Carmen femerorja ne TKOB

Carmen , femërorja në TKOB

Realizim i një stafi krejtësisht femëror, që nga regjia, drejtimi i orkestrës, kostumografia, koreografia, etj., "Super Carmen" vjen në këtë formë si një ide e drejtorit të TKOB, Zhani Ciko. Opera me katër akte do të ngjitet në skenë në datat 7, 8, 10, 11 dhe 13 prill nën interpretimin e këngëtarëve më të mirë të operës, por edhe të tjerë të ftuar nga Italia e Franca. Regjia e veprës është realizuar nga francezja Patrizia Panton, kurse orkestra e TKOB vjen nën drejtimin e Gloria Isabel Ramos Triano, e shpallur si "Personaliteti i vitit" në Spanjë në vitin 2003. Italiania Sartoria Arrigo mban peshën e kostumografisë, kurse koreografia ka firmën e Manjola Hasanit.

Vetëm skenografia del "jashtë" linjës femërore, pasi i është besuar Alfredo Troisit dhe Genc Shkodranit. Vikena Kamenica vjen si cigania Karmen. Në rolin e Don Jozesë shfaqet tenori francez Franck Asparte, ndërsa Escamilo vjen i gjallë nën interpretimin e baritonit Gëzim Myshketa, i cili vjen nga Italia. Manjola Konjari, Mariana Leka, Ylber Gjini, Sidrit Bejleri, Eriona Gjyzeli, Shpresa Beka, Erlind Zeraliu, etj., janë të tjerë emra pjesëmarrës të operës. Në këtë vepër, një rol të veçantë zë kërcimi karakteristik spanjoll, ndaj posaçërisht është ftuar një çift balerinësh, solistë të Kompanisë së kërcimit flamengo "Danza Larriba" nga Barcelona e Spanjës, Marta Larriba Adelle dhe Daniel Vegaz Perez. Ndërsa pjesë plotësuese e shfaqjes në kompleks do të jenë edhe një kor fëmijësh të shkollës së muzikës "Servete Maçi" dhe studentë të Akademisë së Arteve.

B. G - Gazeta Metropol


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama