Restaurohet filmi Balle per Balle

Restaurohet filmi 'Balle per Balle
Pas restaurimit të filmit, “Nëntori i dytë”, Projekti i Kinemasë Shqiptare ka në plan restaurimin e filmave të tjerë me qëllim për të risjellë në dritë historinë e pasur të kinemasë tonë.

Filmat në radhë janë: "Ballë për Ballë" (Kujtim Çashku, Piro Milkani, 1979); "Tomka dhe shokët e tij" (Xhanfise Keko, 1977); "Kapedani" (Fehmi Hoshafi, Muharrem Fejzo, 1972) dhe "Ngadhnjim mbi vdekjen" (Gëzim Erebara, Piro Milkani, 1967).

Qëllimi përfundimtar i Projektit të Kinemasë Shqiptare është që të ndërtojë një hapësirë të re arkivimi dhe ekspozimi në Tiranë. Për të arritur këtë, në partneritet me laboratorë filmikë dhe festivale filmi në të gjithë botën synohet të bëhet e mundur restaurimi i 5 filmave shqiptarë brenda 5 vjetëve.

Çdo film i restauruar do të shfaqet më parë në festivalet e filmave, në bashkëpunim me institucionet partnere të ACP-së dhe pastaj për një publik më të gjerë.

Kanë kaluar më shumë se njëzet vjet që nga rënia e regjimit komunist, por ka ende shumë rezistencë për t'i rishqyrtuar vlerat e prodhimeve filmike shtetërore. Për këtë arsye, shumë prej tyre ruhen në magazina me kushte jo të përshtatshme dhe tani janë në rrezik për të humbur përgjithmonë.

Filmi i parë i restauruar, “Nëntori i dytë” pas premierës në Tiranë, u shfaq edhe në kinematë amerikane, duke kaluar kështu për herë të parë kufijtë e Shqipërisë. Projekti i Kinemasë Shqiptare do të nisë promovimin ndërkombëtar të filmit në SHBA dhe Evropë, duke filluar prej muajit mars 2013 me ndihmën e Ambasadës Amerikane në Tiranë, The Orphan Film Symposium (NYU) dhe Arkivit të Universitetit të Wesleyan (Wesleyan Cinema Archives).

Projekti i Kinemasë Shqiptare i është përkushtuar ruajtjes, restaurimit dhe promovimit të trashëgimisë filmike shqiptare.

Kopjet e restauruara do të jenë pjesë e programeve kulturore brenda dhe jashtë vendit, me qëllim që publiku i huaj të njihet me kinemanë e vjetër shqiptare, e cila është ende pak e njohur në botë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama