet e të cilit janë gjithmonë ne plan te pare.
Gazeta të shumta greke shkruajnë artikuj për të, ndërkohë që, për arsye që askush nuk është në gjendje t’i thotë, ai asnjëherë nuk është ftuar nga ndonjë organizëm kulturor në Shqipëri. Ka interpretuar në vepra si “Hamleti”, “Karmen”, apo “Zorba” me kompozitorin grek Niki Teodoracis, apo në “Liqeni i mjelmave”, me koreografin e njohur rus Ilea Zaleski.
Në shtator të vitit 2004, ishte Danilo ai që në agoranë e Athinës ndezi pishtarin e Lojërave paraolimpike. Moment i fiksuar nga aparatet e qindra mediave të huaja e agjencive të lajmeve, dhe i transmetuar live nga dhjetëra televizione me audiencë ndërkombëtare. Këto lojëra, të destinuara për sportistë me aftësi të kufizuara, i përshëndeti dhe kryeministri i Greqisë Kostas Karamanlis, i cili tha, gjatë ceremonisë, se Greqia dëshironte të jepte një mesazh humanizmi dhe paqeje në të gjithë botën.
Fakt është se Danilo asnjëherë nuk ka kërkuar të pajiset me një pasaportë greke. Ai qëndron në Athinë si një qytetar me kombësi dhe nënshtetësi shqiptare. Ai vazhdon, të jetë shqiptar 100 përqind…
Kristi Pinderi - Revista Mapo











