Sot nis Brazil 2014

Sot nis 'Brazil 2014'

Kampionati Botëror “Brazil 2014” do të nisë sot me ndeshjen hapëse mes vendasve të Brazilit dhe Kroacisë.  32 kombëtare do të luajnë për një vend në finalen e madhe në Rio më 13 korrik. Yjet nga e gjithë bota do të parakalojnë një e nga një duke i bërë të gjithë të ëndërrojnë për topin për një muaj të tërë.

Ndeshja, e cila do të nisë në orën 22:00, do të paraprihet nga një ceremonia madhështore e hapjes së këtij turneu.

“Më lejoni t’ju them se erdhi momenti. Kjo Kupë Bote është e jona”, ka thënë trajneri i Brazilit, Luis Felipe Scolari të mërkurën.

Seleçao cilësohet nga të gjithë si kombëtarja favorite për fitimin e Botërorit por pengesa ballkanase nuk do të jetë e lehtë për ta, ashtu siç nuk ishte e lehtë dhe në 2006, kur u nevojit një gol i Kakas, për të mundur Kroacinë, që arritjen e saj më të madhe në një botëror e ka regjistruar në Francë 1998, teksa eliminohej në gjysmëfinale nga gjelat e Aime Jacquet.

Megjithëse na ndajnë vetëm pak orë nga starti i këtij kompeticioni madhështorë, jo gjithçka është në rregull. Përveç protestës së punëtorëve të metrosë në Sao Paulo, punonjësit e tre aeropoteve në Rio de Janeiro kanë bërë thirrje për një grevë 24 orëshe, duke kërkuar rinovim të kontratave të punës.

Por Presidentja e Brazilit, Dilma Rousseff, tha se vendi i saj është gati për të pritur Botërorin. Në një dalje televizive, ajo tha se pesimistët janë mundur nga vendosmëria e popullit brazilian.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama