Prizreni Mbreteria Turke

Prizreni, Mbretëria Turke

Kudo qofshin shqiptarët pa përjashtim e njohin Prizrenin. Nëse jo për bëmat dhe peshën e vjetërsisë dhe historisë... qoftë
dhe pa ndonjë arsye e dinë se diku në Kosovë ekziston një qytet që ngjan pak me kalldrëmin e Gjirokastrës dhe ca më shumë me shtëpitë karakteristike të Beratit. Me pak fjalë, në këtë qytet të Kosovës, mund të gjesh grimca Shqipërie, ngado që të sillesh. I kanë thurur vargje, shpesh dhe i kanë kënduar ndonjëherë dhe (pa)meritë. Ka plotë që s’druhen të recitojnë kryelartë se Prizreni meritoka respekt.



 Ndoshta dhe me të drejtë. Ndoshta… Më kopetentët që quhen historian “pa bin gajret” zbardhën në fleta që më pastaj e kthyen në libra psikozën lokaliste se një i huaj, po nuk e vizitojë Prizrenin edhe nëse i ka bredhur gjithë qytetet e Kosovës nuk e ka parë Kosovën e vërtetë. Nuk ka “bir nëne” ta mohoj që gjithë kjo mburrje që pak kush e vlerëson nga prizrenasit vjen për shehrin më të vjetër të Kosovës jo ashtu kuturu. Të diturit e Kosovës dhe jo vetëm ata, këto konkludime të rafinuara i kanë krijuar aspak në mënyrë empirike. Shtegtarët e huaj vetëm sa e kanë madhështuar kryeqendrën Dardane dhe joshja e të huajve nuk qe aspak rastësi. Por çfarë e prish jehonën e këtij qyteti që u ngrit me plotë mund dhe të kompozuar kaq bukur? Sigurisht që jo mozaiku brilante që fillin e ka ca nga uji që zbret lirshëm mes qytetit, e as krojet që mbushin sokakët me kalldrëm dhe oborret e ngushta të shtëpive të vjetra që e bëjnë sa pikant aq dhe të unik në llojin e tij Prizrenin. Madje do të thosha që këto dhe disa prej dëshmive historike dhe kulturore e dallojnë nga qytetet e tjera të Kosovës që ndryshe nga Prizreni i dikurshëm lëshojnë dum provincialiteti.

 

Pikërisht për këtë arsye, por dhe të tjera... për një kohë të gjatë prizrenasit e moçëm, që tani pothuajse nuk ekzistojnë e kanë falënderuar të “plotfuqishmin” pesë herë në ditë për dhuratën që i ka bërë. Ata, më pas kanë shkuar aq larg, saqë i kanë bërë ujit një tempull të vogël në mes të qytetit, i cili sot njihet me emrin çezma e “Shatërvanit”. Tempulli i vockël i ujit, sot ndodhet nën Kala dhe në të njëjtën kohë, është dhe njëri nga vendet strategjike edhe për ujësjellësin që furnizon qytetin. Ky lloj kulti që u ngrit nga qytetarët për ujin gjatë zhvillimit historik, ka qenë mjaft prezent në qytet dhe veçanërisht është manifestuar në lagjen e quajtur “Bunarllëk” ku ekziston dhe burimi i pasur me ujë të freskët dhe të shëndoshë buzë lumit të qytetit. Nëse imazhin nuk e prishka kontrasti i moçëm çfarë mund të jetë vallë? Pa asjë hezitim një qytetar i sinqertë i Prizrenit do të thoshte gjuha turke që ka marr diktatin kudo në qytet.

Po shuhet e shkuara e qytetit
Qyteti ka humbur shumë nga vetja. Nuk është aspak e lehtë për të nxjerrë kësi lloj konstatime, thonë qytetarët, por nga ajo që dëgjon kur flet me ta të rrënqethet mishi. Në Prizren vetëm shqip nuk flitet. Askush më nuk mund të “shes pordh” nëse tregon që është ndër ata shqiptar që ruan zakonet e moçme karakteristike të prizrenasve. Askush më nuk e ka për nge të dëgjoj një qytetar prej vërteti të Prizreni kur mburret për zanafillën e tij shqiptare. Ditët që kalon sot shehri i tyre janë më të këqijat që ka njohur ndonjëherë. Një zëri, por të sforcuar dhe pa ndonjë dëshirë të madhe rrëfejnë për dyfytyrësinë që i karakterizon qytetarët modern të Prizrenit. Kjo pjesë e shoqërisë, që nuk është aspak e vogël, po e shemb qytetarin e moçme, që deri dje është quajtur traditë. Shtëpitë e vjetra të qytetit të Lidhjes së Prizrenit, rrëzë maleve të Sharrit, që tashmë mbulohen edhe gjatë ditëve të vjeshtës nga fletët e dendura të lisave që e rrethojnë brezin e Kalasë Dardane, janë mburoja e fytyrës së vrazhdë të këtij qyteti me (pa)qytetarë.

 Plot 28 xhami dhe 8 kisha, ku prej tyre katër ortodokse janë të djegura në marsin e para dy vjetëve nga shqiptarët gjaknxehtë e bëjnë edhe më të “egër” këtë fortesë, që tashmë bashkë me Lumbardhin dhe Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit deri dje simbol të kulturës dhe rezistencës shqiptare, ndërsa sot, qytetarët e tij rrojnë me bëmat e së kaluarës por pa ja ditur shumë kimetin asaj. Familjet e lagjeve më të vjetra të qytetit, që dikur mbaheshin për agallarët e qytetit, sot janë më të paditurit, më të pashkolluarit. Sa keq i vjen një qytetari të sapoardhur në Prizren, kur sheh familjet e mëdha të qytetit që janë transformuar në turq. Por dhe ai bën njësoj si ta, vetëm pas disa ditësh së jetuari në Prizren dhe që të nesërmen ata nisin e përshëndesin komshinjtë në gjuhën turke dhe këtë e bëjnë për t’u dukur më qytetarë.


Sheherliu i vjetër i Prizrenit, por edhe i riu, janë kërkim të diçkaje... Të mëdhenjtë u mësojnë të vegjëlve të tyre që në djep, të flasin gjuhën e turkut. Ndërsa i vogli, rritet pa e ditur shqipen, gjuhën e nënës dhe ai madje mësohet nga prindërit që të mbrojë gjuhën turke si gjuhë të nënës së tij. Sa “keq” e flasin prindërit e tyre gjuhën e bukur shqipe, por edhe gjuhën turke, e cila është një miks i gjuhëve ballkanase. Ta lëmë pak inatin… por gjithë ato që zotërojnë gjuhën turke në Prizren, janë mazhorancë.

“Turqit” e Prizrenit të sertë
Lartësia e Kalasë të fut frikën, ndërsa topi paksa fals, ashtu si dhe qytetarët (jo)turk servil, që pjesa më e madhe e mohojnë shqipen si gjuhë të nënës, qëndrojnë “kryelartë” pa të drejtë përballë Pashtrikut të thatë, Koretnikut të sertë dhe Rrafshit të Dukagjinit, të mbushur plot jehonë dhe lavdi. Ata janë të pashkolluarit e qytetit të ardhur nga fshatrat e thellë dhe si mënyrë për të ndryshuar dinjitetin provincial, janë “detyruar” të mësojnë turqishten, që në atë kohë flitej tek-tuk nga ndonjë tregtar turk, që vinte për të bërë tregti në Prizren. Sot janë me mijëra, për të mos thënë gati gjysma e qytetit, nga pamundësia për të ndryshuar mendësinë e origjinës janë ngushëlluar bajagi me gjuhën turke. E kanë gjetur veten… Edhe nëse ke mbi 100 vjet që jeton në qytet dhe të mos flasësh turqishten me fëmijët në shtëpi, ose në rrugë me komshinjtë, je i etiketuar si fshatar. Në të kundërt, mund të jesh i ardhur pas luftës dhe të flasësh turqisht, të quajnë qytetar prej vërteti të Prizrenit.


Unë, që tashmë e kam harruar turqishten, ose thënë shkoqur, nuk dua ta flas gjuhën e tjetrit, mezi më shohin, sesi më flasin, si me zor. “Mehrrabah abi”, “Bujrum”, janë frazat që kanë zëvendësuar përshëndetjet “Tungjatjeta, vëlla” “Urdhëroni”. Kuvendi i Kosovës i ka thënë: “Po, gjuhës turke në Prizren”. Turqishtja në Prizren, gjuhë zyrtare herët a vonë. Të detyruar nga të huajt deputetët e Kosovës pasi kanë rrëzuar disa herë mocionin e propozuar për përdorimin e gjuhës turke si gjuhë zyrtare në Prizren e kanë miratuar. Për ca kohë ëndrra e jo pak qytetarëve të Prizrenit nuk u plotësua, por nuk vonoi shumë dhe ëndrra e tyre u bë realitet. Ç’rëndësi ka nëse turqishtja do zyrtarizohej apo jo, pasi pothuajse në çdo institucion, lokal, butik, rrugë, ajo është “zyrtarizuar” qëkur. E flasin të gjithë, pa përjashtim, kush nga dëshira e kush nga fakti për të mos ngelur anash turmës. Nëse tenton të pyesësh qytetarët intelektualë të Prizrenit, të cilët janë potentë në jetën politike dhe kulturore të Kosovës, nga ta përgjigjen do ta marrësh disi të vështirë.

Ka mundësi, madje, që të pasojë heshtja e të shohësh në fytyrat e tyre bezdi…, por gjithsesi, ka shumë të tjerë që janë të gatshëm të të japin plot përgjigje e të dëshmojnë, se dinë shumëçka rreth tyre. Këta qytetarë të ngritur intelektualist, s’kanë pranuar asnjëherë që të flasin turqishten në familje… ndërsa shqiptarët e turqizuar të Prizrenit, që kanë jetuar si pashallarë deri dje në zemër të Prizrenit, sot ndihen krenarë për gjuhën që flasin. Megjithëse duket paradoksale, Prizreni fsheh plot dëshmi e gjurmë shqiptare brenda tij, paçka se gjithçka shqiptare, aty të duket një prezencë shumë e vogël e modeste. Rastësisht hasa në një material të titulluar “Prizreni ndër vite”, të cilën po e sjell ngacmueshëm. Në mënyrë të detajuar, në këto materiale hidhet në dritë e fortë mbi historikun e ngulimeve të para turke në Prizren.

Këtu hasim plot aspekte të tjera, të njohura e të panjohura, që kanë të bëjnë me këtë fakt. Pra, cilët ishin turqit e parë, që vendosen të punojnë e jetonin në thellësi të Kosovës? Çfarë vështirësish ndeshën e ndeshin ata gjatë gjithë jetës së tyre këtu, trajtimit të tyre ndër vite, diskriminimit apo edhe vlerësimit që u është bërë, ndryshimet që kanë pësuar gjatë kësaj rruge, integrimin dhe sukseset në metropolin më të madh tregtar pas Stambollit, si dhe plot akte e shifra të tjera interesante që ilustrojnë më së miri këto që thamë më sipër. Shkurt, në Prizren sot jetojnë jo më shumë se 10 familje, që kanë origjinë të vërtetë turke, ndërsa mesazhi që marrim brenda një dite në qytetin e Prizrenit, tregon se lobi turk në qytetin e Lidhjes së Prizrenit janë me plot gojë, mazhorancë. E dhimbshme kjo për një qytet si Prizreni, por ç’të bësh, e keqja, sado e vogël që të jetë, duhet thënë para se të bëhet e madhe.

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama