Galeria e Arteve asnje lek per te blere vepra

Galeria e Arteve, asnjë lek për të blerë vepra

Por Galeria e Arteve nuk ka asnjë mundësi t'i blejë ato. Pasurimi i fondit është i papërfillshëm. Mundësia e blerjes së ndonjë vepre i ngelet ndonjë sponsorizimi ose ndonjë dhurimi. Por kjo situatë nuk përfshin vetëm artin bashkëkohor. Akoma më e vështirë bëhet që piktorë të traditës, të cilëve koha u ka dhënë vlera edhe më të mëdha, të përfaqësohen me veprat e tyre më të mira. "Mundësitë në Galerinë Kombëtare të Arteve për të blerë vepra janë shumë të vogla, për të mos thënë nën kuotën zero, pasi fondet janë të vogla për këtë institucion", - shprehet drejtori i Galerisë së Arteve, Genc Mulliqi. Sipas tij, fondet që akordohen çdo vit janë parashikuar për projekte dhe asnjëherë nuk ka një fond të veçantë për blerjen e veprave. Mulliqi shprehet se "është e pamundur që një pjesë e këtij buxheti të përdoret për fondin e galerisë, pasi komunikimi me publikun përmes ekspozitave të përkohshme është shumë i rëndësishëm për këtë institucion".

 Ndërsa shembulli flagrant i çalimit të blerjes së veprave për fondin e galerisë, janë katër vepra të papaguara që para tre vjetësh. "Katër vepra të katër artistëve nga Shqipëria (Viktor Ferraj, Ziso Kamberaj, Ilir Zefi dhe Edmond Gjikopulli), janë marrë për fondin para tre vjet e gjysmë dhe ende nuk janë paguar lekët. Artistët me të drejtë kërkojnë një përgjigje për blerjen e veprave ose për kthimin e tyre. Unë jam drejtori i tretë prezent në këtë histori. Ato janë marrë në kohën që ishte drejtor Abaz Hado; është mbledhur një komision që ka miratuar edhe çmimin në kohën e Nestor Jonuzit dhe tani jam unë", - shprehet Mulliqi. Ai vazhdon më tej se "personalisht kam insistuar që të blihen, sepse është turp për institucionin që e ka zgjatur kaq shumë kur edhe shifrat nuk është se janë shumë të larta. Por i vetmi shans që na ngelet është që të gjejmë ndonjë mundësi jashtë institucionit". Kjo do të mjaftonte për të kuptuar se sa mund të blihen vepra për fondin e Galerisë së Arteve, në një kohë kur konkurrenca nga iniciativat private ka nisur të duket.
Fondi pas '90-ës
Pjesa më e madhe e pikturave që ndodhen në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve janë blerë apo marrë në mënyra të ndryshme para viteve '90. Pas këtij viti, numri i veprave që janë bërë pjesë e tij ka rënë ndjeshëm. "Në momentin kur pas '90-ës veprat dolën në shitje, ka qenë e vështirë blerja e tyre", - thekson Mulliqi. Ai vazhdon se "kemi një mungesë të madhe të artit bashkëkohor. Është shumë e vogël sasia e veprave që trashëgojmë si institucion". Përkohësisht, në Galerinë Kombëtare të Arteve pavijoni i artit bashkëkohor është mbyllur. Genc Mulliqi shprehet se ai do të rigjallërohet sërish, për shkak të problemeve teknike që ka salla. Mundësia e ndjekur për pasurimin e tij nëpërmjet sponsorizimeve, sipas drejtorit ka problemet e veta.

"Në rastin e ekspozitës dhe katalogut të Zef Kolombit, fondacioni "Proevete" na premtoi një sponsorizim të cilin më pas nuk e aprovoi duke na krijuar një shtrëngesë financiare me këtë botim", - shprehet Mulliqi. Sipas tij, një nga propozimet që ata kanë bërë në Ministrisë së Kulturës është dhënia e një fondi të posaçëm për blerje. Ndërkohë që as për këtë vit nuk është parashikuar ndonjë blerje. E megjithatë, edhe ato pak vepra që mund të sigurohen, futen në një fond, kushtet e të cilit janë mjaft kritike. Mulliqi shprehet se "është një nga prioritetet tona dhe së bashku me Bordin e Zhvillimit të Galerisë do të shohim se ç'mund të bëjmë për të". Ambientet e ruajtjes dhe ekspozimit të kësaj galerie janë bërë shpesh objekt diskutimi. Por për gjithë këto komplekse problemesh, ende nuk është gjetur një zgjidhje.


Marre nga : Oliverta Lila  - Gazeta Shqiptare


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama