Qente e rrugeve diamant i zi ne ekran te bardhe

Qente e rrugeve: diamant i zi ne ekran te bardhe

Fitues i Çmimit të Madh të Jurisë në festivalin e vjetshëm (2013) të Filmit në Venecia, me të gjitha gjasat ky duket se do të jetë dhe filmi i fundit i regjisorit (Tsai, njëri prej 5 kineastëve të mi aktualë të preferuar, ka deklaruar se nuk dëshiron të realizojë të tjerë pas këtij).

 

Kush nuk ngeli pa ia shitur shpirtin djallit, cili regjisor nuk toleroi artistikisht e materialisht, kush nuk bëri ndonjë reklamë për ADIDAS apo NIKE apo ndonjë videoklip për Lady Gaga. Vetëm Tsai jo. Besnik i artit të tij deri në minutën e fundit (dmth deri në filmin e fundit të tij), pikërisht është vetë “Stray dogs” dëshmitari më i mirë i kësaj që them: një nga filmat më antikonsensualë që mund të ekzistojë e që nuk bën as përpjekjen më të vogël të llastohet për t’u pëlqyer syve të publikut.

 

Historia është ajo e një babai që punon si ‘human billboard’ (foto majtas) nëpër rrugët e Taipeit, kryeqytetit tajvanez, dhe dy fëmijëve të tij: një familje e vogël e pastrehë, që strehohet në mbrëmje në qoshet e fshehta të qytetit. Si qenër endacakë.

 

“Qentë e rrugëve” merr përsipër të organizojë hapësirën e komunikimit midis asaj mendore dhe fizike, midis ëndrrës dhe realitetit, midis të gjallëve dhe të vdekurve në formën e një hipnoze kinematografike të shtyrë në limitet e perceptimit shqisor, gjithmonë e përbërë nga lëndë bruto, nga lëndë radikale dhe e radikalizuar: trupa fizikë, dritë, dritëhije, hije.

 

Diamant i zi në cohën e bardhë të bezes së kinemasë, ky film!

 

Regjisori duket më melankolik se kurrë, por njëkohësisht edhe i motivuar nga një egërsi (prej qeni të tërbuar) më shume se kurrë njëherë në ndonjë film të tij të mëparshëm. Bile më shumë se për mizerje afektive apo seksuale (tema tashmë të trajtuara në filmat e tij të mëparshëm), kësaj radhe duket se bëhet fjalë kryesisht për mizerjen shoqërore. Por vetë filmi nuk është asnjë sekondë të vetme mizerabilist! Fuqia plastike e imazheve të tij qëndron te heshtja: në vend të dialogjeve psikologjizues, Tsai zgjedh gjithmonë momentet e heshtjes së personazheve të tij, dhe pikërisht ato momente shfaq në filmin e tij: heshtje që flasin sa për mijëra fjalë, një mijë herë më lirike se fjalët. Emocioni që lind nga heshtjet e që është po aq bruto dhe sa vetë ato.

 

Në fund, po mendoja se nga një film i Tsai Ming-liang mund të dalësh nga salla e kinemasë i mrekulluar. Ose i irrituar.

Por kurrsesi indiferent!


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama