Spanja perandoria qe nuk perendon

Spanja perandoria qe nuk perendon
“Në mbretërinë time, dielli nuk perëndon kurrë”, është fraza e famshme e Karlos V të Spanjës. Diçka e ngjashme mund ti ndodhë edhe Visente Del Boskes, udhëheqësit të heshtur, por fitues të Spanjës që vazhdon të dominojë futbollin botëror.

Europian-Botëror-Europian, tre tituj të fituar në 4 vjet. Një cikël i jashtëzakonshëm, i paprecedentë në Europë. sikur kjo të mos mjaftonte, festa premton që nuk do të mbyllet së afërmi. Misioni i ri është Olimpiada, ku iberikët kërkojnë medaljen e artë. Një aktivitet në të cilin do të luajnë pasardhësit e shumtë të Ksavit dhe Iniestas.

Për spanjollët e mrekullueshëm, oreksi vjen duke ngrenë dhe Lojërat Olimpike “Londër 2012” mund të jenë thjesht etapa e radhës për t’u arritur. Në fakt, objektivat madhorë janë Botërori Brazil 2014, e pse jo edhe “tripleta” e kupave Europiane në edicionin e vitit 2016.

Përveçse shumë e fortë, “Furia e Kuqe” ka një moshë mesatare të re, por mbi të gjitha ka në përfaqësueset e moshave talentët premtues, që presin afirmimin dhe më pas të ndjekin rrugën e të mëdhenjve aktualë, për të vazhduar në këtë mënyrë supremacinë spanjolle.

Përfaqësueset U-21 dhe U-19 të iberikëve janë kampionë Europe dhe aty luajnë yje të rinj si Tiago Alkantara e Havi Martinez, që ishin edhe në Euro 2012, Muniain, apo talentë të tjerë të Barcelonës, si Montoja e Fontas, Adrian i Atletiko Madridit, Kanales, Kahejon, apo edhe Alvaro Morata.

Të gjithë janë stërvitur dhe rritur profesionalisht në shkollën e paraardhësve më të lavdishëm. Kjo bën që teoria se gjithçka ka një fund të vihet seriozisht në diskutim, pasi perandoria e kuqe të krijon idenë se do të vazhdojë të qëndrojë edhe për shumë kohë. Gjithçka për gëzimin e syve dhe për dëshpërimin e tifozëve brazilianë, argjentinas, italianë apo gjermanë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama