TIFF 2011 nis me buxhet zero

'TIFF 2011' nis me buxhet zero
Këtë vit kanë konkurruar rreth 500 filma, nga të cilët në seleksionimin zyrtar kanë kaluar 83 (11 të animuar, 9 dokumentarë, 12 eksperimentalë, 42 filma artistikë me metrazh të shkurtër dhe 9 filma artistikë me metrazh të gjatë). Filmat në konkurrim vinin nga 60 shtete

Edicioni i nëntë i “Tirana International Film Festival” do të mbahet në datat 5-10 dhjetor. Organizatorët kanë zgjedhur filmat në konkurrim që do të shfaqen në kinema “Imperial”, në Qendrën “Kristal”. Si shumë projekte të tjera, realizimi i këtij festivali u vu në diskutim nga kriza financiare. Agron Domi, themelues dhe drejtor ekzekutiv i “TIFF” thotë se, e nisin me buxhet zero këtë festival, që është në prag të një dekade jetë. Në intervistën e mëposhtme, Domi tregon më shumë për edicionin e nëntë, filmat në konkurrim dhe sfidat për ta çuar këtë festivalin në jubileun e dhjetë.

Edicioni i nëntë i “Tirana Film Festival” do të organizohet nga data 5-10 dhjetor. Tashmë është përcaktuar programi. Sa kanë qenë filmat që kanë konkurruar për pjesëmarrje dhe vendet nga vijnë?

Këtë vit kanë konkurruar rreth 500 filma, nga të cilët në seleksionimin zyrtar kanë kaluar 83 (11 të animuar, 9 dokumentarë, 12 eksperimentalë, 42 filma artistikë me metrazh të shkurtër dhe 9 filma artistikë me metrazh të gjatë). Filmat në konkurrim vinin nga 60 shtete, ku në krye të listës me më shumë pjesëmarrje, sigurisht që renditen Gjermania, Italia, Anglia, Spanja, por nuk mund të lëmë pa përmendur vende si Rumania, Polonia, Izraeli, Irani, Finlanda, Portugalia, Koreja e Jugut, Tailanda dhe për herë të parë edhe Kuba. Është emocionuese dhe rritje përgjegjësie kur sheh autorë të famshëm në botë si Simone Massi, Vladimir Perovic, Zoltan Horvath, Simon Ellis, që vazhdojnë të besojnë në ‘TIFF’, që nga edicioni i parë në 2003. Metastazat e krizës botërore ndjehen pikërisht në aplikimet e filmave të shkurtër, sepse kriza prek pikë së pari këtë kategori të prodhimit, që nuk ka karakter komercial. Po për këtë arsye ndjehet një rënie e prodhimit në vendet me një traditë të madhe në 35 mm, por ndërkaq kjo ka sjellë një rritje të prodhimit me kosto të ulët HD në vendet në zhvillim të Europës, Azisë dhe Lindjes së Mesme. Kinemaja nuk është më monopol i industrisë së madhe amerikane dhe europiane. Teknologjia e re dixhitale po e demokratizon dashje pa dashje produksionin kinematografik. Ky do të kthehet në një avantazh për ne që kemi qenë dhe jemi shumë të prirur ndaj prodhimit të pavarur kinematografik. I vetmi handikap që kemi për momentin është aftësia distributive dhe promocioni i kësaj lloj kinemaje, vakum të cilin mundohen prej disa vitesh ta mbushin festivalet e ndryshme.

Do të thotë që filmi artistik me metrazh të gjatë mbetet pjesë e konkurrimit apo ka risi?

Filmi me metrazh të gjatë tashmë ka zënë vend të rëndësishëm në programin e ‘TIFF’ dhe qëndron natyrshëm për hir të specifikave dhe kritereve tona seleksionuese, që i japin përparësi kinemasë indipendente dhe filmit autor me buxhet të ulët, që nuk para projektohet lehtë në rrjetet e kinemave komerciale dhe në festivalet e “tapeteve të kuq”. Një erë e ngrohtë shprese për një kinema të madhe po fryn nga vendet lindore të Europës dhe Azisë e ne nuk mund të bëjmë gjë tjetër veçse ta projektojmë për publikun dhe për kineastët apo studentët e artit. ‘TIFF’ është tashmë një festival i konsoliduar për sa i përket vlerave seleksionuese dhe larmisë programuese të tij të konfirmuar edhe nga kritikë, regjisorë dhe kolegë festivalesh të vjetra e me traditë në botë, siç është Massimiliano Nardulli, drejtor artistik i edicionit të 26-të të ‘Brest European Short Film Festival’, i cili u shpreh: “Sapo i pashë filmat e përzgjedhur në ‘TIFF 2011’ e mund t’iu them që është një seleksionim fantastik”. Pyetjes rutinë për risitë e festivalit, me lejoni t’i jap edhe një përgjigje rutinë. Risia e vetme e festivaleve është krijimtaria e re që çdo vit është e ndryshme, çdo herë është e re në temat, trajtimet, mjetet, stilet, karakteret e personazhet. Organizatoreve nuk iu mbetet gjë tjetër veçse të zgjedhin me kujdes midis qindra krijimeve ato më origjinalet e universalet. Një ndjeshmëri e hollë nuk mund të fshihet ndaj temave sociale, që edhe vet ne si vend po kalojmë, si papunësia, droga, prostitucioni, edukimi i rinisë, kujdesi ndaj brezit të tretë, vlerat morale etj. Por lajmi ekskluziv qëndron se risia e këtij viti është që ‘TIIF 2011’ do zhvillohet me buxhet 0 (zero) lekë.

Gjatë këtyre viteve, vendet në të cilat janë projektuar filmat kanë qenë edhe salla jo kinemaje. Sivjet duket se filmat do të shfaqen në kinema. Si bëhet e mundur me një buxhet zero?

Sigurisht që nuk e kemi pasur luksin për të projektuar filmat në salla adekuate, për arsye se edhe buxhetet e festivalit kanë rënë nga viti në vit. Është një realitet i dhimbshëm që festivali më i vjetër ndërkombëtar në Shqipëri e më i njohuri në botë nuk meriton nga institucionet përkatëse kombëtare të financimit të artit e kulturës asnjë kacidhe. Nuk i di strategjitë, axhendat apo financimet e institucioneve publike, sepse nuk janë transparente, por e di mirë që janë duke ia arritur qëllimit që ta zvetënojnë jetën kulturore-artistike dhe ta orientojnë atë drejt konsumizmit dhe vanitetit tipik për vendet post-tranzicionale. Për sa i përket ‘TIFF’, besoj që nuk do t’ia arrijnë të na shndërrojnë në lypsarë të mjerë “For A Few Dollars More”. Falë pasionit kokëfortë që na karakterizon për nga natyra dhe origjina të një grupi të vogël prej 4-5 vetash, ‘TIFF’ jo vetëm do mbijetojë, por po kthehet në një referencë të kinemasë ballkanike. Përfitoj nga pyetja juaj që të falënderoj publikisht drejtuesit e ‘Imperial Cinema’ dhe ‘DigitAlb’ që mirëkuptuan dhe mbështetën pasionin dhe dashurinë për kinemanë, duke na ofruar falas ambientet moderne të ‘Kristal Center’ për të mbajtur edicionin e 9-të të ‘TIFF 2011’. Ky solidaritet i spikatur, jo tipik në këtë kohë krize, është një shenjë optimizmi që jo gjithçka ka marrë fund dhe pothuajse realizimi i sloganit 9-vjeçar të ‘TIFF’: Mendojmë ndryshe, por shohim njësoj!

Çdo edicion ka pasur një të ftuar special. A do të ketë të tillë sivjet dhe cili do të jetë? 

Përgjithësisht të ftuarit e ‘TIFF’ ndër vite nuk kanë qenë të tillë që të sensibilizojnë qarqe politike apo komerciale. Ata kanë qenë pjesë e seleksionimit konkurrues apo programit special dedikuar atyre.

Franco Nero, Alexander Rockwell, Ken Loach, Theo Angelopoulos, Goran Paskaljeviç nuk kanë shkelur mbi tapete parash që të vizitonin si turistë Shqipërinë. Po sigurisht, që nuk ka munguar mikpritja karakteristike dhe lehtësira transporti, që buxheti zero i këtij viti na penalizon të sjellim përpara publikut figura dhe filma të rrallë të kinemasë botërore. Megjithatë, jemi në tratativa akoma me një institucion ndërkombëtar për të realizuar një program special unik dhe për herë të parë në Shqipëri.

Zakonisht festivalet mbledhin rreth vetes një komunitet kineastësh. A është menduar për një komunikim me një publik më të gjerë?

Në mënyrë të natyrshme festivalet janë vendet e pelegrinazhit të artistëve në përgjithësi dhe të kineastëve e studentëve në veçanti për të parë trendet e kinemasë botërore, diskutuar për arritjet e kolegëve si dhe kontaktuar me producentë apo distributorë për projektet e reja. Në këto kohë telenovelash televizive është e vështirë ta tërheqësh publikun e gjerë në sallat e kinemasë, qofshin edhe me ngrohje dhe me hyrje falas.

Falë disa studentëve të Universitetit të Artit dhe dashamirësve e fansave të vjetër të TIFF, po ngremë një grup serioz vullnetarësh që do kontribuojnë në propagandimin e TIFF, krijimin e një seti promocional si dhe akomodimin e artistëve të huaj që do marrin pjesë në TIFF.

Gjatë jetës së tij 9-vjeçare, ‘TIFF’ ka pasur një ndryshim të strukturës duke u hapur për më shumë kategori filmi. 2012 do të shënojë një dekadë nga ky festival. Do të ketë një reflektim për vazhdimësinë e këtij festivali dhe në ç’kah?

Jubileu i 10-të i ‘TIFF’ që do zhvillohet në dhjetor 2012 do të përmbledhë gjithçka speciale që ka karakterizuar festivalin në këta 10 vjet.

Do të punojmë për metrazhin e gjatë pa lënë mënjanë edhe metrazhin e mesëm, që me gjithë sasinë e pakët është shpesh kalë beteje i artistëve impenjativ. Metrazhi i shkurtër është konsoliduar tashmë dhe kemi mbetur pak festivale në botë që i vlerësojmë kategoritë të ndara në mënyrë specifike. Teknologjitë e reja dhe globalizimi i përgjithshëm sugjerojnë ndërkohë reflektim për mënyra të reja programimi dhe vlerësimi. Kemi disa vjet që kemi shpallur ‘ARTV Competition’ dhe deri tani jo të gjithë kineastët i janë përgjigjur pozitivisht kësaj thirrje. Por, në bashkëpunim me disa festivale partnere po punojmë për t’i ndërgjegjësuar filmbërësit të pranojnë që shfaqja e tyre vetëm në festivale e penalizon dhe nuk e nxit prodhimin dhe marketingun e këtij produkti elitar për nga vlerat.
Nëse njerëzit nuk po vinë për arsye të ndryshme në kinema, lind detyra jonë të shkojmë pranë tyre. Këto janë disa nga mënyrat që të gjithë “të shohim njësoj”, edhe pse mund të mendojmë ndryshe nganjëherë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama