Duket se kishte pasur vërtet nuhatje të fortë, sepse Ornela Bregu asokohe as që e kishte menduar ndonjëherë se mund t’i qëndronte kamerës përballë dhe të ishte prezantuese. Ajo e kishte provuar kamerën në një tjetër mënyrë. Por regjisori as që e dinte se ajo vajzë e bukur ishte takuar me televizionin si këngëtare. Madje atij as që i interesonte kjo. Ornela Bregu ishte e përshtatshme për të prezantuar. Ishte e pranueshme për kamerën. Kishte dhe look të veçantë. Me pak fjalë, u përzgjodh vetëm se ishte e bukur. Ajo do t’i qëndronte në krah Adi Krastës.
Përfundimi dihej: do të ishte një manekin i bukur që duhej të buzëqeshte ëmbël dhe herë pas here të artikulonte ato që kishte mësuar përmendësh nga skenari. Si shumë paraardhëse të saj. Por Ornelës kaq i mjaftoi e i teproi për të shkelur një tokë që nuk do t’i dridhej fare nën këmbë. Sepse nuhatja e hollë e Pali Kukes doli se kishte qëlluar në shenjë: ajo kishte vërtet nerv për prezantim.
Një mundësi e tillë nuk të vjen përditë dhe ajo e dinte mirë këtë. Prandaj shumë shpejt doli se ky manekini kësaj radhe kishte qëlluar jo vetëm e bukur, por e aftë të shihte kamerën në dritë të syrit, të improvizonte, të fliste rrjedhshëm dhe të mos rrinte si e ngrirë.
Kostoja e dimensionit të ri nuk do të ishte shumë e kushtueshme për Ornelën. Madje fitimet në këtë rast i justifikonin humbjet që do t’i shkaktonte lënia pas dore e muzikës. Të këndonte në skenën e festivalit nuk ishte e njëjta gjë si të merrte në duar frenat e prezantimit. Prandaj e la këngën pa bërë shumë naze, për të parë emrin e saj shumë herë në titrat e një spektakli. Dhe shija ishte vërtet shumë tunduese. Aq tunduese sa nuk kishte më vend për mëdyshje. Tashmë s’kishte më kthim mbrapa.
Spektakli e kishte infektuar. Dhe simptomat ishin të dukshme. Por u bënë fare të qarta kur Ornela Bregu depërtoi ekranet çdo të diel nga kabareja e “Portokalli”-së. “Eksperienca në Portokalli ishte shumë e vlefshme për mua. Ishte një lloj tjetër spektakli që më mbante në korrent gjatë gjithë kohës”. Dhe kur u duk se gjërat po shkonin aq mirë, pamja e saj do të bëhej sërish kumbara e vendimeve të rëndësishme. Ornela Bregu nuk do të ishte më pjesë e spektaklit të përjavshëm. Arsyeja? Ishte shëndoshur dhe nuk ishte më e përshtatshme për kamerën. Të paktën kështu u supozua. “Këto janë ato që kanë thënë mediat. Në atë kohë unë para një ofertë të mirë pune në Kosovë dhe e gjykova si të rëndësishme, aq sa të lija edhe angazhmin tim tek Portokallia. Përveç kësaj, ai spektakël ashtu ishte konceptuar. Çdo sezon do të kishte nga një prezantues të ri”. Ndoshta kjo është hera e parë që begenis t’u japë përgjigje atyre që u thanë asokohe. Sepse deri atëherë kishte të tjera gjëra për të bërë.
U tha ç’u tha, nuk ka shumë rëndësi. E megjithatë, Ornela bregu pas kaq kohësh duket kaq ndryshe. Ka përvijuar një siluetë shumë elegante. Në trupin e saj nuk ka më gjurmë të kileve të tepërta. Ajo koha kur ajo avulloi nga televizionet pa lënë gjurmë shërbeu për shumë gjëra. Aq sa tani gjithçka në jetën e saj mund t’i vendosësh një emërues të përbashkët: një jetë e re.
Të re sa për të qenë një nga fijet kryesore të një spektakli, pasi kishte munguar për një kohë vërtet të gjatë. Një spektakël që do ta sillte të vetme në skenë. Aq të vetme sa nuk do t’ia ndjente kurrsesi mungesën një partneri. Tani ishte në gjendje ta mbante vetë të gjithë peshën, Sepse ajo koha kur pamja vendoste për të, kishte perënduar. Firmën mbi projekt tani e vendoste profesionalizmi i saj. Prandaj edhe Kafazi i artë rezultoi për të një sipërmarrje e suksesshme, ku Ornela kishte pjesën e saj sigurisht shumë të rëndësishme, që nuk nuk kaloi pa rënë sy. Edhe të atyre që thanë se për prezantimit e spektaklit ajo u pagua më shumë se mirë.
Por duket se Ornela më shumë se këtë ka vlerësuar sërish atë pjesën e risisë që i solli kjo eksperiencë. “Nuk isha thjesht një përcjellëse skenari. Kisha kontakte me banorët. kam qenë ndër ata që kanë përzgjedhur njerëzit dhe jam marrë gjatë gjithë kohës me pjesën e organizmit. Por mbi të gjitha jam ndier e vlerësuar nga pikëpamja profesionale”. Dhe vlerësimi kësaj radhe do t’i shijonte shumë. Sepse kokëçarjet e tipit: flokë, veshje, qëndrim... nuk do t’i kumbonin më nëpër veshë. Ishte e lirë të vendoste vetë.
Pakti me pamjen e saj kishte mbaruar njëherë e përgjithmonë. Nuk i shërbente më për të qenë e pranuar. Dhe kjo nuk vlente vetëm për pjesën e skenës. Kishte arritur ta nënshtronte look-un e saj, aq sa ta detyronte edhe të merrte pamjen e një zyrtareje. Sepse kur flet për një jetë të re, përkufizimi vlen edhe përtej asaj që ajo ishte mësuar të bënte ngaherë. Prandaj u grish jo pak për ta parë veten edhe me petka zyre. “Për katër muaj kam punuar në Ministrinë e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Kisha të bëja më shumë me specialistë të fushës së turizmit dhe të thënë të drejtën nuk është se më shkonte shumë për shtat”. Ndoshta ajo pjesa e spektaklit e kishte krijuar boshllëkun.
Prandaj i duhej diçka tjetër që të kishte të bënte edhe me atë eksperiencë të re ku e gjente veten më së miri, edhe me atë të vjetrën, që do t’i jepte kuptim çdo gjëje që bënte. Shefe e Departamentit të Spektakleve në qendrën Ndërkombëtare të Kulturës. Mund të duket aq i ftohtë dhe pa asnjë pikë takimi me atë që jemi mësuar kaq shpesh të dëgjojmë para emrit të saj: prezanton spektaklin Ornela Bregu. Por ishte koha për të provuar gjëra të tjera, prandaj edhe e gjeti veten aq mirë në punën e saj të re. Që do të thotë se çdo aktivitet zhurmëbërës i Piramidës: spektakle, panaire, promovime librash, ka një dorë të padukshme dhe të dukshme. Dhe nëse ajo rri e fshehur, organizon dhe u jep dorën e fundit të gjitha detajeve që kanë të bëjnë me aktivitetet e qendrës së kulturës, spektaklet e bëjnë të dukshme edhe në skenë, ku ajo merr vetë në dorë frenat e prezantimit.
Një ditë e mbushur plot. Sepse Ornela nuk është tipi që mund të rrijë gjatë gjithë kohës pas një tavoline zyre, mbi kompjuter dhe shkresurina. Organizimi i spektakleve e do edhe jashtë. Është gjatë gjithë kohës në kontakt me njerëz, me takime që e detyrojnë të lëvizë shpejt e shpejt për t;u gjendur pastaj më në fund të shtëpinë e saj, ku po shijon edhe atje jo pak gjëra të reja. Pas kthimit të munguar prej vitesh të bashkëshortit të saj, familja është më në fund e plotë. Kanë gjithë kohën e mundshme në dispozicion për të shijuar praninë e njëri tjetrit, madje kohët e fundit kanë shijuar më fort praninë e vajzës së tyre, Beninës. Mami Ornela kishte një impenjim më pak ditët e fundit para se ajo të shkonte në klasën e parë. Nuk e shoqëronte më në kopsht mëngjeseve. “Para se të fillonte shkollë doja që të rrinte më shumë me ne.
Prandaj e largova edhe nga kopshti. të kishim më shumë mundësi të qëndronim me të para se ajo të ishte e ngarkuar me mësime”. Paraditet e kaluara me bashkëshortin, një aktivitet i ngjeshur në punë, pasdite tek lodrat me vajzën dhe ndonjëherë orë të kaluara në shtëpi. Ku Ornela ka momentin për të menduar kohën për t’u rishfaqur. Pas një spektakli impenjativ si Kafazi i Arte dhe aktiviteteve të herëpashershme në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës, patjetër që do të vinte koha për të menduar edhe për muzikën. I ka hyrë në hak duke e tradhtuar me skenarin prezantimit. Duket se koha për t’i kthyer reston e ka bërë të mendohet seriozisht për t’u rishfaqur me një këngë dhe videoklip. “është një këngë që unë e kam përgatitur prej kohësh, por tani do ta shfaq për publikun duke e shoqëruar edhe me një videoklip”. E pra duket se për këtë vit Ornela Bregu ka së ç’të shijojë. Dhe derisa planet e saj të zbatohen pikë për pikë, patjetër që ajo nuk do të qëndrojë duarkryq.
Klaudeta Skënderasi











