Tomas Myler E dua Superkupen nuk do te gjuaj penallti

Tomas Myler: E dua Superkupën, nuk do të gjuaj penallti

Tomas Myler është rikthyer i karikuar nga pushimet dhe po stërvitet rregullisht me ekipin. Gjatë një konference për shtyp tri ditë para Superkupës së Gjermanisë, sulmuesi i Bajernit flet për shumë tema duke nisur nga Dortmundi, përforcimet, Ançelotin, Champions-in...

Juventus v FC Bayern Muenchen - UEFA Champions League Round of 16

Myler, a jeni të motivuar për të fituar Superkupën?

Rëndësia e Superkupës është mes një titulli të rëndësishëm dhe një ndeshjeje përgatitore. Përballja Bajern-Dortmund është një duel që e sheh gjithë kombi. Te Borusia ka ndodhur një ndryshim i madh në organikë, ndërsa te ne trajneri. Patjetër ka tituj më të rëndësishëm, por pas dy humbjeve radhazi, këtë herë dua ta fitoj. Do të jetë ndeshje më e bukur sesa një miqësore.

E mirëpritët rikthimin e Mats Humelsit?

Nuk kam folur ende për rikthimin e tij. Mats nuk të jep përshtypjen që të ketë frikë nga situata të tillë. Për këtë arsye, vërshëllimat ndaj tij do të ishin të kota. Humels luajti 8 vite për Dortmundin dhe la gjunjët për atë ekip. Fansat verdhezi duhet të tregohen pak mirënjohës për investimet e tij. Humels është një përforcim për ne. E dimë potencialin e tij si në dyluftime dhe në ndërtimin e lojës.

Me Humelsin, bashkë me Lahmin, do të keni një rival më shumë për të luajtur "Schafkopf"...

Ne kemi bërë presion për shkak të politikave të dobëta të transferimeve. Kemi humbur vit pas viti lojtarë të lojës sonë tradicionale. Më në fund arritëm të gjenim rrugën e duhur. (qesh)

Si e shihni kualitetin e ri të Bajernit?

Bajerni përpiqet të përforcohet dhe jo të përkeqësohet nga blerjet. Duhet të shohim nëse përforcimet do të na vijnë në ndihmë për një kohë të shkurtër apo të gjatë. Fakt është që të dyja blerjet janë cilësore.

hd-carlo-ancelotti-bayern-munich_1bwtm5lxaknqb1p2o0b8h1o2np

Mendimi juaj për Karlo Ançelotin?

Nuk është e nevojshme të flasim për të, pasi e njeh gjithë bota. Ai e di se çfarë bën. Ka një stil të hapur me lojtarët dhe është i qeshur me ne. Vërtet po argëtohem nën drejtimin e tij. Uroj të vazhdojë kështu. Unë i thërras gjithnjë "Mister".

Jeni në gjendje të luani për 90 minuta pas pushimeve?

Besoj se edhe për 10 vite do të jem në gjendje të luaj pa problem për 90 minuta pas pushimeve. Nëse nuk do të jem në gjendje të luaj për 90 minuta, atëherë i duhet dhënë lamtumira futbollit. Edhe me pushime, unë jam gjithnjë në lëvizje.

Çfarë ndikimi do të ketë revolucioni i Dortmundit?

E ardhmja do ta tregojë se sa do të funksionojnë ndryshimet. Do të duan kohë të arrijnë nivelet e duhura. Kjo situatë më kujton kohën e Van Galit. Na u desh shumë kohë për t'u përshtatur. Ndërsa nën drejtimin e Ançelotit, nuk shoh ndonjë ndryshim radikal. Në përgjithë- si, ndryshimet i japin impuls futbollit.

Cili është pozicioni juaj i preferuar?

Ne mund të luajmë në shumë sisteme, si nën drejtimin e Guardiolës. Ndihem mirë në rol sulmues prapa qendërsulmuesit, ose në të djathta në gjysmëzonë. Nuk qëndroj kurrë në skajin anësor, pasi arma ime është lëvizja në drejtim të zonës së rreptësisë. Nëse Levandovski s'mund të jetë ndonjë herë në formë, atëherë e marr përsipër rolin e tij.

Sezonin e kaluar shënuat 20 gola në Bundesligë. Keni ndonjë bast këtë vit?

Ajo ka qenë kuota më e lartë brenda një sezoni në kampionat. Është detyra e sulmuesve të shënojnë më shumë. Varet nga situata, aksionet dhe kundërshtarët. Diferencën e bëjnë detajet dhe vëmendja në fushë. Shpresoj që të jem sërish nuhatës goli dhe golashënues.

myler

Do t'i gjuani sërish ju penalltitë?

Nuk kam dëgjuar ende planin e trajnerit Ançeloti për këtë temë. Nëse të dielën Superkupa shkon me penallti, atëherë mund të parashikoj të gjuaj. Por, nëse do të akordohet ndonjë gjatë lojës, mendoj se do ta gjuajë dikush tjetër.

Një koment për rikthimin e Hënesit president...

Uli Hënes ka bërë epokë te Bajerni. Rikthimi për të ka qenë gjithnjë një opsion. Për ne lojtarët është shumë pozitive, pasi kur kemi pasur probleme shkonim tek ai dhe zgjidhej gjithçka.

Tri herë radhazi në gjysmëfinale të Champions-it. Mendoni se do të ecni më tej me Ançelotin?

Natyrisht që trajneri ka rol dhe eksperienca e tij do të bëjë që ai të marrë vendimet e drejta. Në futboll nuk garanton apo llogarit dot rezultatin. Detyra jonë është të përgatitemi dhe rezultati të jetë në përpjesëtim të drejtë me aq çfarë jep në fushë. Në fakt, shumë herë ky raport është në përpjesëtim të zhdrejtë, pra dua të them jo gjithnjë fiton ekipin më i mirë. Po të mos ndodhnin këto, atëherë futbolli do të bëhej i mërzitshëm dhe para meje do të paraqiteshin ndoshta dy gazetarë (qesh).

Së fundmi, cilat janë qëllimet tuaja për këtë sezon?

Qëllimet janë të njëjta si çdo vit. Duam të fitojmë gjithçka. Por jam i mendimit që po nuk fituam tripletën, s'kemi arritur asgjë. Titulli i pestë radhazi natyrisht që është parësor. Duam të thyejmë rekordin tonë. Synimi ynë është shkakësor. Ne luajmë për të marrë rezultate të suksesshme.

Përgatiti: ENIAR IBRO



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama