Veset dhe fobite e njerezve te medhenj

Veset dhe fobitë e njerëzve të mëdhenj

Ndërsa në një rast tjetër shohim një artist të madh siç është kompozitori gjerman Vagner që përçmon publikisht një njeri e një artist tjetër vetëm për faktin se ai është çifut. Një tenor si është Karuso pavarësisht se ishte zot i një zëri të fuqishëm, kishte frikë të ishte zot i fatit të tij dhe për këtë arsye konsultohej gjithmonë përpara se të ndërmerrte udhëtime. Pjetri i Madh i Rusisë kishte frikë të kapërcente urat, ndërsa filozofi e shkrimtari francez Volteri nuk i rezistonte dot aromës së trëndafilave. Nëse aroma e trëndafilave dhe Volteri gjendeshin në të njëjtin ambient, ky i fundit shembej menjëherë përdhe. Ndërsa ai që shkroi përrallat më të bukura në botë, Andersen i trembej më shumë se çdo gjëje faktit se mund ta varrosnin të gjallë. Askush nuk e varrosi të gjallë, sepse kur vdiq nga kanceri ai ishte më i vdekur se të vdekurit.

Abraham Linkoln

Presidenti i 16-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Abraham Linkoln është i njohur si një nga liderët më të mëdhenj të këtij vendi. Gjithashtu ai është i njohur dhe për kapelën e tij të gjatë që s’e hiqte asnjëherë. Kjo kapele është e njohur sepse ai e kishte zakon që aty të mbante një sërë gjërash si letra, fatura, vula, lapsa etj.

Andersen

Një prej shkrimtarëve më të famshëm të përrallave për fëmijë e të rritur, Hans Kristian Andersen kishte një frikë të tmerrshme se mund ta deklaronin të vdekur dhe ta varrosnin të gjallë. Ai pothuajse gjithnjë mbante me vete në xhep një letër ku shkruante se kushdo që mund ta gjente pa ndjenja nuk duhet të supozonte se ai ishte i vdekur derisa të ekzaminohej gjerësisht nga mjekët.

Jonathan Suift

I njohur për kryveprën e tij të vitit 1762 “Udhëtimet e Guliverit” Jonathan Suift e kishte zakon që t’i përjetonte shumë keq përvjetoret e tij të lindjes. Ai ishte një beqar i përjetshëm dhe i hidhur dhe në të gjitha ditëlindjet e tij ai e kishte zakon të vishej me të zeza dhe të mos hante asnjë lloj ushqimi. Ai vdiq në moshën 78 vjeçare.

Pjetri i madh

Cari i Rusisë, Pjetri i madh bënte pjesë në ata njerëz të mëdhenj e të famshëm që përpos madhështisë së tyre mbartnin dhe frikëra e vese krejtësisht të pakuptimta. Pjetri i Madh kishte një fobi, e cila i zgjati prej vitit 1689 deri në vitin 1725 dhe ajo kishte të bënte me urat. Cari i Rusisë kishte frikë të kalonte nga njëri cep i urës në tjetrin.

Karli II

Mbreti i Britanisë së Madhe, Karli II, i cili e udhëhoqi vendin në vitet 1660-1685 kishte një zakon mjaft të çuditshëm dhe interesant. Ai mblidhte pluhur nga mumjet e faraonëve të Egjiptit dhe e përhapte atë në lëkurën e tij. Duke bërë një gjë të tillë ai mendonte se mund të përftonte “madhështi të lashtë” nga ato të faraonëve egjiptianë.

Kardinal Richelieu

Për të nisur ditën mbarë dhe për të mbajtur trupin në formë shumë njerëz bëjnë gjimnastikë, dalin për vrap, nxjerrin qenin për shëtitje në ajër të pastër, etj. Ndërsa ish-kryeministri i Francës në vitin 1624, Kardinal Richelieu e kishte zakon që ta niste ditën me një lloj të çuditshëm gjimnastike...duke kërcyer përmbi mobilje.

Mbreti Oto

Mbreti Oto, udhëheqës i Bavarisë nga viti 1886-1913 e kishte zakon që të fillonte ditën duke vrarë nga një fshatar për çdo mëngjes. Për të kënaqur trillet e tij të dhunshme adjutantët e tij filluan ta mbushnin armën me të cilën ai qëllonte me plumba pa barut, ndërkohë që njëri prej tyre i veshur si fshatar rrëzohej dhe bënte si i vdekur sapo ai qëllonte.

Enrico karuso

Këngëtari i madh i operas Enrico Karuso, i cili vdiq në Napoli në moshën 48 vjeçare përveç se një tenor i pakrahasueshëm ishte dhe një supersticioz po me të njëjtat përmasa. Ai konsultohej me një astrolog sa herë i duhej të bënte udhëtime përtej oqeanit. Përveç kësaj ai nuk nisej asnjëherë për udhëtim ditën e martë ose të premte sepse sipas supersticioneve këto ditë janë ters.

Vagner

Sa herë që kompozitori gjerman Vagner, udhëhiqte orkestrën e muzikës së drejtuar nga Felix Mendelson, ai mbante veshur dorashka. Pas performancës, Vagner i hiqte dorashkat dhe i përplaste në tokë që të merreshin nga një pastrues. Kjo sjellje vinte si pasojë e faktit se Mendelsoni ishte hebre dhe Vagneri ishte anti-semit.

Volteri

Pothuajse asgjë nuk e mposhti dot shkrimtarin dhe filozofin francez, Volterin. Madje as edhe një muaj burg në Bastijë në vitin 1717. Asgjë, përveç asaj që shumë njerëzve u duket si aroma më e ëmbël në botë, aroma e trëndafilave. Sa herë Volteri nuhaste një aromë të tillë atij i binte të fikët menjëherë.

 

Blendina Cara - TiranaObserver

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama