SHBA kampione bote ne futboll per femra

SHBA, kampione bote ne futboll per femra

Kombëtarja e Shteteve të Bashkuara është shpallur kampione e botës në futboll për femra pasi mposhti 5-2 Japoninë në finalen e luajtur mbrëmë në Vankuver të Kanadasë.

Në një stadium të mbushur plot (53.341 tifozë) ylli i ndeshjes ishte Karli Llojd, autore e tre golave. Fillimisht 32-vjeçarja i dha ekipit të saj epërsinë e dyfishtë vetëm pesë minuta pas fillimit të lojës, para se Loren Hollidei të thellonte epërsinë e amerikaneve në të 14-ën. Dy minuta më pas, Llojd e çoi rezultatin në 4-0 me një perlë nga mesi i fushës.

Japonia, mbajtëse në fuqi e trofeut, u përpoq të rifutej në lojë me golat e Omigit (27’) dhe Xhonstonit (52’), por përgjigjja e shpejtë e SHBA-ve me Hethin (54’) vulosi takimin.

Për Shtetet e Bashkuara kjo është e treta Kupë Bote në histori, e para që nga viti 1999.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama