Më 4 mars “babai” i reportazhit politik do të bënte 75 vjeç, nga të cilat 45 i pati shpenzuar nëpër botë. Rishard Kapushçinjski ishte një reporter i lindur. I diplomuar për histori hodhi tej karierën e sigurtë akademike dhe shkoi pas zërit të zemrës –thjesht të bëhej dëshmitar i historisë së re, historisë së gjallë. Në vitet ‘60 në botë, kishte ardhur plejada e reporterëve të famshëm, që gjendeshin dhe raportonin ndodhi gati epokale.
Rëndom sot flitet me tepëri për Luftërat Botërore, fashizmin, nazizmin, komunizmin…dhe tepër rrallë për shembull për lindjen e Botës së Tretë. Në vitin 1955, konferenca në Bandung shënon lindjen e Botës së Tretë. Këtu Kapushçinjski nis plot pasion profesionin e vështirë të reporterit, duke u bërë dëshmitar i gjallë i këtij fenomeni historik. Raportonin me të edhe gazetarë të tjerë nga bota mbarë. Afërmendsh, që punonin në kushte ekstremisht të vështira. Shumë syresh e braktisën profesionin, erdhën e u bënë drejtorë e shefa stacionesh televizive apo revistash. Ai , përkundrazi, vazhdoi udhën e përjetimeve të forta, të drejtpërdrejta e konkrete. Eshtë endur me vite të gjata nëpër tre kontinente: Afrikë, Azi, Amerikë (Latine). Zhvendosjen e përcaktonin ngjarjet e mëdha, sa në Afrikë, Amerikën e Jugut. Raportimi, ndërkaq, nuk ishte kronikë, ishte shumë më tepër se kaq.
Për çdo rast merrte pjesë aktivisht në bërjen e historisë : mblidhte dije, përftonte ndjesi të papërsëritshme por edhe rrezikonte jetën. Përherë e ka interesuar reagimi i njerëzve për ngjarjen ndaj edhe gjendej në mesin e tyre, i përjetonte ato- bashkë me ta. Në librat e vet Kapushçinjski ka faqe të panumërta përleshjesh me armë mes grupesh “rivale” nëpër xhungla. Herë hipur në jeep-at e forcave qeveritare, herën tjetër në anën e çunakëve këmbëzbathur me kallashnikovë pa rrypa. Qysh në eksperiencat e para të forta Kapushçinjski kishte shpallur devizën se gazetarinë mund ta bëjnë vetëm njerëzit e mirë . “Njerëzit e këqinj nuk mund të jenë gazetarë të mirë. Vetëm njeriu i mirë përpiqet të kuptojë të tjerët, qëllimet e tyre, besimin, interesat, vështirësitë, brengat, tragjeditë. Dhe, aty për aty bëhet një me ta, bëhet pjesë e fatit të tyre”.
*Publicist, përkthyes (në shqip edhe nga origjinali i Kapushcinjskit) dhe krijues
Revista Mapo











