Shkarkimi i Fullanit sjell rrjedhje votash

Shkarkimi i Fullanit sjell rrjedhje votash

Votimi për shkarkimin e Fullanit nga posti i guvernatorit shkakton rrjedhje votash brenda mazhorancës. Ashtu siç edhe pritej, me 72 vota pro dhe 6 kundër, Parlamenti miratoi me votim të fshehtë propozimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për shkarkimin e guvernatorit Ardian Fullani. Me po të njëjtën akuzë, për cenim të interesave të Bankës së Shqipërisë, u shkarkua nga Kuvendi edhe kryeinspektorja Elivar Golemi. Por, përveç faktit se bëhet fjalë për gjashtë deputetë të PS-së dhe LSI-së që nuk kanë respektuar vendimet politike të partive respektive lidhur me këtë vendim të mazhorancës, vetë kryetari i saj, Edi Rama, nuk mori pjesë në votim, duke shmangur kështu një qëndrim të tij ndaj ish-kreut të Bankës së Shqipërisë, edhe pse votimi i djeshëm garanton fshehtësinë e votës së deputetëve. Ndërkohë, opozita përfaqësohej vetëm nga deputeti i PDIU-së, Aqif Rakipi, i cili i kontaktuar nga “Top Channel”, deklaroi se ka qenë “pro” shkarkimit të Fullanit, duke përbërë kështu edhe të parin deputet që ka deklaruar votën e tij të fshehtë. Kështu, rezulton që gjashtë votat ‘kundër’ kanë qenë të gjitha nga radhët e deputetëve të mazhorancës. Kjo lidhet edhe me faktin se tri vite më parë, një pjesë e tyre votuan ‘pro’ mandatit të dytë të Fullanit në krye të Bankës së Shqipërisë. Bëhet fjalë për votimin ‘pro’ Fullanit nga LSI-ja, e cila ishte pjesë e mazhorancës së djathtë në atë kohë. Por rimandatimi në postin e guvernatorit do të votohej edhe nga deputetët e PS-së, Ben Blushi e Arben Malaj, që ishin pjesë e opozitës së atëhershme socialiste. Arben Malaj nuk është më deputet, ndërsa Eduard Shalsi, në votimin e tri viteve më parë, do të rezultonte se kishte abstenuar dhe u shpreh menjëherë se vota e tij kishte qenë gabim.

Shkarkimet

Edhe pse askush nga përfaqësuesit e grupeve parlamentare të mazhorancës nuk u shprehën, i vetmi që foli për këtë çështje ishte kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, sipas të cilit, guvernatori Fullani ka cenuar rëndë interesat e Bankës së Shqipërisë. “Anëtarët e komisionit vlerësuan se në kushtet kur Këshilli Mbikëqyrës ka konstatuar se Fullani, në cilësinë e guvernatorit ka cenuar rëndë interesat e Bankës së Shqipërisë, këto interesa i ka cenuar rëndë edhe në cilësinë e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës”, tha deputeti i PS-së, Erjon Braçe. Gjithashtu, Kuvendi miratoi edhe shkarkimin e Inspektores së Përgjithshme të Bankës, Elivar Golemi, ku pro shkarkimit të saj, u shprehën 76 deputetë, vetëm një kundër dhe një abstenim. Shkarkimi i saj erdhi si propozim i një grupi deputetësh, pas një seri seancash të Komisionit të Ekonomisë, të mbledhur për këtë çështje. Shkarkimi nga Kuvendi i Ardian Fullanit nga të gjitha postet drejtuese në Bankën Qendrore dhe Elivar Golemit, i hap rrugë fillimit të procedurave për emërimin e drejtuesve të rinj të Bankës së Shqipërisë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama