Shqiptarët, të cilët kanë çelësin e qeverisë së re të Maqedonisë, nuk e dinë ende sesi do të jetë strategjia e tyre dhe çfarë kërkesash do të kenë për partnerët maqedonas.
Në këto zgjedhje, shqiptarët kanë humbur shumë dhe rënia e tyre mund të vazhdojë, në rast të ripërsëritjes së votimeve në disa qendra.
Zgjedhjet nxorën një rezultat të çuditshëm në Maqedoni. “VMRO-DPMNE”-ja e Nikola Gruevskit do të ketë 51 deputetë, “LSDM”-ja e Zaevit 49 të tillë, “BDI”-ja e Ali Ahmetit 10 deputetë, “Lëvizja Besa” e dyta me 5 deputetë, “Aleanca” 3 deputetë dhe “PDSH”-ja e Menduh Thaçit me 2 deputetë.
Një ditë pas zgjedhjeve, shumica e politikanëve nuk duan të flasin, pasi gjithçka është e paqartë mes festimeve të të dy partive maqedonase.
“Lëvizja Besa”, që për shumë njerëz ishte befasi për shkak se është e re si nismë politike, megjithatë ka marrë 5 deputetë dhe shpreson për deputetin e 6 në Kuvend. Kjo është partia e vetme që flet me dëshirë.
“Edhe pse të gjithë e perceptojnë suksesin e Lëvizjes Besa si një befasi, për ne nuk ka qenë aspak e tillë. Këtë e kemi dëshmuar edhe përgjatë fushatës me përkrahjen masive që kemi pasur nga populli. Aktualisht priten rezultatet finale, e pas kësaj organet e partisë do të përcaktojnë edhe strategjinë sesi dhe me kë mund të fillojmë bisedimet për një koalicion të mundshëm”, tha Orhan Murtezani, Lëvizja Besa.
Vlerësimet në Maqedoni janë se shqiptarët, pjesërisht ranë viktimë e sistemit maqedonas dhe krizës në Shkup.
“Këtu trungu u copëtua, numri i deputetëve shqiptarë ra. E nga ana tjetër jemi sërish në një situatë të paqartë. Maqedonia tashmë e di edhe më pak se në çfarë drejtimi duhet të zhvillohet procesi”, tha Alber Musliu, opinionist.
Modeli i bashkëqeverisjes, megjithatë, në Maqedoni është i domosdoshëm, pasi partitë në pushtet mund të kenë 50 për qind plus një deputet shqiptar.
Rezultati i zgjedhjeve ka lënë Maqedoninë pa një përgjigje sesi do të jetë zgjidhja e krizës së krijuar. Afër kanë dalë të gjitha partitë që duhet të zgjidhnin krizën dhe nuk dihet sesi do të jetë koalicioni qeveritar. Edhe heshtja e shqiptarëve e tregon një gjë të tillë.