41 Netet e Klipit Shqiptar

41 Netët e Klipit Shqiptar

Për të gjashtin vitin radhazi, festivali "Netët e Klipit", rikthehet me prurje dyfish për të konfirmuar se videoklipi është tashmë pjesë e pashmangshme e tregut, për t'i lënë hapësirë dhe frymëmarrje më të gjerë kësaj gjinie që po kalon përtej tendencave të parashikuara. Një maratonë pesë ditore ku do të prezantohen dhe garojnë ashpër, plot 128 videoklipe, produksione më të mira të tregut muzikor, ku nuk do të mungojnë emra të njohur që rikthehen për herë të parë me klipe, por edhe të tjerë të rinj që sprovojnë imazhin e tyre në ngjarjen më të rëndësishme të klipit shqiptar. Producenti i "Netët e Klipit", Petri Bozo rrëfen në një intervistë për revistën Mapo, atë ç'ka pritet të shënojë ky festival në 6 vjetorin e tij. Krahasuar me vitet e shkuara ky festival sjell sivjet një gjeografi të gjerë konkurrimi, zhanresh dhe konceptimesh, për të ofruar përtej garës edhe ngjyrat e një spektakli të vërtetë që do të transmetohet në dy televizione nga e hëna deri të enjten, si dhe një mbrëmje sho në fundjavë.

Edicioni i gjashtë i "Netët e Klipit", çfarë do të ofrojë ky festival ndryshe nga vitet e shkuara?
Është edicioni i gjashtë dhe ajo që vihet re dukshëm është fakti se është rritur numri i produksioneve që marrin pjesë në garë. Ato pothuajse janë dyfishuar, nga 70 që ishin vjet këtë vit numri i tyre ka arritur në 128 videoklipe. Ka ndryshuar edhe formati i prezantimit, pasi në 4 ditë në javë do të bëhet prezantimi i 16 klipeve prej të cilave vetëm 8 prej tyre do të shkojnë në natën e madhe. Secili prej tyre do të konkurrojë në 11 kategori, dy prej të cilave janë të reja. E veçanta e këtij edicioni është se ka një pjesëmarrje të emrave të muzikës shqiptare, shumë prej të cilëve nuk kanë pasur më parë videoklipe, siç është Rovena Dilo dhe pikërisht ky grup këngëtarësh vjen për herë të parë në konkurrim me klipe dhe këngë të reja. Nëse vitet e tjera kemi pasur këngëtarë nga Maqedonia dhe Kosova, këtë herë kemi këngëtarë që vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglia dhe Zvicra. Kjo ka ardhur për shkak edhe të vlerësimeve të pakontestueshme që bën juria, ku për çdo kategori ka profesionistë që vlerësojnë një video në të gjitha komponentët apo edhe në komponentë të veçantë si kamera, grafika apo montazhi.

Po përsa u takon zhanreve që prezantohen në këtë festival, ka pasur prurje të reja?
Nëse vitet e shkuara kemi qenë më të shtrënguar për të pranuar videoklipe të muzikës popullore apo turbofolk, sivjet në garë do të ketë edhe këngë të tilla që konkurojnë me produksione vërtet cilësore. Kjo ka ardhur për faktin se në treg ka klipe të cilat realisht janë profesionale, kjo vjen për shkak se artistët kanë punuar në këtë drejtim dhe investimet që ata kanë bërë për imazhin ka qenë modernë dhe të avancuar krahasuar me ato të disa viteve më parë. Në këtë pikë ne kemi toleruar duke pranuar në garë edhe zhanre të tjera, sigurisht që edhe ato do të gjykohen nga juria për komponentët artistikë, duke e ditur që një videoklip është një film me metrazh të shkurtër.

Cila do të jetë sivjet formula e prezantimit të videoklipeve?
Për katër ditë rresht do të prezantohen 16 videoklipe nga mjediset e "Zippo", një prej lokaleve më të mirë në kryeqytet, prej të cilave vetëm 8 prej tyre do të shkojnë direkt në natën e madhe. Juria do të japë vlerësimet profesionale sipas komponentëve ku ato konkurojnë, madje një videoklip ose dy të tillë edhe pse të së njëjtit këngëtar do të konkurojnë si produksione më vete për kategori të caktuara. Mbrëmjen e së shtunës, do të prezantohen klipet që do të kalojnë gjatë katër ditëve të javës nga e hëna në të enjte. Këtu do të përzgjidhen 5 kategori të ndryshme dhe nuk do të jetë si në edicionet e fundit, që të gjithë klipet shkonin deri në natën Gala. Këtë herë do të ketë një seleksionim të tyre gjatë çdo të shtune. Ndryshe nga vitet e tjera ky festival do t'u japë mundësi të garojnë shtëpive të klipit me disa produksione, po ashtu edhe këngëtarët që janë në garë mes të cilëve mund të përmend disa prej tyre si Bleona Qerreti, Rovena Dilo, Rozana Radi, Adrian Gaxha, Xho Ardit Fejzo, Eliza e shumë të tjerë, ku një pjesë e tyre vijnë për herë të parë, ndërsa të tjerë rikthehen pas disa edicionesh.

Po përtej garës, çfarë do të sjellë "Netët e Klipit" në formatin e show televiziv?
E shtuna do të ketë elementet e një spektakli të vërtetë dhe është konspektuar që të ketë brenda jo vetëm garën por edhe fashion, debate, momente retrospektive nga sprovat e para të klipit shqiptar apo edicionet e shkuara të "Netët e Klipit". Po këtë natë këngëtarët qofshin ata në garë apo jo, do të mund të këndojnë si të ftuar brenda formatit të spektaklit, por edhe mund të debatojnë për tema të ndryshme që do të hidhen për diskutim. Në pjesën Fashion stilistët do të mund të prezantojnë koleksionet e tyre dhe modelët fitues do të përfaqësojnë vendin tonë në Model Of Model në Spanjë, ndërkohë që vajzat do të kenë mundësi të përfshihen edhe në edicionin e ardhshëm të Miss Shqipëria. Alert Çeloalija dhe Silvi Skënderaj do të prezantojnë "Netët e Klipit" gjatë këtij edicioni ku Miss Shqipëria 2006 do të ketë në dorë më shumë profilin fashion të spektaklit.

Si do të jetë mënyra e zgjedhjes së klipeve fitues?
Ashtu si edhe vitet e shkuara kemi një juri profesioniste që do të bëjë përzgjedhjen e klipit më të mirë në të gjitha komponentët apo komponentë të veçantë, ndërkohë që për çdo kategori do të ketë gjithashtu çmime të tjera. Ndryshe nga edicionet e mëparshme, këtë herë "Netët e Klipit", do të ketë gjithashtu edhe debate mes artistëve, autorëve të klipeve, këngëtarëve, si dhe studentë të degës së regjisë nga dy shkollat e filmit në Shqipëri; ajo e reja "Marubi", që drejtohet nga Kujtim Çashku dhe e vjetra, që drejtohet nga Gjergj Xhuvani. Ndërkohë do të jetë sërish publiku që do të mund të votojë klipin e preferuar. Në mbrëmje Gala do të shpallet çmimi i publikut, që do të mundësohet nëpërmjet dy kompanive celulare të cilat do të administrohen nga Fitotel. Prej vitesh për këngët fituese nuk kanë pasur asnjë kontestim dhe kjo vjen për faktin se pjesëtarët e jurisë janë më të mirët që edhe gjykojnë videoklipet në komponentë të veçantë por edhe në tërësi.


Olsi Kalami - Revista Mapo


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama