Regjistri i ndermarjeve

Parathënie

Ecuria e sektorit të ndërmarrjeve ekonomike jo-bujqësore në vite.
Deri në vitin 2004 në rregjistrin e ndërmarrjeve ekonomike janë regjistruar rreth 147 mijë ndërmarrje, nga të cilat aktive janë rreth 55 mijë. Ritmi i krijimit të ndërmarrjeve të reja në vite është i ndryshëm, dhe karakterizohet  në vitin 1996 nga nje shkallë rritje prej 24 përqind.
Pas  vitit 1996 e në vazhdim kemi një gjendje më të qëndrueshme, ku shkalla mesatare e krijimit të ndërmarrjeve të reja vlerësohet në nivelin rreth 19 përqind.Numri gjithsej i ndërmarrjeve të rregjistruara, i krahasuar me numrin e ndërmarrjeve aktive aktualisht, tregon një nivel mbylljesh të ndërmarrjeve me rreth 63 përqind. Nga analiza dukurisë së mbylljes së aktivitetit të ndërmarrjeve në vite shohim se  në periudhën deri më 1996 janë mbyllur rreth 71 përqind e ndërmarrjeve të rregjistruara gjithsej . Ndërsa pas vitit 1996 e në vazhdim ky tregues lëviz në nivelet nga  61-33 përqind të ndërmarrjeve të rregjistruara gjithsej. Prefekturat të cilat rregjistrojnë numrin më të madh të ndërmarrjeve të mbyllura janë:Tirana, Vlora dhe Fier.E rëndësishme për t’u theksuar është se pas viteve 1995 ecuria e krijimit, mbijetesës dhe mbylljes së ndërmarrjeve, e cila jepet nëpërmjet treguesve të shkallës së krijimit dhe shkallës së mbylljes së aktivitetit, paraqitet më e qëndrueshme. Përjashtim nga kjo bën viti 1997 i cili u karakterizua nga një paqëndrueshmëri ekonomike që në muajt e parë të tij.Në strukturën e ndërmarjeve sipas aktivitetit ekonomik  vazhdon të jenë mbizotërues sektori i tregtisë dhe shërbimeve të cilët mbulojnë 73 përqind të ndërmarrjeve aktive. Kjo strukturë ruhet pothuajse e njëjte në të gjitha vitet.Një tjetër karakteristikë e ndërmarrjeve është përqëndrimi i tyre sipas zonave gjeografike. Duke patur parasysh lëvizjen migruese të popullsisë (sipas rezultateve të regjistrimit të popullsisë në vitin 2001), konstatojmë se në 9 rrethe të Shqipërisë ku është përqëndruar rreth 44% e popullsisë është përqëndruar rreth 60% e ndërmarrjeve.

                     NDËRMARRJE TË REGJISTRUARA DHE AKTIVE                          

Burimet e të dhënave

Aktualisht INSTAT zotëron dhe mirëmban:

Regjistrin administrativ
 -Regjistrin statistikor

Metodologji Regjistri  i ndërmarrjeve ekonomike jobujqësore është listimi i të gjithë operatorëve ekonomikë që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në territorin e vendit.
Fusha e mbulimit
Regjistri aktual i ndërmarrjeve ekonomike jobujqësore përfshin njësitë legale dhe ndërmarrjet ekonomike. Objekti përfundimtar i tij është që në këtë regjistër të përfshihen edhe njësitë lokale (si pjesë e ndërmarrjeve) dhe institucionet buxhetore.
Regjistri administrativ i ndërmarrjeve ekonomike jobujqësore i krijuar në vitin 1994  mbështetet në regjistrin kombëtar të subjekteve ekonomike i krijuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
Regjistri statistikor është rezultati i përditësimit të një kopje të rregjistrit administrativ me  rezultatet e anketave pranë ndërmarrjeve ekonomike si:

  • Anketa  pranë ndërmarrjeve të mëdha (tremujore)
  • Anketa strukturore pranë ndërmarrjeve (vjetore)
  • Anketa e tregtisë me pakicë (tremujori)
  • Anketa pranë ndërmarrjeve prodhuese (tremujore)
  • Anketa pranë ndërmarrjeve të ndërtimit (tremujore)
  • Anketa pranë ndërmarrjeve me kapital të huaj dhe të përbashkët (FDI)  etj...
  • Variablat që përditësohen në nivel ndërmarrje janë:
  • Statusi i aktivitetit(aktive ose jo-aktive)
  • Aktiviteti ekonomik kryesor
  • Numri i të punësuarve
  • Adresa e ndërmarrjes

Përditësimi i aktivitetit ekonomik dhe numrit të të punësuarve bëhet një herë në vit në bazë të rekomandimeve të Eurostat-it (nr.2186/93) për mirëmbajtjen e regjistrit të ndërmarrjeve ekonomike jo-bujqësore.
Variablat e tjerë si adresa  dhe numrat e telefonit përditësohen më shumë se një herë në vit.      
Aktiviteti ekonomik i ndërmarrjes bazohet në Nomenklaturën e veprimtarive ekonomike (NVE Rev 1.1).

Përkufizime

Njësia legale është mbulesa juridike e ndërmarrjes. Sipas legjislacionit shqiptar në njësinë legale përfshihen:
Personi fizik
Personi juridik ( shoqëritë tregtare)

Ndërmarrja është: “ kombinimi më i vogël i njësive ligjore, pra një njësi organizative që prodhon të mira apo shërbime që ka një fare autonomie në marrjen e vendimeve, veçanërisht për shpërndarjen e burimeve aktuale të saj. Një ndërmarrje kryen një ose më shumë aktivitete në një apo më shumë vendodhje”. Marëdhënia mes një ndërmarrje dhe një njësie ligjore përkufizohet si: ndërmarrja i korrespondon ose një njësie ligjore ose një kombinimi njësish ligjore.

Njësia lokale është një ndërmarrje apo pjesë e saj( psh. manifakturë, fabrikë, magazine, zyrë, depo apo minierë) të ndodhura në zona të identifikuara gjeografikisht. Tek ky  apo nga ky vend ushtrohet aktiviteti ekonomik për të cilin me përjashtim të disa rasteve- punojne një ose më shumë persona(edhe pse me kohë  të reduktuar) për një ndërmarrje të vetme.

Madhësia e ndërmarrjes ekonomike ( në bazë të  ligjit  nr.8957 datë 17.10.2002 “Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”) përcaktohet nga numri i të punësuarve dhe i xhiros ekonomike vjetore. Në mungesë të informacionit për xhiron ekonomike vjetore për çdo ndërmarrje në regjistrin statistikor të ndërmarrjeve ekonomike, madhësia përcaktohet vetëm në bazë të numrit të të punësuarve sipas të cilit:
Mikrondërmarje - janë ndërmarrjet ekonomike të cilat punësojnë  1 deri në 5 të  punësuar
Ndërmarrjet e vogla  - janë ndërmarrjet ekonomike të cilat punësojnë  6 deri në 20 të  punësuar
Ndërmarrjet e mesme - janë ndërmarrjet ekonomike të cilat punësojnë  21 deri në 80 të  punësuar
Ndërmarrjet e mëdha - janë ndërmarrjet ekonomike të cilat punësojnë mbi 80 të  punësuar.
Regjistri i ndërmarrjeve ekonomike jobujqësore, i “ndërtuar” në INSTAT, bazohet në barazimin:
njësia legale = ndërmarrjen = njësinë lokale
 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama