Tsipras thirrje grekeve tu thone jo masave shtrenguese ne te kundert Syriza dorehiqet

Tsipras thirrje grekeve t'u thone jo masave shtrenguese, ne te kundert 'Syriza' dorehiqet

Kryeministri grek Aleksis Tsipras, në një intervistë për televizionin shtetëror ERT, u ka bërë thirrje grekëve të votojnë “jo” në referendumin e së dielës për të hedhur poshtë kërkesat e kreditorëve, pasi kjo votë kundër masave shtrënguese do ta ndihmojë Greqinë të negociojë një zgjidhje më të mirë ndaj krizës.

Në rast të kundërt, nuk jam një kryeministër i përhershëm, ka thënë ai, duke nënkuptuar që, nëse vendimi i grekëve do të jetë pro masave, atëherë ai do të japë dorëheqjen dhe vendi do të shkojë përsëri në zgjedhje të parakohshme.

“Përgjigjen do ta japë populli grek. Nëse grekët dëshirojnë të vazhdojnë me masat shtrënguese në përjetësi, me reformat e ashpra që nuk do të na lënë të ngremë kokën, që po detyrojnë mijëra të rinj të largohen jashtë shtetit, që do të shkaktojnë rritje të papunësisë dhe të marrim përsëri programe ndihme dhe kredi, nëse kjo është zgjedhja e tyre, ne do ta respektojmë atë, por nuk do të jemi ne ata që do ta zbatojnë”, tha Tsipras.

Tsipras gjithashtu ka deklaruar se Greqia nuk paguan sot detyrimin e saj ndaj FMN-së prej 1.6 miliardë euro. Me gjithë kërcënimet dhe rrezikun për daljen e vendit nga Eurozona, sipas britanikes “Daily Telegraph”, ministri grek i Financave, Gianis Varoufakis, ka deklaruar se qeveria greke do të shkojë në Gjykatën Europiane të Komuniteteve, pasi statusi i BE-së nuk parashikon daljen e një vendi anëtar të euros nga zona e monedhës së përbashkët.

Ndërsa Kancelarja Merkel ka mbledhur liderët politikë të Gjermanisë për të diskutuar se si do të veprohet për çështjen greke, ministri i Financave, Shcauble, ka deklaruar se propozimi i huadhënësve për Greqinë është anuluar, kështu që mund të rinisin nga fillimi negociatat, nëse pranon Athina.

Kreu i KE-së, Jean Claude Juncker, i ka kërkuar kryeministrit Tsipras të pranojë një propozim të ri të Eurogrupit, por burime pranë qeverisë greke kanë deklaruar që, pavarësisht se Athina është e hapur për të gjetur një zgjidhje, vendi do të zhvillojë të dielën referendumin.

Ndërkohë, mijëra protestues janë mbledhur në një tubim në sheshin Sintagma të Athinës, në mbështetje të qeverisë duke kërkuar nga të gjithë qytetarët të votojnë kundër masave të kreditorëve të huaj.

“Për mua, kjo është një luftë, ne duhet të rezistojmë dhe të luftojmë kundër këtij sulmi që po i bëhet vendit tonë, demokracisë”, tha një qytetare greke.

Për shkak të zhvillimeve të fundit, agjencia “Fitch” ka zhvlerësuar në statusin e falimentimit të kufizuar katër bankat kryesore greke, ndërsa edhe “S&P” ka ulur më tej aftësinë kredituese të Athinës, kur mundësia për një Grexit ka shkuar në 50%.

Ndërkohë, mbyllja e bankave dhe limiti i tërheqjes së parave ka sjellë ngrirje të tregut dhe të veprimtarisë së bizneseve, si dhe rritjen e çmimeve të karburantit. Qeveria ka deklaruar se transporti publik në zonën e Athinës do të jetë falas për sa kohë bankat janë të mbyllura./TCH


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama